Home KRYESORE “Ngjyrosje e bukur pikturë me mesazh te gabuar!

“Ngjyrosje e bukur pikturë me mesazh te gabuar!

Nga Adnand Lleshaj

E kuptoj qëllimin e artit për të ngacmuar nëpërmjet krijimtarisë, për të shkaktuar reagim, emocion, përshtjellime ideore dhe ndjesore.

E kuptoj dhe lirinë në art, lirinë e të shprehurit e të menduarit, e kuptoj që “arti nuk ka moral” sepse ky i fundit është një koncept që kuptohet më shumë sipas një përkufizimi personal sesa si një term i përcaktuar me standarte të përcaktuara mirë.

Por nga ana tjetër, arti nuk mundet të dalë jashtë vetes, jashtë të qënit i vërtetë, jashtë përshkrimit të realitetit që e rrethon.

Them se e vlerësoj piktoren në foto për talentin që ka për të pikturuar, por çfarë është piktura?!

Salvador Dali thoshte se “Unë nuk jam një piktor i mirë, sepse jam tepër inteligjent për të qënë një piktor i mirë!” dhe në atë intervistë rrjeshtonte piktorë që sipas tij pikturonin më mirë se ai. Por, çfarë donte të thoshte gjeniu i pikturës me këtë qëndrim?!

  • A vinte në dyshim që pikturat e tija ishin më pak të bukura apo më pak të arrira se kolegët e tij?!…
  • Patjetër që jo.

Piktorja në fjalë, është një piktore e mirë,
por piktura e saj për mua stonon.

Është njëlloj sikur të paraqesim Skënderbeun me tanga (apo mbathje), Nënë Terezën nudo, Adem Jasharin duke u masturbuar, apo Ismail Qemalin duke ngritur “Flamurin” e tij.

Sejcila nga këto ide mund të kenë qënë të vërteta, edhe Skënderbeu ka patur diçka të veshur poshtë brekusheve të veta, edhe Shenjtja Terezë ka bërë dush e paveshur, edhe Legjendari mund të ketë masturbuar ndonjëherë, ashtu siç edhe Ismail Qemali, por a ka të bëjë kjo me artin?!…

Ky duket më shumë një perversitet banal që ka si qëllim vetëm tërheqjen e vëmendjes, pa asnjë lloj mesazhi artistik, sadoqë mund të zbatohen parimet estetike e talenti ngjyrosës në pikturë.

E tillë duket edhe “vepra” në sfond.

Një kostum popullor që nuk lidhet aspak me traditën e tij.

Ne i njohim dhe eunukët e Ali Pashës, eunukët që vinin me anije që gjenden dhe në këngët popullore, ama, nga ana tjetër, e dimë shumë mirë dhe se ata nuk përfaqësonin kulturën autoktone por përshkruhen me veshje osmane.

Ne e dimë shumë mirë dhe se brezi i burrave nuk duhet ngatërruar me ngjyrat e shumëllojshme të qemerit të femrave.

“artistja” -nëse mund ta quajmë të tillë- ka arritur të ngacmojë vëmendjen e të shkaktojë reagime, por ky nuk duhet të ishte i vetmi qëllim i një Artisteje të vërtetë.

Kjo pikturë është një vepër e pikturuar mirë, por jo një pikturë e mirë, sepse del jashtë kulturës së vet, jashtë realitetit të vet, deri në shpërbërje të veshjes kombëtare e traditave për të cilat kanë shkruar dhe etnologë, historianë e antropologë të huaj. Durham, Hann, Nopçe e të tjerë do skandalizoheshin nga ky imazh që nuk i përfaqëson ata që e kanë veshur qeleshen e Bardhë.

Shënim: Opinioni i mësipërm është i autorit të shkrimit dhe jo domozdoshmërisht përkon me politikat redaksionale të Perqasje.com

Share: