Home Approccio Italo Albanese Ruçi urim për Festën e Republikës së Italisë: Mike e çmuar dhe...

Ruçi urim për Festën e Republikës së Italisë: Mike e çmuar dhe partnere strategjike e Shqipërisë

Me rastin e 75-vjetorit të shpalljes së Republikës Italiane, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u ka dërguar letra urimi Presidentit të Dhomës së Deputetëve, Roberto Fico, dhe Presidentes së Senatit, Maria Elisabetta Alberti Casellati.

“Me rastin e 75-vjetorit të shpalljes së Republikës Italiane, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, Ju dërgoj urimet më të përzemërta.

Referendumi i 2 qershorit 1946, i cili vendosi Republikën Italiane, është një ngjarje e madhe historike për Italinë mike, sistemin demokratik, zhvillimin politik e shoqëror si edhe të ardhmen e popullit italian.

Italia ka qenë dhe mbetet një vend fqinj, mik i çmuar dhe partner strategjik shumë i rëndësishëm i Shqipërisë.

Miqësia e fortë që lidh dy vendet dhe dy popujt tanë u ka rezistuar sfidave të kohërave.

Kjo miqësi ushqehet edhe nga prezenca e komunitetit arbëresh dhe emigrantëve që u vendosën në Itali pas vitit 1990, të cilët shërbejnë si ura miqësie dhe kontribuojnë për mirëqenien e familjeve të tyre, por edhe për zhvillimin e Italisë dhe Shqipërisë.

Gjej rastin të shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë, kontributin dhe rolin e saj të spikatur si avokatja e integrimit europian të Shqipërisë.

Ne kemi besim se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe për mbajtjen sa më parë të Tryezës së parë Ndërqeveritare si edhe gjatë fazës së zhvillimit të negociatave.

Shpreh bindjen se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi shumë i suksesshëm i Kuvendit të Shqipërisë dhe Dhomës së Deputetëve të Italisë, i kufizuar kohët e fundit prej pandemisë së Covid-19, do të rifillojë shumë shpejt”, shkruan në urimin e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Top Channel

Share: