2 vjet më parë, Ana (emri jo i vërtetë) një vajzë vetëm 14 vjeçe tentoi të vrasë veten sepse nuk mundi të përballonte dot sharjet e ngacmimet e vazhdueshme të shoqërisë vetëm se është e varfër. Nëna e saj (që e njoh nga afër) mezi ja del ti ushqejë 2 fëmijët, pas shumë problemesh (dhunë, divorc) e natyrisht nuk ja lejon dot vetes luksin ti blejë vajzës një celular ndryshe nga shumë prej moshatarëve të saj. Dhe imagjinoni që pikërisht ai celulari i rëndomtë i adoleshentes që u bë shkaktari që të nisnin ngacmimet e shoqeve apo shokëve, për të vijuar më pas me talljet dhe sharjet e vazhdueshme se ajo vishet keq apo edhe kur ajo pranoi para klasës së prindërit e saj janë të divorcuar.
Mu desh përballja nga afër që të përjetoja jo vetëm traumën e kësaj familje por edhe 2 procese njëkohësisht. U ktheva pas në kohë e mu kujtua koha jonë e vështirë e fillimit të gjimnazit (viti 97) ku plumbat vërshonin në ajër e njerëzit vriteshin, e ku askush nuk e dinte çfarë është bullizmi. Por kjo nuk pengonte plot nga bashkëmoshatarët tanë të përdornin gati përditë fjalët: Lopë, majmun, bullicë, jevgë, derdimen, qorr etj. për sa e sa prej nesh, pa më përjashtuar dhe mua natyrisht.
Ndërkohë pyeta veten nëse vajza ime kishte mund të kishte bërë të njëjtën gjë me ndonjë shok apo shoqe, pa ditur që po përjeton një divorc të prindërve, një sëmundje të nënës a babait, vështirësi ekonomike apo çfarëdolloj problemi tjetër që do ta bënte atë të ndjehej e “helmuar” qoftë edhe nga një frazë e thënë me shaka. Qe pikërisht ai moment që më shkundi fort, e nisa të flas shumë më seriozisht me fëmijën tim për çdo gjë që ndodhte me shoqet e shokët e saj. Dhe më pas nisi një diskutim i gjatë me miq e të afërm.
Kur video e Lianës u publikua, u ndjeva shumë fajtore përballë saj, prindërve të saj apo çdo prindi tjetër që mund të ishte prekur. Ndërkohë qindra mesazhe kërcënuese, ofenduese, denigruese vërshuan ndaj meje personalisht. E kuptova mllefin (megjithëse jo formën e tij) dhe e pranova se ishte një gafë dhe padyshim faj por kurrësesi e qëllimshme për ta lënduar atë fëmijë.
Por pas gjithë atij sulmi, pyes veten: A shërbeu për diçka i gjithë ky linçim publik? Nëse shumë prej jush që jeni prindër, pas asaj videoje u ulët me fëmijët dhe ja treguat si një shembull të keq për ti thënë se edhe një shaka mund ti bëjë shokët e tyre të ndihen të lënduar, e jo më sharjet e ofendimet, unë më e para, përulem para jush.
Sepse do të ndjehem disi e ngushëlluar e do ta gëlltisja gjithë helmin që përjetova këto ditë prej kujtdo, madje edhe të atyre që s’kanë asnjë angazhim tjetër në jetë, përveçse të hapin Instagramin apo Facebookun për të pështyrë (virtualisht) ndaj jetës e mundit të dikujt tjetër. Do ta gëlltis pa bërë as edhe një pikë zë nëse “ky helm” do të shërbejë për të shpëtuar një tjetër vajzë apo djalë, që si Ana mund të ndjehen tani të humbur e të pashpresë.
Apo nëse do të shërbejë për të nxitur një debat të madh mbi pyetjen nëse ne jemi një shoqëri e dhunshme dhe bullizuese në tërësi dhe çfarë pasojash sjell. E madje jam gati të ofroj çdo hapësirë për ta bërë këtë, të vihem përballë çdokujt që do të debatojë me racionalitet e logjikë të shëndetshme.
Por nëse vërshuat me aq furi thjesht e vetëm për të treguar se sa “të ndyrë” u treguam ne me atë vajzë, më vjen keq por nuk keni bërë asgjë, as për Lianën, as për veten e as për fëmijët tuaj. Thjesht shtuat dozën e helmit që i lëshojmë përditë njëri tjetrit duke u bërë njësor “pis e llum” si ne.
Gjithësesi, pavarësisht helmit, unë s’kam ndërmend të ndalem. Do vazhdoj të flas apo bërtas sa herë të ketë dhunë, padrejtësi, vrasje siç kam bërë në gjithë këto vite, por me maturinë e një njeriu që s’duhet tja lejojë vetes të gabojë sërish para një fëmije. Dhe do ta bëj këtë sepse nuk mund të lejoj askënd të ma helmojë shpirtin përgjithnjë. Sepse nuk do pranoj kurrë të dorëzohem para linçimit apo gjuetisë së shtrigave, ngaqë beteja ime, do kisha dashur shumë të ishte edhe e juaja, është kundër fenomenit, e jo individëve, kushdo qofshin ata./BitchMagasine.al