U mbushën 77 vjet nga gjenocidi grek ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë, spastrimit etnik të krahinës e kolonizimit të saj.
Në periudhën 27 qershor 1944-13mars 1945 mëse 35.000 shqiptarë të fesë myslimane u depërtuan me dhunë në shtetin amë, Shqipëri, ndërsa popullsia shqiptare ortodokse në Çamëri iu nënshtrua politikës së helenizimit nëpërmjet administratës shtetërore greke, kishës dhe shkollës. Mbështetur në dinamikën demografike sot mëse 300.000 shqiptarë të krahinës së Çamërisë jetojnë në shtetin amë, në Shqipëri, rreth 100.000 shqiptarë të fesë ortodokse jetojnë në vendbanimet e tyre në Çamëri, e me dhjetëra mijëra të tjerë në Turqi, SHBA e në diasporë.
- Parashtrimi Historik
Në këtë kumtesë në mënyrë të sintetizuar do të parashtrojme ecurinë e problemit çam që nga zanafilla e tij, si dimension i çështjes kombëtare dhe gjendjen aktuale dhe perspektivën e zgjidhjes së këtij problemi.
Revolucioni francez i fundit të shek. XVIII u zhvillua nën flamurin e nacionalizmit e krijoi mundësi për të përfunduar procesin e krijimit të shteit komb, nëpërmjet bashkimit kombëtare, për popujt e copëtuar apo çlirimin kombëtar për popujt që ishin nën sundimin e perandorive koloniale. Në këtë sfond kohor në trojet e Ballkanit lindin e zhvillohen lëvizjet nacionale kundër zgjedhës osmane.
Në këto rrjedha ishte edhe lëvizja çlirimtare shqiptare, e cila momentin kulmor e arriti me Lidhjen e Prizrenit. Pas katër shekuj robërie, ajo shënoi përpjekjen e parë serioze për të krijuar shtetin autonom shqiptar. Fuqitë e Mëdha nuk e njohën autonominë e trojeve shqiptare, përkundrazi lejuan përdorimin e dhunës për shtypjen e shpërndarjen e Lidhjes së Prizrenit.
Ishte pikërisht ky sfond historik që stimuloi platformat e veprimit shovinist antishqiptar të shteteve fqinjë.
Në këtë kuadër, në platformën e Megallo-Idesë ishin të mëshiruara synimet revanshiste greke për aneksimin e Çamërisë e gjithë Shqipërisë se Jugut.
Në Ballkan u vu re prirja që shtetet kombëtare të rriteshin në kurriz të kombeve më të vegjël.
Deri në shpalljen e pavarësisë Camëria, si pjesë e vilajetit të Janinës, bënte pjesë në të njëjtin shtet si dhe vilajetet e tjera të banuara nga shqiptarët dhe i nënshtrohej rregullave administrative dhe pushtetit ligjor të shtetit osman. Lëvizja patriotike në Çamëri ishte pjesë përbërëse e lëvizjes kombëtare. Në këtë periudhë etno-nacionalizmi shqiptar në asnjë rast nuk ka patur karaker agresiv.
Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, me Luftrat Ballkanike, rënien e Janinës më 6 mars 1913 e pushtimin e Çamërisë, fillon një kryqëzatë e egër e shovinistëve grekë, të cilët nuk u mjaftuan vetëm me Çamërinë, por donin të aneksonin edhe territore të tjera të Shqipërsë së Jugut.
Intrigat greke ishin të pandërprera në prag dhe gjatë Luftës së Parë Botërore. Sidomos në fund të kësaj lufte shovinistët grekë ishin ndër aktorët kryesorë që këmbëngulnin për zbatimin e Traktatit të Londrës (1915) që parashikonte copëtimin e Shqipërisë.
Në periudhën 1913-1945 shovinistët grekë i dhanë përparësi politikës së dhunës dhe spastrimit etnik të krahinës nga shqiptarët e besimit mysliman. Programi i spastrimit etnik dhe shkombëtarëzimit të krahinës u finalizua në fundin e Luftës së Dytë Botërore. Më 27 qershor 1944 forcat e Lidhjes Kombëtare Republikane greke (EDES) të gjeneralit famëkeq Napolon Zerva hyjnë në qytetin e Paramithisë dhe vranë mbi 600 shqiptarë myslimanë, gra, burra, fëmijë, pleq, të cilët i përdhunuan dhe torturuan para vdekjes.
