Nga Azem PARLLAKU
Qëllimet e terrorizmit janë politike, për destabilizimin e një shoqërie por edhe për hakmarrje. Ato kanë çuar në themelimin e organizatave të ndryshme të cilat më pas nëpërmjet mesazheve të tyre me karakter politik ose fetar ngjallin frikë dhe panik në radhët e popullsisë. Shumë nga idetë politike të instrumentalizuara nga organizata terroriste për të justifikuar veprimet e tyre, e bëjnë këtë të keqe bashkëshoqëruese të çdo ideologjie.
Analiza e pikëpamjeve të qeverive ose studiuesve të ndryshëm mbi këtë temë, tregon se nuk ka përputhje mendimi se c’ështe terrorizmi. Por gjithësesi, duket se ekziston njëfarë bashkëpajtimi në lidhje me disa përbërës sic është natyra e aktit (akt i paligjshëm); me autorët e tij (individë, grupe, apo shtete); qëllimet e tij (politike, ekonomike, shoqërore); motivimet dhe përfundimet e synuara nëpërmjet tij (ngjallja e frikës, apo e ligështimit); objektivat (viktimat); dhe metodat (goditja, pengmarrja). Mbi bazën e elementeve të mësipërme terrorizmi mund të përkufizohet si;
Përdorim i llogaritur i dhunës, ose i kanosjes për përdorim të saj, nga individë, grupeve të segmenteve të një vendi, ose veprimtarë shtetërorë, për arritjen e objektivave politikë, shoqërorë e ekonomik, në kundërshtim me ligjin.
Këto akte kanë për qëllim të krijojnë frikë masive në një zonë të vënë në shënjestër, që është shumë më e gjërë, se ajo ku u sulmuan, apo u kërcënuan viktimat. Dhe dy janë shënjestrat, popullsinë ose dikasteret e rëndësishme të një shteti.
Shumë ide politike janë instrumentalizuar nga organizata terroriste për të justifikuar veprimet e tyre. Si rrjedhojë grupe terroriste eksitojnë në çdo ideologji.Terrorizmi rezulton në të mbledhurit e frikës brenda njerëzve, nëpërmjet mënyrave të dhunës. Ai është të përdorurit e mjeteve internacionale dhe të organizuara që, natyrisht të shkaktojnë frikë për të arritur qëllime të veçanta. Terrorizmi është akt i tmerrshëm barbarist, që ju kundërvihet rregullave të shoqërisë, dhe thyen nderin e njeriut.
“Terrorizmi” vjen nga fjala franceze “terrorisme” dhe në fillim i referohej në mënyrë specifike terrorizmit shtetëror siç u praktikua nga qeveria franceze gjatë Mbretërimit të Terrorit 1793-1794.Fjala franceze “terrorisme”nga ana e saj rrjedh nga folja latine “terreo”, që do të thotë “frikësoj”.
“Terror cimbricus” ishte një panik dhe gjendja e jashtëzakonshme në Romë në përgjigje të afrimit së luftëtarëve të fisit Cimbri në 105 para Krishtit. Jakobinët e përdorën këtë precedent, kur vendosën një regjim terrori gjatë Revolucionit Francez. Pas humbjes së pushtetit nga Jakobinët, fjala “terrorist” u bë një term i abuzimit.
Edhe pse “terrorizmi” fillimisht i referohej akteve kryer nga një qeveri, aktualisht e më zakonshëm i referohet vrasjes së njerëzve të pafajshëm për qëllime politike në mënyrë të tillë që të krijojë një spektakël mediatik.
Në nëntor 2004, një raport i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara e përshkronte terrorizmin si çdo akt “që ka për qëllim të shkaktojë vdekje ose lëndime të rënda trupore ndaj civilëve apo jo luftëtarëve me qëllim të frikësimit të popullatës apo për ti imponuar një qeverie apo një organizate ndërkombëtare për të bërë ose për të mos bërë ndonjë akt”.
Në analizë të këtyre definicioneve, dhe në vështrim të shkallëvetë tyre të specifikimit, për t’a deklaruar një akt se a është terrorizëm, do të vish në përfundim se të gjitha këto përshkrime dështojnë që ta sqarojnë në mënyrë kategorike konceptin e terrorizmit. Këto definime ose janë shumë të gjëra ose janë shumë precize, apo jo mjaft të gjëra apo jo mjaft precize, dhe dallimet në definimin e terrorizmit vihen nga pikpamje të ndryshme, interesa dhe ideologji të ndryshme që ekzistojnë në shtete të ndryshme.
Secili shtet e sqaron terrorizmin në pajtueshmëri me politikën dhe interesat e tij pa marrë parasysh se a përputhet definicioni me domethënien e saktë të terrorizmit, apo, se a e kundërshton atë. Për këtë arsye do të gjesh një akt të kryer nga një grup ose individ që përshkruhet si “akt terrorist” ndërsa në një rast do të gjesh një akt tjetër të ngjashëm, ndoshta edhe më barbarik që gjykohet nga të tjerët se nuk konsiderohet terrorizëm.
I konsideruar si një e keqe e kohës sonë, terrorizmi po dëshmon se, asnjë prej nesh nuk ka imunitet ndaj tij. Ngjarjet e ndodhura herë pas here të cilat shoqërohen me humbje të jetëve njerëzore, dëshmojnë se: terrorizmi prek të gjitha shtetet, të mëdha dhe të vogla, të pasura apo të varfra qofshin ato. Ai vepron ndaj personave të cdo moshe, mbi pasurinë, kulturën dhe fenë e vërtetë.
Në Kabulin që na solli në vëmendje terrorin kur bota endne është nën kthetrat e pandemisë u vranë ranë 170 persona, mes tyre 13 ushtarë amerikanë. Numri i viktimave, koha, e vendi i zgjedhur, sollën si të re efektin socologjik të kësaj të keqe të kohës sonë.
Në ditët e fundit, opinionbërësit e kanë trajtuar këtë fenomen dhe pothuaj tek gjithë, ekziston njëfarë bashkëpajtimi në lidhje me disa përbërës siç është natyra e aktit (akt i paligjshëm); me autorët e tij (individë, grupe, apo shteti); qëllimet e tij (politike, ekonomike, shoqërore); motivimet dhe përfundimet e synuara nëpërmjet tij (ngjallja e frikës, apo e ligështimit); objektivat (viktimat); dhe metodat (goditja).
A është Shqipëria objekt i sulmeve terroriste dhe përse?!
Po të kihen parasysh ideologjia dhe synimet e terrorizmit, vendi ynë nuk kërcënohet vetëm në sensin e luftës globale që bëjnë terroristët, por dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë. Shqipëria ashtu sikurse cdo vend tjetër nuk është e shmangur nga rreziku i goditjes, goditja mund të vijë në çdo kohë.
Arsyet e goditjes së vendit tonë nga terrorizmi, janë nga më të ndryshmet, më kryesisht ato kanë të bëjnë me disa nga faktet e shtruara si më poshtë;
Shqipëria nëpërmjet politikës së Jashtme dhe nëpërmjet Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, është e angazhuar drejtpërdrejtë në luftën kundër terrorizmit global.
Vendi ynë ka përkrahur politikat e Kombeve të Bashkuara për përmirësimin e gjendjes së sigurisë në Lindjen e Mesme, e në këtë kuadër kontriboi me trupa ushtarake në mbështjtjen e paqes në Irak dhe Afganistan.
Synimet e terrorizmit fondamentalist si ai i luftës për krijimin e shtetit të përbotshëm fetar, lufta kundër amerikanëve, izrealitëve dhe përkrahësve të tyre, e shënjestrojnë Shqipërinë si vend të goditjes.
