Home KRYESORE Mjeku i njohur PËR VIP-IN ANTI-VAX

Mjeku i njohur PËR VIP-IN ANTI-VAX

Nga Erion Dasho

Rreziku që një person i pavaksinuar të humbë sot jetën nga COVID-i është vështirë të përllogaritet me saktësi shkencore, por një përafrim jo i keq do të ishte 1 në 1 mijë.

Në rastin e një personi të vaksinuar ky risk ulet 10 fish, pra bëhet 1 në 10 mijë, çka tregon vlerën e vaksinës dhe faktin se vaksinimi është një zgjedhje e zgjuar për këdo.

Një person publik anti-Vax sigurisht e ka edhe më të ulët riskun e prekjes dhe vdekjes nga COVID-i. Së pari, VIP-at janë zakonisht më të rinj në moshë dhe risku i COVID-it dihet se ndryshon ndjeshëm në raport me moshën.

Së dyti, personat publikë zakonisht kanë më tepër pare, njohje mes mjekësh, etj. Përjashto rastin e fanatikëve dhe të atyre që nuk u dhimbet as koka e vet, një VIP e ka më të lehtë të trajtohet si brenda edhe jashtë vendit.

Ç’ndodh kur VIP-i është anti-Vax? Kur qëmton materialin e “iks” profesori apo bashkë-VIP-i dhe e publikon atë vazhdimisht në rrjetet sociale? Apo thjesht kur deklaron se nuk do të vaksinohet për këtë apo atë arsye?

Në ditët tona, VIP ose influencues quhet personi që ndiqet nga disa dhjetëra mijë persona. Nëse midis tyre, le të themi 10 mijë ndjekës vendosin të mos vaksinohen për shkak të influencës së VIP-it mbi ta, bazuar në llogaritjet që bëra më lart, i bie që 10 persona rrezikojnë të humbin jetën, në raport me vetëm 1 person në se VIP-i do të kishte qenë pro-Vax!

Të nderuar influencues!

Nëse nuk doni të mbani mbi ndërgjegjen tuaj humbjen e jetëve njerëzore, minimumi duhet të heshtni dhe të lini njerëzit të vendosin të lirë mbi vaksinën.

Të nderuara media!

Influencuesit dhe VIP-at janë baraz me audiencë, por mundohuni të mos bëheni zëdhënës të teorive anti-Vax!

Po vjen një dimër të cilin askush nuk mund ta parashikojë se sa ndikim do të ketë mbi epideminë…

Share: