Zhvillimet brenda Partisë Demokratike janë bërë temë diskutimi në emisionin e sotëm “Pikat mbi i”, në News24, ku të ftuar ishin dy analistët Artur Zheji dhe Blendi Fevziu.
Ky i fundit e ka quajtur gabim fatal vendimin e Lulzim Bashës për të larguar Sali Berishën nga grupi i PD, pasi sipas tij, ky nuk mund të ishte një vendim personal, por duhej marrë me votën e demokratëve. Por, nuk mendon kështu analisti Zheji, sipas të cilit, Berisha ka shpalosur një egoizëm si nevojë të madhe ekzistenciale, duke shkaktuar destabilizim.
Pjesë nga biseda në studio:
Fevziu: Nëse prishen rregullat, Shqipëria duhet formuluar nga e para. Më tronditi deklarata e Bashës se rregullorja nuk ka Kuvend. Nesër ngrihet Rama në mëngjes dhe thotë se Shqipëria po ecën shumë mirë, në rrugën e duhur. Ka ca rregulla. Po prishe rregullat e lojës, mund të shkosh ku të duash. Neve na mbajnë ca rregulla loje.
Zheji: Kemi në njërin krah Edi Ramën, me një mazhorancë të madhe, transversale. Kemi një makineri gjigante të mbledhjes së votave, kemi një qeveri mediokre. Unë takoj ministra që nuk i njoh. Kemi një copëzim real të PD. Mendoj se egoizmi i shpalosur nga doktor Berisha, si nevojë e madhe ekzistenciale, mendoj se është e stilit “nëse unë kërcënohem, le të bëhet qamet”. Këtu mendoj se halli i doktorit është shumë i madh, por i PD është edhe më i madh. Destabilizimin ai (Berisha) e ka shkaktuar tashmë. Ai do të kontrollojë PD dhe përmes saj të ulet si negociator me autoritet politik, dhe të thotë se nuk mund ta trajtojnë si keqbërës. Pengesa për këtë ka qenë Lulzim Basha. Jam dakord me veprimet e Bashës, sepse nuk do të donim një zënkë mes “babait dhe djalit”. Nuk do të ishte një spektakël i mirë as për ata, as për PD.
Fevziu: Nuk e di fare ku po shkon z. Berisha. Realisht nuk e di nëse po shkon drejt drejtimit të PD, por as nëse ka një plan B. Pse të mos e drejtojë Berisha PD, nëse vendos partia? Problemi i vetëm është një gjë tjetër. Ka qenë një periudhë kur kam qenë student, që thuhej se kush do ta zëvendësojë Ramiz Alinë. Në fakt doli Fatos Nano, që rezultoi shumë më i mirë se Ramiz Alia. Pra, nuk mund të thuash se nuk ka tjetër. Në demokraci asnjë nuk është i pazëvendësueshëm. Mendoj që Basha ka bërë një gabim fatal, se nuk mund të largojë Berishën nga grupi parlamentar. Nëse Basha është në dijeni të fakteve të rënda, siç thotë, duhet t’i bëjë publike. Ai mori një vendim personal, por unë jam kundër vendimit personal, duhej hedhur në votë. E dyta, nuk mendoj se gjërat zgjidhen duke menduar ne se kush është më i fortë. Ka një trazim në PD, që unë mendoj se vjen nga humbja e zgjedhjeve. Nëse do fitonte zgjedhjet, Basha do ishte më i fuqishëm, ndërsa Berisha do ishte në shtëpi. Për mua duhet të gjendet një figurë e tretë, një i ri, jo nga themeluesit e PD. Vendi ka nevojë për një parti të djathtë.
Zheji: Nuk jam kundër për një figurë të re.
Fevziu: Unë mendoj se një parti fuqizohet duke u hapur, duke shtuar njerëz, duke mos qenë bunker, duke i bërë gjërat reale, duke mos i bërë gjërat fakte. Vetëm hapja e fuqizon një parti politike. Partia është klub njerëzish, nuk është klub privat. Është bashkim. Para disa ditësh dëgjova Baton Haxhiun, që tha se PD ka njerëz, me të cilët do të vijë në pushtet. Njëri prej tyre më tha të nesërmen, se problemi nuk është se politika bëhet ku vihet pika e presja, por është frymëzim, ambicie, por edhe një lloj deliri. Unë mendoj se Rama është më aktiv. Është përditë në inaugurime, takime, lëviz nëpër qytete. Vetë PS nuk është e hapur dhe PD po bëhet si ajo. Por, edhe në PS pati lëvizje, ku Ditmir Bushatin e futi sërish në parti, i dha mundësi.
Zheji: Për Ditmirin nuk jam dakord fare, se që kur u fut në parti, nuk flet më fare. E pashë të lodhur Bushatin, nuk e pashë kritikë. Si ish-ministër i Jashtëm, ka qenë kritik në çështjet mes Serbisë e Kosovës, por tani nuk është fare, del e flet për “Open Balkan”.
Fevziu: Nuk kam folur me Bushatin, por e mora si rast krahasimor. E krahasova me rastin e Agron Shehajt, që mori shumë vota dhe e lanë jashtë.
Vendimet në mbledhjen e grupit të PD…
Fevziu: Mendoj se PD duhet të kërkonte ndryshime rrënjësore kushtetuese. Asnjëra nga këto që ka kërkuar PD, nuk janë ndryshime për të cilat po flas. Mendoj se duhet të kërkojë senat, me një kategori senatorësh të përjetshëm, që nuk kanë interesa partiake. Po flas për ndryshime thelbësore kushtetuese, si edhe zvogëlimin e Parlamentit. Po flas për ndryshime të sistemit, jo këto ndryshime që ka kërkuar PD.
Zheji: Unë mendoj se jemi në një situatë anomalie. Anomalia ekziston. Nga ana tjetër, kemi një publik, që ka detyrimin të rri në opozitë.
(BalkanWeb)