Nga BoldNews.al
Më në fund tenderi i shumëpritur, dhe shumë i dyshimtë, i aparaturave mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT), u shpall.
Pas 3 dorëheqjeve të drejtorit të Zyrës Juridik) të institucionit, për të cilin ka zëra se lidhen me këtë procedurë, Q.S.U. “Nënë Tereza”, Tiranë, shpalli tender ndërkombëtar me një fond prej rreth 5.5 Milionë Euro për mirëmbajtjen e aparaturave.
Në dokumentat e tenderit konstatohet, çuditërisht se nga lista janë hequr shumica e aparaturave që janë tërësisht funksionale, por që kanë nevojë për mirëmbajtje dhe janë zëvendësuar me aparatura të reja, të cilat nuk do të kishin nevojë për mirëmbajtje, pasi sapo kanë dalë nga periudha e garancisë.
Burime konfidenciale nga stafi administrativ i QSUT thonë për redaksinë se drejtuesi, Enkelejd Joti, ka udhëhequr vetë operacionin e dokumentacionit të tenderit dhe që nuk ka vendosur asnjë aparaturë Rö-Grafi/Scopie, aq të domosdoshme për Covid-in.
Kjo listë është mbushur me aparatura të reja, që nuk kanë nevojë për mirëmbajtje dhe servis, ndërkohë që nuk preken ato aparatura që janë jetike dhe që kanë probleme në Q.S.U. “Nënë Tereza”.
Ekspertë të fushës, të kontaktuar nga “Boldnews.al”, pasi u informuan mbi dokumentat e tenderit, kanë ngritur një seri pyetjesh:
Kush do t’i riparojë ato pajisje, të cilat nuk gjenden në listën e tenderit? A kemi ne luksin që të hedhim aparatura që funksionojnë tërësisht, të markave më të mëdha botërore, të ardhura me fondet e Bankës Botërore dhe të Komunitetit Evropian, dhe t’i zëvendësojmë ato me të reja?
QSUT nuk duket se ka aspak luksin për shpenzime të tepërta.
Kjo dëshmohet qartësisht nga fakti se QSUT ka shpallur një tender për blerje aparatura për Pediatrinë, në një masë sa gjysma e atyre të kërkuara nga mjekët e këtij shërbimi, me argumentin se “nuk kemi fonde”.
Dhe, Pediatria, e cila pritet që të përurohet së shpejti, do të ketë më tepër së 50% aparate të vjetra.
Por drejtori Q.S.U. “Nënë Tereza”, z. Joti, duket se ka një qëllim, një qëllim, të cilin “Boldnews.al” e ka denoncuar prej shumë kohësh.
Gjithçka nis dy vjet më parë, kur dy inxhinierë të kompanisë austriake V…D, të pashoqëruar nga askush, iu shpjeguan specialistëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale se çfarë kishte bërë kjo kompani.
Ajo mbledhje në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është bërë me urdhër nga Ministri Manastirliu dhe të gjithë pjesëmarrësit në atë mbledhje asokohe nuk arrinin të kuptonin se cili ishte qëllimi i atij takimi.
Nën moton “do të përmirësojmë shërbimin e mirëmbajtjes”, po kryhet një “operacion”, i cili mund të shndërrohet në një masakër në Q.S.U. “Nënë Tereza”.
Së pari, thuhet se, me ndihmën e stafit të Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, të gjithë aparaturat që janë përfshirë në tenderin e saposhpallur të mirëmbajtjes, u vendosën në një listë të vetme dhe që këtu nxorën pretendimin që “nuk kemi se si t’ia bëjmë një liste prej 590 aparaturash, ku të kërkohet autorizimi i prodhuesit”.
Përballë këtij argumenti, ekspertët e fushës vijojnë të ngrejnë sërish pikëpyetjet e tyre:
“Dakord që të mos kërkoni autorizim prodhuesi për 590 aparatura, por të paktën për 3-4 prodhues kryesorë, pse nuk kërkoni autorizim prodhuesi? Cili është ligji që ju pengon ? Përse nuk bëhen lotet më të vogla por gjithçka duhet të jetë në një lot ? Apo që të mos shpërndaheni me shumë fitues?”.
Në dokumentat e tenderit 5.5 milionë euro shihet qartë që në listë janë hequr aparaturat që mbajnë peshën kryesore në spital si radiologjitë, echografitë, etj.
Dhe, si për të favorizuar firmën që duket si e paracaktuar për të fituar kontratën e këtij shërbimi, në vend të Rö-Grafi/ Scopive (që bëjnë minimumi 30-40 ekzaminime në ditë dhe që kërkojnë një mirëmbajtje intensive dhe të kualifikuar), vendosen grafitë portative (të cilat përdoren një herë në javë), ose harku C që përdoret për grafi në sallat e operacionit më rrallë se 1 herë në javë dhe janë të thjeshta për t’u mirëmbajtur.
Nëpërmjet kësaj forme, e cila duket se është organizuar drejtëpërdrejtë nga drejtori i QSUT, z. Joti, hiqet dorë nga armata prej 44 inxhinierëve që kanë 12 shoqëritë shqiptare që bëjnë mirëmbajtje ne Q.S.U. “Nënë Tereza” dhe në kërkesat e tenderit ka vendosur 5 inxhinierë.
Pra z. Joti ka vendosur “të përmirësojë” shërbimin, duke kaluar nga 44 inxhinierë në 5.
Sipas kërkesave të tenderit, për këta 5 inxhinierë, Joti nuk duket se do që të dijë fare se çfarë specializimesh apo trajnimesh kanë në lidhje me aparaturat e Q.S.U. “Nënë Tereza”, pasi nuk kërkojnë asnjë certifikatë specializimi në lidhje me pajisjet e instaluara në atë institucion.
Kjo bie ndesh si me kërkesat që janë bërë ndër vite nëpër tendera, ku janë skualifikuar firma me çmim më të ulët vetëm se nuk kanë patur këto certifikata.
A nuk është ky një krim ekonomik i kamufluar nën kërkesat për kualifikim të një tenderi ? Sa para ka harxhuar shteti shqiptar duke shkualifikuar kompanitë pa certifikata mirëmbajtje të inxhinierëve të tyre për aparaturat që shiten? Natyrisht kur këto ishin me çmim më të ulët.
Qarkullojnë zëra që, njerëz të besuar të drejtorit të QSUT, Enkelejd Joti, si dhe ndihmesat që kanë ardhur për të hartuar dokumentet e këtij tenderi nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, flasin nëpër korridoret e institucionit për një tender të hapur ku askush nuk është i paragjykuar dhe secili mund të marrë pjesë.
Në fakt, qëndrimi në heshtje i drejtorit të QSUT-së për këtë tender, ashtu siç veproi edhe gjatë situatës së pandemisë, nuk e shndërron këtë tender në “të rregullt”.
Siç është raportuar edhe më herët, ai ka “keqinterpretuar” disa ndryshime ligjore, duke goditur rëndë ligjshmërinë e këtij tenderi.
Në sistemin e pikëzimit, QSUT kërkon 20 pikë për Project Manager, 15 pikë për Zv.Drejtorin e Shërbimit dhe 15 pikë të tjera për softëare e shkrimit të të dhënave.
Si ka mundësi që nuk vendoset asnjë pikë për inxhinierët që do të bëjnë mirëmbajtjen? Çfarë menaxhimi kërkon QSUT-ja jashtë asaj që bëjnë 7 inxhinierët e saj, duke lajmëruar për defektet mesatarisht 1 herë në ditë inxhinierët shqiptarë?
Në dokumentat e tenderit të mirëmbajtjes së aparatura, QSUT i ka dhënë një rëndësi shumë të madhe krijimit të databazës, një projekt që mund të realizohet lehtësisht me një procedurë tjetër në vlerë 20-30 mijë dhe gjithçka përfundon aty.
Megjithatë, nëse QSUT ende nuk ka një databazë të tillë, atëherë përgjegjësia duhet të kërkohet pikërisht tek vetë kryemenaxheri spitalit, Enkelejd Joti, si edhe tek Ministria e Shëndetësisë, të cilët nuk kanë nxitur qendrën biomjekësore të Qendrës Spitalore për të krijuar një të tillë deri më tani.
Nga dokumentat e tenderit krijohen lirisht pikëpyetjet; Përse i duhet dhëne 15% të pikëzimit kësaj databaze? Si mund të certifikohet një databazë para një muaj e gjysmë që do të bëhet tenderi? Këto pikëpyetje forcojnë dyshimet se tenderi jo vetëm që nuk është i hapur, por, përkundrazi, po shkon në drejtim të paracaktuar.
Tenderi për mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore, para së gjithash, është ofrim shërbimi.
Sa pikë i është dhënë stafit inxhinierik dhe kualifikimeve të tyre dhe si ka mundësi që stafi i QSUT tregohet kaq i ndjeshëm për “menaxhimin” e procesit të mirëmbajtjes dhe jo se si do të bëhet kjo mirëmbajtje?
Ç’duhen menaxherët në një tender servisi të një spitali? Çfarë do të menaxhojnë ata? Apo drejtuesit e QSUT duan që inxhinieret e kësaj firme të rekomandojnë heqjen e këtyre aparaturave dhe më pas të thuhet se “i hoqën specialistët e huaj”?
Ekspertët e aparaturave mjekësore, të kontaktuar nga redaksia, mendojnë se nuk është e nevojshme që një specialist i tretë të japë këshilla, pasi vetë kompanitë e deklarojnë “End of life”. fundin e një aparature, siç ka ndodhur gjithmonë në shëndetësinë shqiptare.
Nëse një kompani e tretë deklaron, në kundërshtim me guideline e prodhuesit, heqjen e një aparature, kjo do të sjellë një krim ekonomik, pasi kërkon shpenzime shtesë, të cilat nuk janë të nevojshme për këtë shëndetësi pa financa. Edhe nëse tenderi i zëvendësimit të aparaturave fitohet nga ato 2-3 kompani që fitojnë tenderat në QSUT.
Operatorët shqiptarë kanë inxhinierë që kanë menaxhuar jo 5 milionë EUR në 5 vjet siç e kërkohet në tenderin e saposhpallur, por 17 milionë Eur në 5 vjet dhe këtu brenda në Shqipëri, nën juridiksionin e Enkelejd Jotit dhe të minsitres së Shëndetësisë, Manastirliu.
Por cili ka qenë ligji shqiptar që i ka pajisur ato me certifikime? Këto certifikata, titullarët e Shëndetësisë shqiptare Ju as i kanë kërkuar dhe as i kanë dhënë. Ndërsa tani, nëse nuk paraqiten, kompanitë skualifikohen.
Z. Joti dhe znj. Manastirliu, në fakt, nuk kanë përvojë të shkëlqyer në menaxhimin si duhet në shërbim të qytetarëve, të tenderave të zhvilluar, sidomos gjatë kohëve të fundit.
Mjafton të përmendet se titullarët kryesorë të Shëndetësisë dhe stafet e tyre ndihmëse lanë Shqipërinë pa respiratorë në kulmin e Covid vetëm se respiratorët (që nuk erdhën kurrë ) duhet të vinin për 15 ditë dhe që ia dhatë tenderin një kompanie që kishte shitur 2 defibrilatorë në Q.S.U. “Nënë Tereza” dhe që merrej me vendosje antenash televizive.
Të tillë e bëri pikëzimin Ministri Manastirliu, kryetarja e Entit Prokurues në MInistrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Janë të njëjtët titullarë të lartë të Shëndetësisë, të cilët tenderat e 3 CT Scanner ia dhatë çmimit të parafundit ( që K.P.P nuk ia dha kurrë), më të lartë.
Janë të njëjtën që tenderin e respiratorëve (të zhvilluar në muajin shtator 2021) ua dhatë 2 firmave që ishin renditur në vend të fundit (pra me çmim më të lartë) dhe respiratorët i morët vetëm në fund të dhjetorit.
Ndërkohë që organizatorët e tenderit 5 milionë euro për mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore flasin për “garë të hapur”, vëzhgimi i kritereve tregon se inxhinierët shqiptarë janë të diskriminuar.
QSUT kërkon që kompania fituese të ketë inxhinjerë bioklinikë, ndërkohë që në Shqipëri nuk ekziston një fakultet i tillë.
Inxhinjerë me këtë diplomë nuk gjenden as në stafin e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që në tenderin e QSUT-së kërkohen që kompanitë private të kenë të tillë.
“Apo i keni marrë dokumentet shabllon siç ua ka përcjellë firma e huaj që ju doni që të fitojë”?, krijohet një pikëpyetje shumë e fortë.
Askush nuk ka dyshim për këtë kur lexon dokumentet e tenderit. Kaq e vërtetë duket kjo sa, në dokumentat e tenderit, në një vend shkruhet që nuk lejohen nën-kontraktimet dhe më poshtë shkruhet që mund të kontraktohet deri në 50 % dhe në fund të dokumenteve mund të kontraktohet deri në 40 %.
Gafa të tilla, në dokumenta zyrtare, krijojnë dyshimin se dokumentat e tenderit janë ndryshuar disa herë dhe nuk është gjetur koha për t’i bërë një kontroll mbi nonsenset dhe përplasjet mes paragrafëve, kushteve dhe kritereve të tenderit.
Kjo situatë krijon gjithashtu dyshimin se Joti, i mbështetur nga stafi ndihmës i Manastirliut, po synojnë të shfrytëzojnë pikëzimin, me qëllim për të orientuar tenderin drejt kompanisë së huaj, e cila gjithnjë e më shumë po duket si e paracaktuar.
Pasi konstatohen një mori elementësh “të çuditshëm” në dokumentat e tenderit për mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore, mbi zotin Joti dhe zonjën Manastirliu ngrihen një seri pikëpyetjesh:
– “A keni patur ndonjë drejtor spitali, nga ndonjë kirurg, radiolog ndonjë ankesë për mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore nga kompanitë shqiptare që të shkretat në kohë Covid-i pa mbrojtje dhe pa u vaksinuar kanë renduar anembanë Shqipërisë për të mbajtur aparaturat në funksionim dhe ato kanë funksionuar 100%, jo me 95% të kapacitetit si doni ju por më të larta 99.5% të kohës së përgjithshme të efikasitetit dhe për këtë gjë janë dëshmitare të gjithë mjekët e spitaleve të Shqipërisë”?
– Nëse ju me të vërtetë doni të përmirësoni mirëmbajtjen e këtyre aparaturave dhe keni besim te firma e huaj, (siç dyshohet nga kriteret e tenderit) pse nuk i jepni të bëjnë mirëmbajtjen e CT Scanner-ave, të MRI-ve, të Angiografëve, të cilat janë aparatura shumë më të sofistikuara dhe që bëhen nga inxhinierë shqiptarë?
– A mund të vendosen këta inxhinierë austriakë, sllovenë gjermanë apo nga vende të tjera, që të futen në pajisjet Hi-Tech të Shqipërisë dhe të provojnë forcat e tyre?
Kjo pyetje ka një bazë shumë të rëndësishme, pasi mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore në çdo vend të botës, e bëjnë kompanitë e specializuara nga firmat e mëdha prodhuese të cilat i prodhojnë këto aparatura.
Ndërkohë, tenderi i saposhpallur, ka edhe një “djallëzi” tepër të lexueshme. Organizatorët e tenderit kanë lënë Shumë pajisje pa mirëmbajtje. Prej më se 2 javësh tenderi i aparaturave të rënda ka mbaruar, por Ministrja Manastirliu nuk e ka dërguar këtë tender që të shpallet në K.P.P.
Duket se kjo gjë bëhet “me qëllim”. Sipas ekspertëve të fushës, kjo bëhet që të humbet kohë, që aparatura të pësojnë ndonjë defekt dhe mjekët nëpër spitale të akuzojnë firmat shqiptare që nuk shkojnë që të bëjnë servisin.
Ky dyshim përforcohet edhe nga fakti që drejtori i QSUT, z. Joti, i la 2 muaj pa punë MRI të Neurokirurgjisë (e vetmja 3 Tesla në Ballkan), duke e lënë pa kontratë mirëmbajtje,me justifikimin se nuk ka dhënë autorizimin Ministria e Shëndetësisë.
Dëshmitarët janë në QSUT, Prof. Rroji dhe i gjithë stafi i tij.
Ndërkohë që dyshja Manastirliu-Joti po i lë pa kontratë mirëmbajtje, aparaturat vazhdojnë punën dhe është e natyrshme që të bëjnë defekte. Në këtë situatë, me siguri që titullarët e Shëndetësisë do t’u kërkojnë firmave që këto defekte, të cilat bëhen si pasojë e vonesave “burokratike dhe administrative”, t’i riparojnë me paratë e tyre përndryshe nuk do t’u lidhet kontrata e mirëmbajtjes.
