Home KRYESORE Edukimi dhe realiteti! Nga Dr. Enriko Ceko

Edukimi dhe realiteti! Nga Dr. Enriko Ceko

Këtë shkrim po e nis me një fakt mjaft interesant. Që nga fillimi i pandemisë, në vendet e zhvilluara, njoftimet për punë për pozicionet e nivelit fillestar që kërkojnë një diplomë bachelor ranë me 45%. Kjo tregoi një fakt shumë të thjeshtë. Punëdhënësit në të vërtetë kërkojnë për kandidatë që kanë më shumë aftësi dhe përvojë në botën reale e jo teoricienë e dembelë facebooku e instagrami.
Nëse sistemi ynë arsimor që kemi ngritur nuk i përgatit studentët për të bërë një karrierë të suksesëshme, atëhere, ne, nuk mund të presim që arsimi të jetë mbështetësi kryesor i një ekonomie që kërkon të integrohet në rajon dhe më gjerë. Ne nuk mund të presim që që të kemi vërtet talente që hyjnë me guxim, aftësi, njohuri dhe kompetenca në tregun e punës.
Duket mjaft hapur se në të vërtetë ekziston një shkëputje e madhe midis arsimit dhe punësimit. Duket se punëdhënësit deri tani kanë besuar se institucionet e arsimit të lartë janë porta nëpërmjet së cilës kalojnë punëmarrësit e ardhshëm, të cilët pasi dalin nga porta e dijes me aftësi, njohuri dhe kompetenca, do jenë të aftë të përballen me problemet që do ketë puna e tyre e përditëshme në administratën publike dhe në sektorin privat.
Por në të vërtetë, institucionet e arsimit të lartë në përgjithësi nuk u japin përparësi aftësive, njohurive dhe kompetencave për punë që duhet të kenë punëmarrësit e ardhshëm. Institucionet e arsimit të lartë u japin studentëve thjesht njohuri që në përgjithësi nuk kanë lidhje me zhvillimet e sotme të tregut të punës, teknologjive e prodhimit.
Për shembull!

  1. Fakultetet inxhinerike, në përgjithësi, nuk u japin studentëve aftësi, njohuri dhe kompetenca për mbikqyrje, supervizion dhe kolaudim punimesh, kur tregu kërkon mbikqyrës, supervizorë dhe kolaudues me licensë.
  2. Fakultetet ekonomike, në përgjithësi, nuk u japin studentëve aftësi, njohuri dhe kompetenca për taksimin, manaxhimin e cilësisë, krijueshmërinë dhe inovacionin, në një kohë që katër nga aftësitë dhe vetitë që kërkohen më shumë në tregun e punës për ekonomistët, pavarësisht nga drejtimi i fushës së studimeve brenda lëmisë së ekonomisë, tashmë janë llogaritja e taksave, përmirësimi i cilësisë, inovacioni dhe krijueshmëria, si baza për avantazhin konkurrues dhe krahasues.
  3. Fakultetet e shkencave natyrore, në përgjithësi, nuk u mësojnë studentëve qasjet moderne për trajtimin e problematikës mjedisore, florës dhe faunës në rang global dhe si vend e rajon, por kanë mbetur me njohuritë e shekullit 19 dhe 20 mbi Darvinin, Kyrinë, Timirjazevin, Pavllovin, etj.
  4. Fakultetet e shkencave ekzakte, në përgjithësi, u mësojnë studentëve ekzaktësinë për ekzaktësi dhe jo për përdorim në praktikë në sektorin publik dhe atë privat.

Kjo gjendje nuk është aspak e mirë dhe nuk sjell problematikë vetëm për punëdhënësit, por kjo gjendje bën që edhe vetë kariera e atyre që këkrojnë punë të kthehet në një dështim total.
Është tepër e dukshme kryesisht në vendet e Evropës Perëndimore dhe në SHBA se ata që kanë përfunduar studimet e larta të mos jenë të pajisur me aftësitë, njohuritë dhe kompetencat e nevojshme për të kryer në rolin që u kërkohet në subjektet në të cilat punësohen, sipas diplomës dhe programit të studimit për të cilin kanë studiuar.
Në pothuajse të tëra vendet e botës (me përjashtim të Gjermanisë, Zvicrës, Austrisë e ndonjë vendi tjetër) nuk ka asnjë mënyrë që të mund të realizohet një gërshetim i arsimit të lartë me sekuenca, opsione, module, informacione të cilët të mund të merren paralelisht me ndjekjen e studimeve të larta. Janë pikërisht këto rrugë alternative që u japin mundësinë studentëve dhe punëmarrësve të ardhshëm që fitojnë aftësi, njohuri dhe kompetenca reale dhe jo fiktive, aftësi, njohuri dhe kompetenca me anë të të cilave bëhet e mundur të fitohen punë cilësore dhe të mund të bëhet karierë profesionale.
Ajo që është me të vërtetë shumë e çuditshme, është prirja që kanë bizneset dhe zyrat e shtetit që të marrin në punë kryesisht individë që kanë kryer studimet të paktën bachelor, pa kërkuar opsionin shtesë të fitimit të aftësive, njohurive dhe kompetencave me mënyra, metoda e mundësi alternative krahas studimeve të larta.
Nëse bëjmë një krahasim midis të ardhurave të familjeve kudo në botë me koston e arsimimit të fëmijëve, ka një prirje për pakësim të aftësive të këtyre familjeve për të përballuar koston e studimeve dhe kjo është një dukuri globale, jo vetëm e vendeve të varfra dhe në zhvillim. Në shumicën e vendeve të botës, tashmë kosto e një diplome studimesh të larta si profesionale, ashtu dhe bachelor e master është vështirë të përballohet, krahasuar me vite më parë.
Për të patur forca pune me aftësi, njohuri dhe kompetenca dhe për të bërë të mundur që punëmarrësit të kenë shansin e karierës së suksesëshme, ka ardhur koha për strategji moderne edukimi dhe punësimi. Tashmë është tepër e dukshme dhe serioze që qeveria, punëdhënësit dhe institucionet arsimore, kryesisht institucionet e arsimit të lartë të kuptojnë se kanë një rol shumë të madh për të luajtur, sidomos në mbështjen e punëmarrësve për shkak të shtimit të kostove të arsimimit, por jo vetëm.
Në pothuajse të tëra subjektet publike dhe private që kam vizituar në këto më shumë se 30 vite të karierës time në punë si në sektorin publik, ashtu dhe në atë privat, si në Shqipëri, ashtu dhe jashtë shtetit, mund të numëroj vetëm me gishtat e dorës subjektet që kanë përshkrim të vendit të punës dhe rishikim të proceseve të punësimit dhe bërjes së karierës nga palë të treta, për të siguruar që marrëdhëniet punëdhënës, punëmarrës dhe manaxher burimesh njerëzore të mund të garantojnë që punësimi të bëhet mbi bazë të aftësive, njohurive dhe kompetencve dhe përshkrimit të punës e detyrave, përgjegjësive e të drejtave e detyrimeve të palëve të përcaktuara qartë në kontratën e punësimit.
Gjithashtu, në pothuajse të tëra këto më shumë se 30 vite përvojë pune janë shumë të rralla subjektet publike dhe private në të cilat kam evidentuar se ka bashkëpunim për aftësimin e mëtejshëm të punëmarrësve dhe për të lidhur kërkesat dhe nevojat për punonjës që të jenë të pajisur me aftësi, njohuri dhe kompetenca. Nga ana tjetër, aftësitë, njohuritë dhe kompetencat që kërkohen në këto raste nuk i kam evidentuar që të jenë pjesë e ofertave të institucioneve arsimore si të niveleve të arsimit të lartë, ashtu dhe të niveleve të kurseve të trainimit pasuniversitar apo trainimit profesional të natyrave të ndryshme. Këto programe nuk janë të nevojshme thjesht për të ndihmuar e mbështetur me programe të çertifikuara punonjësit e kualifikuar, por edhe ata që nuk kanë diplomë të shkollës së lartë dhe që janë ndoshta më të shkathët, më krijues, më të përshtatshëm për disa lloje pune se sa ata që kanë diplomë të shkollës së lartë.
Pothuajse të tërë që merren me këtë çështje janë të dyzuar për atë se si duhet të veprojmë për të përmirësuar gjendjen dhe kjo vjen për shkak se edhe vetë ata që na drejtojnë nuk kanë aftësi, njohuri dhe kompetenca për të kryer punët për të cilat i kemi votuar dhe zgjedhur.
Mendoj se tashmë është koha që të përgjigjemi qartë, shpejt, në mënyrë të prerë dhe të fortë që të japim mundësi që institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri, si në sektorin publik, ashtu dhe në atë privat, t’i forcojmë, t’i mbështesim, t’i zgjerojmë e pajisim me kapacitete, procese dhe procedura të vlefshme për përgatitjen e brezave me aftësi, njohuri dhe kompetenca të plota për tregun vendas dhe atë ndërkombëtar, në mënyrë që talentet të evidentohen, të mos humbasin, por të zhvillohen dhe së bashku me ta, edhe ata që nuk janë talente, por që me aftësitë, njohuritë dhe kompetencat që fitojnë në shkollë, pavarësisht nga niveli i hierarkisë së programeve të studimit, të jenë të gatshëm për të qenë punëmarrës në tregun e punës, treg që tashmë po kërkon aftësi, njohuri dhe kompetenca që përpara disa viteve dukeshin si futurizma të paarritshme.

Share: