Home Gjeo-Ekonomia Ndërtuesit presin që shtrenjtimi i çmimeve të apartamenteve të vijojë

Ndërtuesit presin që shtrenjtimi i çmimeve të apartamenteve të vijojë

Pritjet inflacioniste në ekonominë shqiptare ngelen të dobëta, pavarësisht se ekonomia duket të ketë hyrë në një cikël të ngadaltë përmirësimi pas krizës së pandemisë.

Anketimet e Bankës së Shqipërisë në anketën e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve treguan se pritshmëritë për nivelin e çmimeve në të ardhmen ngelen negative për shumicën e sektorëve, me përjashtim të sektorit të ndërtimit.

Pritshmëria për çmimet është veçanërisht negative në sektorin e industrisë. Për majin, treguesi që tregon balancën e pritjes së çmimeve për të ardhmen ishte negative me 23.2 pikë përqindje, në rënie të mëtejshme nga niveli 17.4% i muajit prill. Megjithatë, ky tregues është në nivele disi më të përmirësuara krahasuar me tremujorin e fundit 2020 dhe atë të parë të këtij viti, kur rënia kishte qenë më shumë se 30 pikë përqindje.

Edhe në sektorin e shërbimeve pritshmëria për rritje të çmimeve është e dobët. Për majin ky tregues ishte lehtësisht pozitiv, me 0.2 pikë përqindje, por në rënie të ndjeshme krahasuar me tre muajt e mëparshëm. Megjithëse ndodhemi në prag të sezonit turistik, ky element nuk është reflektuar në pritshmëritë e bizneseve të shërbimeve për ecurinë e ardhshme të çmimeve.

Ndërtimi vazhdon të ketë diferenca të mëdha me sektorët e tjerë për sa i takon pritshmërisë për çmimet, fakt që ndikohet kryesisht nga ecuria e tyre faktike në vitet e fundit.

As pandemia nuk solli frenim të rritjes së çmimeve në këtë treg, ndërsa pritshmëritë e bizneseve ngelen sërish në territor të rritjes pozitive. Megjithatë, për majin pritshmëria e rritjes zbriti në 6.9%, në nivelin më të ulët që prej muajit janar. Në fund të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë vlerësonte se çmimet e banesave ishin në rritje dyshfrore, me 11.3% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Pritjet e bizneseve janë një faktor që monitorohet nga bankat qendrore për qëllimet e politikave monetare, sepse ato kanë një ndikim në ecurinë e inflacionit në të ardhmen e afërt. Inflacioni ka shfaqur një tendencë të lehtë rritëse në muajt e parë të këtij viti, por ai ngelet ende nën intervalin e poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë, prej 2%.

Treguesi i inflacionit bazë, që e zhvesh rritjen e çmimeve nga komponentët afatshkurtër dhe me luhatshmëri të lartë, për tremujorin e parë të vitit ishte në nivelin 1.5%. Banka e Shqipërisë nuk pret që inflacioni të rikthehet në objektiv para fundit të vitit 2022 dhe e ka shprehur qartë që kursi i politikës monetare duhet të vazhdojë të jetë stimulues, pavarësisht optimizmit për kthimin e rritjes ekonomike duke filluar që nga ky vit./ Monitor

Share: