Home KRYESORE Detaje nga operacioni ‘Shpirti”: Dy shoqëruesit e Saimir Tahirit, rol aktiv në...

Detaje nga operacioni ‘Shpirti”: Dy shoqëruesit e Saimir Tahirit, rol aktiv në trafikun ndërkombëtar të drogës

Zbardhen të tjera detaje lidhur me operacionin ndërkombëtar të koduar ‘Shpirti’, në kuadër të të cilit janë lëshuar 38 urdhër arreste.

Në një raportim për News24, gazetarja Klodiana Lala zbardhi edhe rolin që kishin patur dy shoqëruesit e ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, përkatësisht Hekuran Marku dhe Agustin Deda, në trafikun e drogës, të vënë tashmë në pranga. Hekuran Marku dhe Agustin Dedai, dyshohet sipas SPAK se kanë patur rol aktiv në trafikun e drograve nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Gazetarja Klodiana Lala tha se nga hetimet e nisura në 2014, nga autoritetet italiane rezultonte se zyrtarë të lartë të Policisë Shqiptare, të drejtësisë, por edhe dy shoqëruesit e ish-ministrit të brendshëm kishin rol aktiv duke garantuar që sasitë e drogës të kalonin nga Shqipëria në drejtim të BE-së, konkretisht dy ish-shoqëruesit e Saimir Tahirit i cili gjithashtu është duke u përballur me drejtësinë shqiptare me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj, janë Marku dhe Deda me një rol aktiv në grupet që kanë trafikuar, sipas autoriteteve shqiptare dhe italiane, 6 ton drogë, nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Këto sasisë janë të konfirmuara zyrtarisht nga SPAK por mund të kenë edhe sasi të tjera të cilat cilat mund të jenë trafikuar pa u pikasur nga autoritetet. Operacioni ka nisur orët e para të ditës së sotme, nga 38 persona, 10 prej tyre janë arrestuar në dy operacione të mëparshme.

Ndërkohë ish zv/drejtori i Policisë në Vlorë, Ilirjan Balla, i cili së fundmi ushtronte detyrën në drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjithashtu dyshohet të ketë patur rol aktiv dhe garantonte trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike, duke mbajtur larg policinë nga trafikantët, dhe ndërkohë është arrestuar, në masën e ‘arrestit në shtëpi’, Festim Lelaj një ish zyrtar policie në Fier, i cili gjithashtu ka qenë i arrestuar më herët për trafik drogë.

Gazetarja Klodiana Lala theksoi se gjithashtu është edhe një zyrtar policie në Durrës Artur Krasniqi, i cili ndodhet në masën e arrestit në shtëpi.

Sakaq, nga të dhënat paraprake të SPAK, konkretisht hetimi i ndjekur nga prokurori Vladimir Mara, rezulton se kolegu i tij Maksim Sota sipas të dhënave qëndronte me trafikantët dhe i favorizonte ata sa i përket hetimeve, dhe caktimit të masave të sigurisë./Lapsi.al

Share: