Vëllezër dhe miq,
Sot vazhduam në një mënyrë të re rrugën tonë për plotësimin e Amanetit të të Parëve tanë Çamë.
Në fakt, me rastin e ditës së kujtesës – 27 Qeshor, 77 vjetorit të masakrës së Paramithisë, me Konferencën Shkencore “ҪËSHTJA ҪAME DHE KUJTESA KOMBËTARE”, organizuar nga Akademia jonë e Studimeve për Çamërinë, me shumë personalitete të spikatur akademikë Çamë dhe jo Camë, por patriotë të ndershëm shkencorë, trajtuam kauzën Çame si plagë historike të çështjes mbarë Kombëtare dhe domosdoshmërinë e zgjidhjes së saj në filozofinë dhe standartet Euro Atlantike.
Vëllezër,
Si kryetar i Bordit të Akademisë të Studimeve për Çamërinë dhe pjesëmarrës aktiv i konferencës së sotme shkencore, kumtesave cilësore dhe analitike dhe mbështetjes të të gjithë pjesëmarrësve, krijova bindje të palëkundur se Shkenca është njëra nga shtyllat që Komuniteti Ynë kulturë-dashës dhe liri-dashës do ta vë në funksion të Kauzës sonë drejt një rruge pa kthim mbrapa dhe sigurisht drejt zgjidhjes së saj përfundimtare.
Shkenca ka logjikë argumentuese të pakundërshtueshme dhe i tejkalon dimensionet e paragjykuara partiake.
Ne synojmë që nëpërmjet Akademisë të Studimeve për Çamërinë të ndërtojmë Senatin e të Urtëve Çamë i cili do monitorojë veprimtaritë partiake, parlamentare dhe qeverisëse kundrejt Çështjes Çame në Shqipëri, Greqi, Europë dhe Amerikë.
Ky monitorim do të ofrojë dhe konkludojë me analiza, kritika e sigurisht sugjerime konkrete për këto veprimtari institucionale.
Sigurisht që nga ky organizëm i ri nuk do të mungojnë edhe falenderimet dhe përkrahja e duhur për veprimtaritë kurrajoze dhe zgjidhje ofruese për Amanetin e të Parëve Çamë.
Me mbështetjen tuaj dhe të miqve tanë shqiptarë dhe të huaj që nuk na kanë munguar, do të vijë dita që këto data historike ti përkujtojmë në Çamëri.
Vllai juaj, Tahir Muhedini