Gjatë fushatës së spastrimit etnik në vitet, qershor 1944 – mars 1945, u vranë mbi 2900 qytetarë të pafajshëm. Reprezaljet e Paramithisë, Pargës, Karbunarit, Filatit, Spatarit, etj. provokuan eksodin biblik të popullsisë çame, i cili të kujton eksodin biblik të hebrejve, ndodhur rreth 3000 vjet më parë.
Spastrimi etnik i Çamërisë krijoi precedentin e rrezikshëm të spastrimeve etnike në Ballkan, si ne rastin e shpërbërjes se ish-Jugosllavisë. Ai ndryshoi dukshëm balancën etnike dhe demografike në raportet Greqi-Shqipëri, në favor të grekëve dhe krijoi një problem që rëndon edhe sot e kësaj dite në ndërgjegjen e popullit shqiptar. Në këtë kuptim Levizja Kombëtare Shqiptare është një mision i papërfunduar. - Akademia e Studimeve për Çamërinë
Sot pas 30 viteve kur janë krijuar kushtet për organizimin politik e shoqëror të komunitetit çam, shtrohet me një forcë të veçantë teza e konceptimit dhe parashtrimit historik, politik dhe diplomatik të çështjes Çame. Megjithëse janë mbajtur tubime shkencor, janë botuar monografi e artikuj rreth problemit Çam, ato në përgjithësi kanë patur inkoherencë dhe karakter diskriptiv, larg parametrave shkencor që kërkon koha dhe koncepteve moderne te shkrimit akademik për historinë dhe politiologjenë. Lidhur me këtë problem jo vetëm të huajt, por edhe vetë shqiptarët kanë një informacion tepër anemik (të kufizuar) për Çamërinë dhe të kaluarën historike të saj. Për më tepër propaganda dhe botimet e qarqeve shoviniste greke kanë synuar të shtrembërojnë e të tjetërsojnë historinë e Çamërisë duke i paraqitur çamët herë si turq e herë si bashkëpunëtorë të fashizmit. Në këtë kuadër kohët e fundit Akademia e Shkencave e Athinës ka botuar librin: “Epiri – 4000 vjet histori dhe kulturë helene”.
Ka ardhur koha që të bëhet objekt i analizave të thelluara, të argumentuara dhe të faktuara, çështje të tilla si: autoktonia iliro-epirote dhe vazhdimësia arbëroro-shqiptare e popullsisë në Çamëri, kontributi i popullsisë çame në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, gjendjen politike, ekonomike e shoqërore në vitet 1912-1940, lufta antifashiste e viteve 1941-1944, gjenocidi shovinist grek, situata e viteve 1945-1949, eksodi i popullsisë myslimane çame në Shqipëri etj. Për të realizuar studime të tilla kërkohet një punë me pasion e përkushtim patriotik e profesional, botimi i dokumenteve shqiptare e të huaja, komunikimi me ambiente politike e akademike të huaja, me institucione studimore amerikane e europiane, të cilat kanë ndikim të shumëanshëm në administratat shtetërore dhe politikat kombëtare.
Për këtë qëllim një grup intelektualësh dhe studiuesish kohët e fundit kanë themeluar “Akademinë e Studiuesve për Çamërinë (ASÇ)” me qëllim që të japin një shtysë të re, të fuqishme studimeve në fushën e historisë dhe trashgimisë kulturore të komitetit çam, si pjesë e rëndësishme e kulturës së popullit shqiptarë, duke përcjellë mesazhe të bashkëjetesës e mirkuptimit midis popujve të Ballkanit.
Para së gjithash, ne shpresojmë dhe besojmë që institucionet shkencore të shtetit shqiptar si Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Studimeve Alabanologjike, profesorë e studiues në Universitete, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni e Veriut, të programojnë me përparësi dhe të organizojnë studime të mirëfillta në fushën e historisë, politologjisë, trashëgimsë etnokulturore të Camërisë, etj.
Në kushtet e zhvillimeve të sotme botërore, globalizimet dhe integrimeve, ndarjes ndërkombëtare të punës, këto studime duhet të ofrojnë rrugë (opsione) e alternativa për zgjidhjen e çështjes Çame. Zgjidhja e problemit të Tartarëve të Krimesë, problemit të Istrias midis Italisë e Kroacisë, problemit të Tirolit Jugor (Trento Aldo Adixha), midis Austrisë e Italisë, janë shembuj që duhen konsideruar.
Me qënëse hapja e negociatave dhe proçesi i integrimit te Shqipërisë në Bashkimin Europian do të vijojë për disa vite, Çështja Çame nuk mund të mbetet në “grackën” e integrimit. Tragjedia e populsisë çame nuk pranon më neglizhencën dhe heshtjen. Sot pas 77 vitesh, popullsia çame në Shqipëri me simbolin e degës së ullirit dhe lisit të Dodonës, kërkon kthimin në pronat e veta duke u trajtuar njëlloj si minoriteti grek në Shqipëri apo si shqiptarë në Greqi.
Çështja Çame në rrafshin e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut nuk mund të shndërrohet në një përparësi të lojës politike apo llogarive elektorale për të cilën jepen apo nuk jepen vota të mjaftueshme.
Beteja për garantimin e të drejtave dhe lirive të popullsisë çame, riatdhesimi dhe kthimi i pronave, duhen të jenë pjesë e intesifikimit të politikave të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit midis dy shteteve fqinje, e gjetjes së hapësirave adeguate në marëdhënien dypalëshe dhe shumëpalëshe dhe tratimit të çdo paqartësie me proçedura të mirëfillta juridike dhe gjyqsore. - Eurorajoni i Detit Jon (Sarandë-Janinë-Prevezë).
Sfida e zhvillimit rajonal dhe subrajonal, funksionimi i ekonomisë së tregut dhe integrimi Europian e bëjnë të domosdoshme bashkëpunimin ndërkufitar veçanërisht në vendet e Ballkanit Perëndimor. Forma më e njohur e më e suksesshme e institucionalizimit të bashkëpunimit ndërkufitar është Eurorajoni.
Eurorajoni është një nga tipat e zonave kufitarë të Bashkimit Europian në të cilat barrierat kufitare nuk pengojnë flukset e bashkëpunimit ndërkufitar dhe integrimin social -ekonomik e kulturor të zonave ndërkufitare. Strategjia e përbashkët e zhvillimit territorial shprehet në krijimin e një strukture legale të bashkëpunimit të bizneseve, bashkëpunimit midis universiteteve, sektorit të kulturës etj. Në kushtet e bashkëpunimit ndërkufitar në një mjedis në kufij të hapur në kushtet e integrimeve e liberalizimit e krijimit të Eurorajoneve për vetëqeverisje janë e duhet të jenë të interesuar si ulqinakët, ashtu edhe preshevarët, tetovarët, sarandiotët e filaqotët.
Duke njohur kufijtë e shteteve dhe traktatet bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare ne na duhet të parashtrojmë dhe artikulojmë kërkesat dhe të drejtat tona. Sipas modeleve të njohura në Europën Lindore dhe Juglindore të bazuara në zhvillimin e “zonave të gjelbra” ndërkufitare shteti shqiptar duhet t’i parashtrojë palës greke nevojën e bashkëpunimit ndërkufitar e krijimit të Eurorajonit të Detit Jon (Sarandë-Janinë-Prevezë).
Rajoni i Epirit (Çamërisë) në 76 vjetët e fundit është shpopulluar seriozisht si rezultat i shpërnguljes së dhunshme të popullsisë shqiptare myslimane dhe eksodit rural nga fshati në qytetet e mëdha dhe në botën e jashtme. Sipërfaqe të mëdha toke, pronë të shqiptarëve, që dikur kanë qenë të kultivuara apo kullota për blegtorinë janë degraduar e dezertifikuar.
Riatdhesimi i popullsisë çame në trojet e veta në Thesproti dhe në rajone të tjera të Epirit të Jugut, pra në Çamëri, kthimi i pronave, etj. do ta përmirësonte në mënyrë të ndjeshme situatën demografike dhe ekonomike të kësaj krahine. Shqiptarët e riatdhesuar do të ishin shumë të interesuar për zhvillimin dhe prosperitetin e krahinës dhe do të kishin vullnetin për të arritur këto qëllime. Ata do të integroheshin shumë shpejt në proceset e ndarjes shoqërore gjeografike të punës dhe do të kontribuonin në zhvillimin e prosperitetin e Rajonit.