International Relations and Geopolitics Professor
Rusia para tri ditësh ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me NATO-n, kurse kreu i Aleancës Veri-Atlantike Stoltenberg, i cilësoi marrëdhëniet me Moskën: “në pikën më të ulët që nga lufta e ftohtë”.
SHBA-të, përkundër fokusimit në indo-paqesor, nuk e harrojnë Evropën, gjë që u rikonfirmua nga takimi i fundit i shefave të dy diplomacive: Blinken dhe Borel. Aksi strategjik transatlantik mbetet kyq për sigurinë evropiane, kurse NATO mbrojtësja e Evropës nga Rusia; po aq sa AUKUS-i në Azi nga Kina.
Aleanca anglo-saksone në lindjen e largët, pra nuk është një “NATO pacifike”, por mburojë strategjike ndaj ekspanzionit kinez, si kundër-përgjigja më e mirë ndaj idesë së Putinit për një “Jaltë të re”, tash midis: SHBA-ve, Rusisë dhe Kinës.
NATO nuk mund të zëvendësohet as nga “Armata e BE-së”. Sidomos, jo në kohën e ngritjes së liderëve neo-putinist në ca shtete anëtare të BE-së. Plani i ri i NATO-s ndaj sulmeve eventuale të Rusisë i këtyre ditëve, është përgjigja më e mirë se Aleanca Veri-Atlantike është po aq e nevojshme në kontinentin e vjetër, si para 72 vitesh kur qe themeluar.
Uashingtoni, do të vijojë të ofrojë çadrën mbrojtëse për Evropën, duke u kujdesur për sigurinë, por pa flijuar demokracinë. Në fillim të dhjetorit, Presidenti Bajden do të konvokojë samitin global të demokracisë, për të rikujtuar edhe një herë burimin bazë të sistemit liberal, në kohën kur në Evropë imitimi i putinizmit po propagon iliberalizmin. Procedimi në Gjykatën e BE-së, i shkeljeve të sundimit të ligjit në ca shtete anëtare, flet për tendencat autokratike në ca prej tyre, kërcënuese, jo vetëm për demokracinë, por po aq edhe për sigurinë.
Derisa SHBA-të po rikthejnë demokracinë në agjendën globale, BE-ja po përpiqet të zë vendin në skenën globale. Brenda BE-së po vazhdon debati për të ardhmen e Evropës, kryesisht i përqëndruar në reformimin e brendshëm, para shtrirjes së tij të jashtëm, ku thellimi po e dominon zgjerimin.
Mirëpo, BE-ja nuk mund të bëhet lojtar global pa qenë kontinet i unifikuar. Vështirë do të mund të eksportojë siguri globale, nëse importon pasiguri rajonale. Zgjerimi i BE-së mund të jetë viktima e parë e këtij gabimi strategjik evropian, andaj Uashingtoni rishtas i kërkoi Brukselit përmbylljen e anëtarësimit në BE të shteteve të Ballkanit.
Moszgjerimi i kësaj perandorie të butë 70 vjeçare në tërë kontinentin, do të krijonte periferinë e pasigurtë në kufijtë e saj jugor.