Nga Dr. Erion Dasho
Teoritë No-Vax dhe Anti-Vax vazhdojnë të pengojnë programet e vaksinimit edhe në Shqipëri. Sot, kur qytetarit shqiptar i paraqitet mundësia për t’u vaksinuar duke zgjedhur midis Pfizer dhe Astra Zeneca, refuzimi për t’u vaksinuar është gabim i madh, pasi rrezikon direkt shëndetin dhe jetën!
Nuk po them se shqetësimet e atyre që refuzojnë të vaksinohen duhen injoruar. Përkundrazi! Çdo shqetësim i çdokujt që kujdeset për shëndetin e vet duhet trajtuar me seriozitetin më të madh!
POR! Në një situatë pandemie si kjo që po përjetojmë sot, të refuzosh vaksinimin do të thotë të heqësh dorë nga e vetmja mundësi për të ulur (jo për të eliminuar) infektimin, komplikacionet dhe vdekjen nga COVID!
Sigurisht që shqiptarët kanë të drejtë të ndihen të mashtruar dhe të lënë pas dore nga një qeveri, ministri dhe komitet i papërgjegjshëm që e ktheu Shqipërinë në një skenë filmi horror gjatë dimrit të kaluar dhe bëri që shqiptarët të kishin një ndër shkallët më të larta të vdekshmërisë në botl.
Kanë të drejtë të ndihen të lënë pas dore kur kryeministri i tyre delirant priste parti të papërfillshme të vaksinës Pfizer dhe në vend që t’ua ofronte ato mjekëve, hynte i pari në radhë për t’u vaksinuar. Kurse shqiptarëve u ofroi një vaksinë që ende edhe sot nuk dihet se çfarë efektiviteti dhe çfarë sigurie ka! Më pas, i njëjti e ktheu vaksinimin nga një proces jetëshpëtues në një farsë elektorale!
Por, sot çdo shqiptar që nuk e ka kaluar infeksionin ose që është vaksinuar me vaksina të pasigurta, duhet të kërkojë të vaksinohet me një vaksinë cilësore. Jo për Edi Ramën, Manastirliun apo Najadën, por për jetën dhe për shëndetin e vet.
Ky është informacioni më i besueshëm dhe më i saktë që kemi sot. Vaksina shpëton jetën!