Të gjitha besimet më të mëdha të botës, induizmi, krishtërimi, judaizmi dhe islamizmi, kanë lindur në të njejtin rajon të Lindjes së Mesme e të Afërt. Qëllimi i këtyre besimeve nuk ka pse të jetë, ai i burgosjes së mendjes dhe i shtypjes së emocioneve nëpërmjet frikës dhe ndjenjës së fajit. Në mënyrë të pabesueshme në harkun e dhjetvjecarëve të fundit, miliona njerëz kanë rënë e po bien në grackën e shtypjes emocionale dhe burgut mendor. Në këtë kontekst fatkeqësisht krahas misionarve të paqes në Lindje të Mesme, ka plot shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, që janë rreshtuar në falangat terroriste kryesisht në Siri.
Në Shqipëri janë miratuar akte ligjore dhe nënligjore, e në vazhdimësi promovohen masa të cilat kanë si qëllim të ndalojnë veprimtarinë e elementëve radikal dhe strukturave që mbështesin terrorizmin.
Bashkëjetesa fetare ndërmjet shqiptarëve, zhvillimi i besimeve fetare në mënyre paqësore, duke respektuar traditën dhe kulturën e tyre shekullore, janë një fakt i papranueshëm për radikalët islamikë dhe mbështetësit e tyre.
Lidhjet ndërkombëtare të grupeve të ndryshme terroriste, u japin atyre mundësinë e bashkëveprimit në rajone e shtete të ndryshme, e në këtë kontekst dhe vendi ynë mund të jetë i përfshirë brenda këtyre interesave.
Shqipëria është anëtare e NATO-s, dhe po punon për të plotësuar detyrimet për t’u anëtarësuar në BE, ky është një fakt tjetër i papëlqyeshëm për terroristët.
Zhvillimi i ulët ekonomik, korrupsioni, mungesa e kontrollit të plotë të kufijve, mund të shfrytëzohen nga terroristët kryesisht ato ndërkombëtarë, të cilët e çmojnë bashkëpunimin me rrjetet e brendshme kriminale, me qëllimin e krijimit të bazave të strehimit për veprimet e tyre.
Sot Shqipëria është përfshirë në debate të shumta që lidhen me strehimin e shtetasve afganë që e lanë atdheun e tyre në dorën e talebanëve. Institucionet qeveritare në Shqipëri kanë vënë theksin se afganët që sillen këtu nuk janë aspak të rrezikshëm.
Në Shqipëri sot kemi një grup shumë të madh muxhahedinësh në Manzë, të cilët vazhdimisht janë referuar që kanë ngacmime nga shërbimet e Iranit. Madje në Shqipëri janë arrestuar njerëz të tillë. Ardhja e një pjese tjetër siç janë afganët na dyfishon kërcënimet.
Vendimi i Shqipërisë për të strehuar qindra afganë, të cilëve u rrezikohet jeta nga talebanët, ka gjetur mirënjohjen e SHBA-së. Diplomatja Yuri Kim, Komiteti i Senatit Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Ish Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright kanë shprehur një zëri se janë krenar që Shqipëria është mike dhe aleate e SHBA-së, pasi në raste të rëndësishme populli shqiptar gjendet gjithmonë pranë amerikanëve për shpëtimin e jetëve.
Skenat dëshpëruese të njerëzve që kapen pas avionëve që ngrihen nga aeroporti i Kabulit kanë thelluar ankthin e Evropës mbi një krizë të mundshme refugjatësh. SHBA dhe aleatët e saj të NATO-s po përpiqen të evakuojnë me mijëra afganë, të cilët kanë frikë se do të ndëshkohen nga talebanët për bashkëpunimin me forcat perëndimore. Por afganët e tjerë nuk ka gjasa të gjejnë të njëjtën mikpritje.
Dështimi, ankthi dhe dëshpërimi, duhet të n’a mbajnë zgjuar gjithësesi.