Nga ana tjetër ka edhe zëra që dyshja Joti-Manastirliu nuk i shpall fituesit e tenderave të aparaturave të rënda të QSUT dhe të spitaleve rajonale në mënyrë që t’iu bëhet “presion” firmave shqiptare që të heshtin për tenderin e aparateve të vogla të QSUT për dokumentacionin tërësisht të manipuluar nëse duan që të firmosim për tenderin e aparaturave të rënda. Ka të tjerë që thonë që CT dhe MRI lihen pa mirëmbajtje, në mënyre që pacientët të shkojnë tek spitalet privati.
Por, cilado qoftë arsyeja, duket se shkaku dhe përgjegjësi kryesor për problematikën e aparaturave mjekësore në shërbimin spitalore shqiptar dhe sidomos në QSUT, është menaxhimi problematika nga ministrja Manastirliu dhe drejtori i Qendrës Spitalore Universitare Tiranë, Enkelejd Joti.
Në momentin e publikimit të këtij shkrimi, ministrja Manastirliu gjendet në Bullgari dhe ende nuk është e qartë nëse udhëtimi është për të marrë apo dhënë përvojë me autoritetet e atij vendi.
Me shumë mundësi, një prej temave që do të deklarohet pas kthimit të Manastirliut, mund të jetë ajo e “autonomisë spitalore”, një koncept, i cili, siç deklarojnë nga stafi i specializuar i QSUT, është “huaj” për dyshen Manastirliu-Joti.
Ndërkohë që po tentohet të flitet për “autonomi spitalore”, nga ana tjetër tenderin 5.5 milionë euro i mirëmbajtjes së aparaturave tregon për diçka krejt tjetër.
Në mënyrë që ky tender të bëhet sa më “pompoz” dhe, pse jo, edhe të mund të ketë “përfitime” të ndryshme, dyshja Joti-Manastirliu ka përfshirë në mirëmbajtje edhe shtretër dhe llamba operimi, të cilat nuk kanë nevojë për servis ose që mirëmbajtja e tyre mund të bëhet fare mirë nga 7 inxhinieret që janë të punësuar në QSUT.
“E çfarë mirëmbajtje do t’i bëhet një llambe apo tavoline operacioni… “??
Po monitorët e pacientit dhe frigoriferët (që të dy artikuj kinezë) që u morën për pandeminë dhe që kushtojnë EUR 300- 400 ? Çfarë shifre i është caktuar për mirëmbajtjen? A është ajo baras me 7% te vlerës siç e kërkon Kontrolli i Lartë i Shtetit?
Kështu lista e mirëmbajtjes, e cila vitin e kaluar kishte 270 aparatura te ndara ne disa lote, sot u be me 578 lote aparaturash, natyrisht duke u hequr aparatet bazë dhe duke u vendosur aparate që nuk kanë nevojë fare për shërbim.
Operatorët e sektorit deklarojnë që kësaj talljeje dhe keqpërdorimi të Shëndetësisë duhet që t’i vijë fundi.
Zëra, gjithësesi të pakonfirmuar zyrtarisht, flasin edhe për dreka pune të Ministrit të Shëndetësisë 2-3 vite më parë me drejtorë të firmave të huaja që bëjnë mirëmbajtje jashtë Shqipërie dhe me menaxherë të spitaleve private që disponojnë edhe inxhinierë.
Ndërkohë që, për firmat shqiptare, Manastirliu dhe Joti nuk kanë pasur kohë kurrë për t’i pritur, dëgjuar dhe ballafaquar kërkesat, shqetësimet dhe problematikat e punës së përditshme.
Çdo gjë është e hapur dhe për “Boldnews.al” është një sfidë dalja e të vërtetave !!
Vallë ky tender, kaq i ekspozuar dhe i përfolur, do të mbërrijnë në zyrat e DASH?
Shënim: Ky është një artikull i botuar nga Bold News dhe ngre problematika të rëndësishme për të cilat Perqasje.com është e hapur për publikimin e përgjigjes së institucioneve të sipër përmëndura.