Home KRYESORE Për instinktualët, arbitrarlistët, arrogantët dhe mendjemëdhenjtë injorantë

Për instinktualët, arbitrarlistët, arrogantët dhe mendjemëdhenjtë injorantë

Nga Dr. Enriko Ceko

E tërë periudha para, gjatë dhe pas zgjedhjeve tregoi dukshëm se një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare janë instinktualë, arbitralistë, arrogantë dhe mendjemëdhenj, që në fund të fundit janë karakteristika bashkëshoqëruese të injorantëve.

Instinktualistët janë individë që kryesisht veprojë në mënyrë të pavetëdijshme për t’iu përshtatur mjedisit dhe për t’iu përgjigjur ndryshimeve të tij. Në fakt instinktet janë shtysa të vetëvetishme që i nxisin kafshët dhe / ose njerëzit që të kryejnë lëvizje e veprime të pavetëdijshme. Instinkte të tilla janë të ushqyerit, të riprodhuarit, etj si këto. Instinktualistët vërehen më së shumti në ato shoqëri ku varfëria është ekstreme dhe pjesa më e madhe e popullsisë aktive kërkon që të punojë në administratën publike, pasi në mënyrë instinktive këta persona e kanë të varur mbijetesën e tyre te paga në fund të muajit, që i bën këta të jenë të varur nga urdhëri i shefit dhe jo nga ligji. Kjo i bën instinktulaistët që të jenë tërësisht vulnerabël ndaj partisë në pushtet, për të cilën, edhe pse nuk kanë bindje politike të njëjta ose të ngjashme, në fund të fundit kur vjen puna për të votuar, e votojnë, edhe pse e dinë fare mirë se ajo nuk është parti politike, por grup i organizuar kriminal.

Paralelisht me instinktualistët dhe shpesh te të njëjtët individë shfaqen edhe shenjat e arbitrarizmit. Arbitrarlistët janë individë që nuk kanë ndonjë rregull në bërjen e gjërave. Ata e mbështesin gjetjen e zgjidhjes së problemeve te dëshirat dhe në mungesë të arsyetimit, veprojnë me parimin “të dalë ku të dalë”. Janë këta tipa që veprojnë me kokën e tyre, pa njohur dhe respektuar ligjet e rregullat, janë individë që kanë teka nga më të ndryshmet dhe për këtë shkak kryejnë veprime e ndërhyrje, të cilat shkaktojnë më shumë dëme se sa përfitime për organizatën ku këta tipa janë dhe për shoqërinë në tërësi.

Paralelisht me instinktualistët dhe arbitrarlistët ekzistojnë edhe arrogantët. Këta individë shpesh shfaqin shenja të përbuzjes së të tjerëve dhe kanë sjellje të vrazhdë, të pakulturuar. Ata i trajtojnë të tjerët me një ndjenjë superioriteti, që në fakt është inferioriteti i tyre. Arroganti është një individ që gradualisht e ka bindur vehten se është superior dhe shpesh ka një vetëvlerësim shumë të ekzagjeruar për vehten, gjë që manifestohet edhe me anë të deklaratave personale ku shprehet se dëshëron që të admirohet për aftësitë e vetitë e tij. Në fakt arroganca është thjesht dëshira për të dominuar të tjerët nisur nga një vetëbesim i ekzagjeruar te aftësitë se mund të arrihet më shumë sukses atje ku të tjerët kanë dështuar.

Sipas studiuesve, kur arroganca vjen duke u rritur, ajo kthehet në një mekanizëm kompensues për të fshehur pasigurinë e madhe që ka personi. Duket se këta njerëz përpiqen që të mbajnë larg njerëzit me shkollë dhe të ditur, pasi në prani të tyre e ndiejnë vehten tërësisht inferiorë dhe mjerë ai popull që ka në drejtim tipa të tillë, pasi në këto kushte njerëzit me shkollë dhe intelektualët e kanë shumë të vështirë të drejtojnë vendin dhe kombin. Arroganca, që, në kulmin e saj shfaqet me imazhin e supermenit, është edhe më e rrezikshmja, sepse kjo lloj arrogance më shumë krijon se sa zgjidh probleme. Njerëzit arrogantë në përgjithësi përpiqen që të qendrojnë në sulm, përgjigjen me zemërim dhe janë të pasjellshëm. Aq më keq kur arroganca ndërthuret me instinktualizmin dhe arbitraritetin.

Por nuk mjafton me kaq. Instiktualëve, arbitrarlistëve dhe arrogantëve u bashkohen edhe mendjemëdhenjtë, që janë tipa të cilëve u pëlqen shumë vetja dhe mendja e tyre, duke mos pranuar të marrin në konsideratë mendimin e të tjerëve, duke pretenduar të duken në sytë e opublikut se kush janë e ç‘farë dinë të bëjnë. Këta tipa sapo ekspozohen ndaj kritikës përpiqen që të mbrohen me të tëra mjetet. Shpesh ndërpresin tjetrin në bisedë. Janë të shqetësuar në prani të personave që kanë më shumë njohuri dhe kanë frikë të paraqesin mendime në mjedise ku debate është i fortë. Këta janë tipa që në biseda bajate, më shumë flasin se sa dëgjojnë. Për gjëra që dihen bëjnë profesorin, ndërsa për gjëra në mëdyshje nuk japin asnjëherë mendime. Duan që të marrin lëvdata dhe të krahasohen me figura të shquara të arsimit, shkencës, luftës, politikës, etj.

