Home Gjeo-Ekonomia Raporti i DASH: Klima e bërit biznes në Shqipëri, e vështirë! Problem...

Raporti i DASH: Klima e bërit biznes në Shqipëri, e vështirë! Problem janë korrupsioni, informaliteti, PPP dhe pronat

Departamenti Amerikan i Shtetit në një raport për klimën e të bërit biznes në Shqipëri për vitin 2021, e konsideron atë, të vështirë.

Në raportin e DASH thuhet se pavarësisht se ka një kornizë të mirë ligjore dhe përparim në reformën elektronike, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes.

Ata përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik, konkurrencën e pandershme, informalitetin, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri.

Po ashtu përmendet edhe përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat (PPP), si një faktor që ka zvogëluar mundësitë për konkurrencë, përfshirë investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.

“Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave informale të biznesit. Disa investitorë nga SH.B.A janë përballur me mosmarrëveshje tregtare si me ente publike dhe private, duke përfshirë disa që përfunduar në arbitrazh ndërkombëtar”, citohet më tej në raport

Po ashtu, nënvizohet edhe fakti që: Të drejtat për pronën vazhdojnë të jenë një sfidë në Shqipëri. Ka pasur raste që individë dyshohet se manipulojnë sistemin gjyqësor për të marrë pronësinë në mënyrë të paligjshme të tokës.

Indeksi i organizatës Transparency International, për sa i përket korrupsionit e renditi Shqipërinë në vendin e 104-të nga 180 vende, një përmirësim me dy vende nga viti 2019.

Por Shqipëria ra 19 vende në studimin e Bankës Botërore për të bërit biznes në 2020, duke u renditur e 82-ta, nga e 63-ta që ishte në 2019.

Edhe pse ky ndryshim mund ti atribuohet pjesërisht zbatimit të një metodologjie të re, raporti i DASH thotë se Shqipëria vazhdon të ketë rezultate të dobëta në fushat e dhënies së lejeve të ndërtimit, pagimit të taksave, zbatimit të kontratave, regjistrimit të pronës, etj.

Raporti i plotë

Top Channel

Share: