Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka thënë të përditshmes britanike, Financial Times se luftimi i ndikimit politik dhe ushtarak të Kinës, do të jetë në fokus të aleancës ushtarake në të ardhmen.
Ky kthim drejt Kinës shënon një drejtim të ri për NATO-n dhe vjen teksa blloku perëndimor riorienton strategjinë drejt Azisë.
“Kur është fjala për forcim të mbrojtjes sonë të përbashkët, aty përfshihet edhe çështja se si të përballemi me rritjen e Kinës”, ka thënë Stoltenberg për Financial Times, në një intervistë të publikuar më 18 tetor.
“Ajo çfarë mund të parashikojmë është se rritja e Kinës do të ndikojë në sigurinë tonë. Veçse ka ndikuar”, ka shtuar ai.
NATO-ja është fokusuar tradicionalisht në luftim të ndikimit të Rusisë dhe pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001, edhe në terrorizëm.
Mirëpo tani pasi aleanca ka përfunduar misionin e vet 20-vjeçar në Afganistan, Stoltenberg ka thënë se më shumë vëmendje duhet të ketë ndikimi gjeopolitik i Pekinit në Amerikën Veriore dhe Evropë.
“Kina po na afrohet… Ne e shohim atë në Arktik. E shohim në hapësirë kibernetike. E shohim edhe duke investuar tejet shumë në infrastrukturë kritike në shtetet tona”, ka thënë Stoltenberg.
Financial Times ka raportuar më 16 tetor se Pekini ka testuar një raketë hipersonike me kapacitetet bërthamor në muajin gusht.
Ky vendim ka zënë në befasi zytarët amerikanë të inteligjencës dhe ka treguar se Kina ka shënuar përparim më të shpejtë sesa është pritur në gjeneratën e re të armëve./REL