Kur instiktualizmi, arbitrariteti dhe arrogance bashkohen me mendjemadhësinë, atëhere më mirë është që me këta persona të mos mbash asnjë lloj marrëdhënie, ndërsa kur këta persona janë në drektimin e vendit dhe të zyrave të shtetit, atëhere për atë vend ka ardhur dita e qametit.

Të tërë këta, instinktualët, arbitrarlistët, arrogantët dhe mendjemëdhenjtë, në fund të fundit janë thjesht injorantë. Injoranca është një zgjedhje individuale. Ka njerëz që vendosin që të mos lexojnë më tej, që të mos informohen edhe më shumë, që të mos marrin më shumë dije, që të mos kuptojnë çështje të caktuara dhe të mos merren me zgjidhjen e problemeve të ndryshme që shqetësojnë të tjerët.

Këta individë nuk duan të lexojnë, nuk duan të investigojnë, nuk duan të mësojnë dhe kjo bën që ata të mos duan që të ridiskutojnë çështje e probleme të ndryshme, për të cilat ka ardhur koha të rishikohen e të zgjidhen me mënyra e mjete të tjera.

Këta njerëz nuk duan që të shohin cilat janë problemet. Ata nuk duan që të përballen me to. Ata nuk duan ndryshimin. Në përgjithësi injorantët janë njerëz që praktikisht nuk kanë marrë asnjë lloj arsimi, edhe pse mund të jenë të diplomuar. Ata ose nuk i kuptojnë gjërat, ose kanë një perceptim fare të cekët për situatat dhe kjo pastaj shfaqet në jetën politike, ekonomike dhe sociale në vend.

Injorantët në përgjithësi nuk shfaqin ndjeshmëri, kujdes, vëmendje ndaj të tjerëve dhe në përgjithësi i gjykojnë njerëzit e tjerë, dukuritë dhe ngjarjet sipas pozitës së tyre, por, kulmi i injorancës shfaqet me mungesën e tolerancës, kur këta tipa përpiqen që të hedhin poshtë mendimet e pikëpamjet e të tjerëve, edhe kur këto mendime dhe pikëpamje të të tjerëve janë shumë shumë të vlefshme.

Instinktualët, arbitrarlistët, arrogantët dhe mendjemëdhenjtë injorantë janë kudo, por varet nëse janë me shumicë apo me pakicë. Në ato shoqëri që ata janë me pakicë ka mundësi për zhvillim dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve, ndërsa në ato vende ku ata janë me shumicë atëhere e ka marrë ferra uratën.

Në vendet ku instinktualët, arbitrarlistët, arrogantët dhe mendjemëdhenjtë injorantë janë me shumicë asgjë nuk ndryshon, përveç fasadave. Asgjë nuk pipëtin sepse instinktualët, arbitrarlistët, arrogantët dhe mendjemëdhenjtë injorantë janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë për të mbrojtur pozitën. Ata vjedhin votat, manipulojnë rezultatet e zgjedhjeve, ata mashtrojnë ndërkombëtarët për gjendjen politike, ekonomike dhe sociale në vend, ata patronazhojnë, bëjnë përpjekje për të kontrolluar çdo gjë dhe kjo vetëm e vetëm sepse e ndiejnë se janë të humbur. Ata e dinë fare mirë se cilët janë. Ata e dinë fare mirë se ç’farë ndodh me ata nëse nuk janë në pushtet.

Dhe kështu, ne, pjesa tjetër e shoqërisë, që jemi të detyruar të jetojmë çdo ditë me njerëz të tillë, instinktualë, arbitrarlistë, arrogantë dhe mendjemëdhenj injorantë, e kemi shumë të vështirë që të spjegojmë ç’farë po ndodh dhe se si duhet veprojmë që të ecim përpara, pasi për ne nuk ka hapsira, nuk ka mundësi komunikimi, nuk ka mjete për të transmetuar dijet, informacionin dhe kulturën. Edhe në rast se ne të tjerët bëjmë përpjekje të konkurrojmë me standard për vende pune, për bursa studimi, tituj shkencorë, kandidatë për deputetë në Parlament, sulmi i instinktualëve, arbitrarlistëve, arrogantëve dhe mendjemëdhenjve injorantë është i pashoq, shkatërrimtar dhe i papërballueshëm individualisht dhe kjo u vu re në mënyrë shumë të dukshme në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Heshtja përballë injorancës është një situatë helmuese dhe e rrezikshme për të tërë ne dhe fëmijët tanë, sepse instinktualët, arbitrarlistët, arrogantët dhe mendjemëdhenjtë injorantë, duan që të kontrollojnë jetët tona, ata duan që të n’a poshtërojnë ne që jemi me shkollë dhe me njohuri, ne që në fakt jemi e vetmja shpresë për vendin dhe të ardhmen e tij, ne që mund dhe duhet të bashkohemi dhe të përballemi me këtë shtresë tashmë aktuslisht shumë të madhe të instinktualëve, arbitrarlistëve, arrogantëve dhe mendjemëdhenjve injorantë, që po e çojnë vendin në fund të greminës.

Share: