Home KRYESORE DOZË E TRETË APO INFEKTIM NGA DELTA?!

DOZË E TRETË APO INFEKTIM NGA DELTA?!

Nga Erion Dasho

Ndërsa varianti delta i SARS-CoV-2 i ka ngatërruar keq “rregullat e lojës”, një ide radikale po qarkullon midis shkencëtarëve dhe specialistëve të shëndetit publik në Britaninë e Madhe.

NË VEND TË RENDJES PAS DOZËS SË TRETË, TË KATËRT, E KËSHTU ME RADHË, PERSONAT E VAKSINUAR QË NUK U PËRKASIN GRUPEVE NË RISK TË LIHEN TË LIRË DHE NJË INFEKTIM I MUNDSHËM ME VARIANTET E REJA TË COVID-IT TË MOS TRAJTOHET SI KATASTROFË APO TRAGJEDI!

Ky përafrim interesant dhe, deri diku radikal e meriton të analizohet me kujdes dhe hap pas hapi.

Është e qartë se aftësia e SARS-CoV-2 për të ndryshuar e tejkaloi shpejtësinë e programeve të vaksinimit. Varianti delta arrin t’i shpëtojë imunitetit duke shkaktuar si riinfektime, ashtu edhe të ashtuquajturat “infeksione depërtuese”.

Ishte pikërisht kjo situatë shqetësuese që detyroi autoritetet e shëndetit publik të diskutojnë për dozën e tretë të vaksinës anti-COVID, madje një numër vendesh kanë deklaruar tashmë kalendarin e vaksinimit me këtë dozë.

Paralelisht dhe pashmangshmërisht nisi edhe diskutimi i një sërë problemesh lidhur me dozën e tretë, mes të cilëve do të veçoja:

》Problemi i parë është i natyrës etike. Ndërsa vendet e pasura po synojnë dozën e tretë, vendet e varfëra nuk kanë arritur ende të sigurojnë sasi të mjaftueshme të vaksinës. Në këto vende përqindja e popullatës së vaksinuar luhatet midis 10 dhe 20%.

》Sigurisht që shqetësimi i kalon kufijtë e etikës duke sjellë në vëmendje problemin e dytë. Sa më shumë të qarkullojë virusi, aq më tepër rriten gjasat për t’u shfaqur variante të reja të rrezikshme. Sikundër varianti delta u shfaq në Indinë e pavaksinuar, kush garanton se në Afrikë nuk do të shfaqet varianti shqetësues i radhës?! Një nga parimet bazë të shëndetit publik thotë se një i pasur nuk mund të ketë shëndet të mirë përsa kohë fqinji i vet i varfër vuan. Pandemia e ilustroi më së miri këtë parim në nivel global.

》Problemi i radhës është ekonomik. Një shtet qindra milionësh si SHBA apo dhjetëra milionësh si Gjermania kanë nevojë për burime të jashtëzakonshme që të garantojnë një program vaksinimi permanent. Nëse SHBA-të do t’i ofronin gjysmës së popullatës një dozë të tretë vaksine, kostoja e këtij operacioni do të ishte dhjetëra miliardë dollarë. 150 milionë doza Pfizer ose Moderna do të kushtonin midis 2 dhe 3 miliardë dollarë, ndërkohë që kostot e admimistrimit të vaksinave mund të shkojnë lehtësisht në 20 apo 30 miliardë dollarë të tjerë. A mund të përballohet një shumë e tillë shpenzimesh shëndetësore ekstra çdo vit?! Sa kosto-efektiv do të ishte një shpenzim i tillë?!

》Problemi i katërt, por jo i fundit, ka lidhje me besimin e qytetarëve. Në vende të ndryshme, përqindje të popullsisë që shkojnë deri në 50% kanë refuzuar ta kryejnë vaksinën. Një nga arsyet e referuara është mosbesimi në efektshmërinë e saj. Diskutimi rreth dozës së tretë apo të katërt, nuk bën gjë tjetër veçse hedh më shumë benzinë në zjarrin e mosbesimit dhe shton radhët e skeptikëve, ndërkohë që ka të dhëna të pamohueshme për efektshmërinë e vaksinës.


Fatmirësisht, duke vëzhguar përvojën e Europës Perëndimore dhe SHBA-ve gjatë përballjes me variantin delta konstatohen edhe disa të dhëna tepër interesante dhe shpresëdhënëse.

Në SHBA, midis 160 milionë të vaksinuarve pati rreth 1,500 vdekje, ose një në 110 mijë të vaksinuar. Përllogaritjet e ekspertëve flasin se rreziku i një personi për të humbur jetën nga COVID-i ulet me 25 herë nëse personi është i vaksinuar.

E njëjta situatë u konstatua edhe në Gjermani, Francë, Itali, Spanjë, etj. ku ndonëse numri i rasteve të infektuar me delta është në rendin e mijërave apo dhjetëra mijërave, numri i vdekjeve është në nivelin e dhjetërave.

Në këto kushte, një grup shkencëtarësh britanikë kanë hedhur hipotezën:

“Në vend që të shpenzohen çdo vit miliarda në fushata vaksinimi, a mos është më mirë që dozat rikujtuese të vaksinës t’u administrohen vetëm personave në risk, ndërkohë që të rinjve dhe fëmijëve t’u mundësohet forcimi natyral i imunitetit duke i lënë të përballen direkt me COVID-in (sigurisht pasi të jenë vaksinuar me dy doza vaksine)?”

Ideja e forcimit inkremental dhe natyral të imunitetit në raport me COVID është një ide e sapohedhur, studimi i të cilës do të kërkojë ende shumë kohë dhe mund.

Sidoqoftë, kjo është një strategji që meriton të ndiqet me vëmendje nga politikëbërësit dhe specialistët e shëndetit publik. Në fund, do të jetë koha që do të provojë vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e saj…

Share: