Nga. Dr. Enriko Ceko
Dhuna është përdorimi i forcës fizike për të dëmtuar, abuzuar, dëmtuar ose shkatërruar. Sipas OBSH, dhuna është “përdorimi i qëllimshëm i kërcënimeve dhe forcës fizike kundër vetvetes, një personi tjetër ose kundër një grupi ose komuniteti, me gjasa që të rezultojë në lëndime, vdekje, dëmtime psikologjike, keqzhvillim ose privim nga të drejta të ndryshme”.
Dhuna shpesh është rezultat i faktorëve të modifikueshëm të tillë si varfëria, pabarazia në të ardhura, mungesa e kushteve të qendrueshme ekonomike dhe e zhvillimit, gjendja e paqendrueshme politike dhe sociale, etj.
Dhuna në rastin më të kompletuar të saj mund të kthehet në një revolucion, i cili është një ndryshim themelor në fuqinë politike dhe organizimin politik të një territori e popullsie dhe ndodh kur shumica e banorëve të një vendi revoltohen kundër qeverisjes, pasi ata mendojnë se mbi ta rëndojnë shtypja politike, shoqërore dhe ekonomike. Aristoteli pranonte dy lloje të revolucioneve. Revolucione qe sjellin ndryshime të plota të kushtetutës dhe revolucione qe sjellin modifikime të saj.
E tërë historia botërore është e mbushur me revolucione, që dallojnë nga njëri tjetri për nga metodat e ndjekura, kohëzgjatjet dhe ideologjitë motivuese, por në fund të fundit, pothuajse të tëra këto revolucione kanë sjellë si rezultat ndryshime të mëdha në jetën dhe institucionet politike, ekonomike dhe social-kulturore, si përgjigje ndaj diktaturave, autokracive, delirantizmit dhe delinkuentizmit në pushtet.
Në thelb, aktet e dhunës dhe revolucionet kanë të bëjnë me prodhimin, shpërndarjen dhe rishpërndarjen e të ardhurave dhe mirëqenies.
Procesi i prodhimit, që lidhet me përdorimin e burimeve njerëzore, financiare dhe natyrore, për realizimin e produkteve dhe shërbimeve, ka të bëjë me atë se cilët janë ata që janë të përfshirë në këtë proces si vendim marrës dhe si realizues të produkteve dhe shërbimeve.
Procesi i shpërndarjes dhe procesi i rishpërndarjes së të ardhurave dhe mirëqenies kanë të bëjë që të dy me atë se cilët janë ata që kanë të drejtë të marrin vendime në lidhje me procesin e shpërndarjes dhe cilët janë përfituesit e drejtpërdrejtë dhe jo të drejtpërdrejtë të këtyre dy proceseve.
Procesi i shpërndarjes së të ardhurave dhe mirëqenies është procesi i përfitimit në mënyrë të drejtpërdrejtë të të ardhurave dhe mirëqenies që vjen nga procesi i prodhimit.
Procesi i rishpërndarjes së të ardhurave dhe mirëqenies është procesi i transferimit të të ardhurave dhe mirëqenies nga disa individë tek të tjerët me anë të mekanizmave shoqëror të tillë si taksimi, shërbimet publike, reformat për titujt e pronësisë, politikat monetare, konfiskimet, etj.
Është e kuptueshme se në lidhje me këto aspekte, në pothuajse të tëra vendet e botës ka të kënaqur dhe të pakënaqur. Kur shumica e njerëzve janë të kënaqur me prodhimin, shpërndarjen dhe rishpërndarjen e të ardhurave dhe mirëqenies ka mundësi që vendi të ecë përpara dhe ekonomia të zhvillohet dhe të bëhet e qendrueshme. Po ashtu dhe jeta sociale. Në të kundërt, dhuna dhe revolucioni nuk janë të papritur, pasi shumica e njerëzve e ndjejnë vehten viktima të padrejtësisë dhe diskriminimit.
Si rezultat, është e dukshme se është qeveria ajo e cila ka për detyrë që, për të shmangur pabarazinë, të bëjë të mundur që subjektet publike dhe private, në pozitën e punëdhënësit, t’u paguajnë të gjithë punonjësve një pagë dinjitoze për të jetuar dhe jo thjesht një pagë minimale për të mbajtur të pandryshuar nivelin e varfërisë.
Pra, është e dukshme se duhet të ecim përtej sistemeve politike, ekonomike dhe social-kulturore aktuale drejt sistemeve të tjera, të reja, që, mbështetur në etikën dhe parimet e qarta ekonomike, të shmangin modelet e interesave speciale.
Këto sisteme të reja ofrojnë mundësitë e barabarta, trajtim të individëve të një popullsie në mënyrë të ngjashme, pa dallime, pa barriera artificiale, pa paragjykime dhe pa parapëlqime, përveç rasteve kur dallimet e veçanta duhet të justifikohen në mënyrë spjegueshmërisht të qartë. Kjo bvën që në në çdo punë a detyrë në organizatat publike dhe private të punësohen individë që janë të kualifikuar për atë vend pune, individë që kanë më shumë gjasa të kryejnë atë detyrë me përkushtim, eficiencë dhe efikasitet dhe që në atë detyrë apo pozicion pune të mos punësohen për arsye arbitrare dhe jo të rëndësishme, të tilla si rrethanat e lindjes, edukimit, fesë, gjinisë, etnisë, shtresës sociale, moshës, orientimi seksual, miqësive, mitëmarrjes e mitëdhënies, etj.
Heqja e arbitraritetit nga procesi i përzgjedhjes dhe të bazuarit e procesit në vlerësim mbi baza të barabarta dhe konkurruese, i jep mundësinë individëve të një shoqërie që të kenë sukses ose të dështojnë bazuar në përpjekjet e tyre individuale dhe jo në rrethana të jashtme të tilla pasja e prindërve që kanë njohje me njerëz të rëndësishëm, shtresa sociale, e të tjera si këto.
Aplikimi në realitet i mundësive të barabarta në rekrutime, punësime, trajnime, largime nga puna, shkarkime, tërheqje, promovime, përgjegjësi, paga, raporte mjekësore, pushime vjetore, sigurime, pensione dhe përfitime të ndryshme të tjera, është themeli i mundësive të barabarta, or ky koncept duhet të zbatohet edhe në rastin e të zgjedhurve dhe zgjedhësve, të drejtën për arsim, të drejtën për karierë në ushtri dhe në organet e rendit publik, etj, sepse krijimi i kushteve për mundësi të barabarta sjell motivimin dhe nxit shfaqjen e talenteve dhe të aftësive personale të individëve, gjë që përbën një faktor që lidhet pozitivisht me zhvillimin e shoqërisë përpara, duke bërë të mundur edhe maksimizimin e mirëqenies.
Nëse faktorët e jashtëm sundojnë në mënyrë të dhunshme jetën e njerëzve, atëhere mundësitë e barabarta janë demoagogji dhe kjo bën që të mos ketë meritokraci.
Meritokracia ka të bëjë me inteligjencën individuale, bedueshmërinë, arsimin, moralin, njohuritë dhe kritere të tjera që shoqëria mendon dhe beson se sjellin merita për individin.
Sipas studimeve të shumta, “tregjet konkurruese do të priren të dëbojnë një diskriminim të tillë (pabarazinë), pasi punëdhënësit ose institucionet që punësojnë bazuar në kritere arbitrare do të jenë më të dobëta dhe si rezultat nuk do të performojnë aq mirë sa firmat që përqafojnë konceptin e mundësive të barabarta”, aq më shumë kur pretendohet se punëdhënësit i paguajnë punëmmarrësit bazuar në produktivitetin e tyre potencial dhe actual, gjë që sjell trajtimi dhe respekt të barabartë.
Ne ekonomistët e masim shkallën e mundësive të barabarta me masat e lëvizshmërisë ekonomike, që pak a shumë ka të bëjë me atë se sa gjasa kanë fëmijët e një shtrese më të ulët në shoqëro që të shkojnë në moshën e pjekurisë së tyre në një shtresë më të lartë shoqërore.
Mungesa e mundësive të barabarta sjell dhunë dhe revolucion. Në rastin e revolucioneve, është e dukshme se shoqëria dështon që të sigurojë mundësi të barabarta me anë të evolucionit dhe meqënëse nuk ka rrugë tjetër veçse revolucionit, atëhere fituesit e këtyre revolucioneve kanë të drejtën që të kryejnë rishpërndarje të të ardhurave dhe mirëqenies.
Në rastin e Shqipërisë në fillim vitet 1990 ndryshimet e mëdha politike ekonomike dhe sociale nuk sollën mundësi të barabarta dhe kjo është mëse e dukshme në aspektet e pronësisë mbi mjetet e prodhimnit. Ende edhe sot pas 30 vitesh nga këto ndryshime politike, ekonomike dhe sociale, pronarët e vërtetë të pronave, nuk kanë marrë pronën e nuk janë kompensuar realisht dhe praktikisht për atë që kanë humbur për shkak të vendimeve arbitrare të qeverisjeve të mëparshme.
Gjithashtu, shumica e atyre që në vitin 1990 ishin gjallë, nuk patën mundësi të barabarta në procesin e shpërndarjes së pasurië dhe mirëqenies kombëtare, krijuar me mundin dhe djersën e tyre, prindërve të tyre dhe anëtarëve të tjerë të shoqërisë shqiptare.
Për shembull, ata që jetonin në qytete nuk morrën tokë, ashtu siç e përfituan tokën për frymë banorët e zonave rurale. Gjithashtu, ata që banonin në qytete, por që nuk ishin në marrëdhënie pune, nuk patën mundësi që të ishin pjesë e procesit të privatizimit të subjekteve, ku ata kishin punuar më parë se të dilnin në pension, subjekte që ju nënshtruan procesit të privatizimit.
Nga ana tjetër, Shqipëria është një ndër vendet ku sasia e pronës publike është në nivelet më të larta krahasuar me vendet e tjera të botës, pronë publike që nga dita në ditë po dëmtohet, shkatërrohet, zhvlerësohet dhe me të cilën abuzohet në mënyrë korruptive dhe kriminale nga ana e një pjesë të madhe e punonjësve të administratës publike, pronë publike e cila nëse shpërndahet te ta që nuk kanë përfituar nga reformat, mund të mbrohet, zhvillohet dhe mund të shërbejë për një zhvillim edhe më të madh ekonomik dhe duhet të shikohet edhe si një burim për nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja.
Nëse prona publike do ishte shoërndarë në mënyrë të drejtë, mendoj se dukuritë e përmbytjeve dhe zjarret e ditëve të fundit do ishin më të kufizuara për shkak të kujdesit që do tregonin dhe të investimeve që do bënin subjektet private në pronën e tyre.
Pra. Ka ardhur koha që ata që nuk kanë përfituar pasuri dhe pronë nga reformat e periudhës 1990 – 2020 për shkak të mungesës së mundësive të barabarta, duhet të pajisen me pronë. Mundësitë janë nga më të shumtat dhe nga më të ndryshmet. Shembuj nga bota ka me shumicë. Për shembull, në Uells, shteti ka dhënë toka bujqësore dhe toka për ndërtime për familjet që nuk kanë pronë. Në Zelandën e Re, është dhënë tokë, para dhe bagëti për të zhvilluar bujqësinë dhe zonat rurale. Në Gjermani është dhënë territor për zhvillim suburban, për të zhvilluar zonat që gjendjen midis fshatrave dhe qyteteve, si nxitje për zhvillimin social dhe manaxhimin e territorit.
Duket se në Shqipëri ka ardhur koha për përmirësim të dukshëm të procesit të prodhimit të produkteve dhe shërbimeve, mbi bazën e konkurrencës së lirë dhe përmirësim rrënjësor të proceseve të shpërndarjes dhe rishpërndarjes së të ardhurave dhe mirëqenies.
Përmirësimet e dukshme dhe rrënjësore nuk mund të realizohen me evolucion dhe në këtë rast ata që kanë pasuri e prona të vëna në mënyrë korruptive, me mashtrime, vjedhje, vrasje, manipulime të dokumentave të pronave, kërcënime, shpërdorim detyre, e të tjera si këto, dihet që të mendohen mirë përpara se të guzojnë që të ecin ende me ato mënyra, procese e procedura me të cilat është qeverisur Shqipëria këto 77 vitet e fundit.