Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet lidhur për një tender të zhvilluar nga Bashkia e Durrësit ku ka konstatuar shpërdorim detyra nga ana e punonjësve.
Në një njoftim për mediat, bëhet me dije se janë evidentuar shkelje ligjore, te kryera nga shtetasit A.V., M.L. dhe A.T., me cilësinë e anëtarit të grupit të specifikimeve teknike dhe përllogaritjes së vlerës së fondit limit, pranë Bashkisë Durrës, të cilët akuzohen për “Shpërdorimit të detyrës”.
Gjithashtu është krijuar dyshimi i arsyeshëm se, shtetasitA.B., E.R., L.R. dhe R.S., administratorë, ortakë dhe punonjës të shoqërive R&R Group sh.p.k. dhe Klosi – R Company sh.p.k., kanë konsumuar veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave” në bashkëpunim.
Njoftimi i SPAK
Në procedurën e prokurimit me REF-57495-05-06-2020, të zhvilluar nga Bashkia Durrës, në periudhën maj – qershor 2020, me vlerë të fondit limit prej 7 083 000 lekë (pa TVSH), janë evidentuar shkelje ligjore, te kryera nga shtetasit A.V., M.L. dhe A.T., me cilësinë e anëtarit të grupit të specifikimeve teknike dhe përllogaritjes së vlerës së fondit limit, pranë Bashkisë Durrës, të cilat formojnë elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal dhe nga shtetasit P.B., Gj.M., I.M., me cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, pranë Bashkisë Durrës, të cilat formojnë elementët e veprës penale të ‘Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’ kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 e 25 i K.Penal.
Gjithashtu është krijuar dyshimi i arsyeshëm se, shtetasit A.B., E.R., L.R. dhe R.S., administratorë, ortakë dhe punonjës të shoqërive R&R Group sh.p.k. dhe Klosi – R Company sh.p.k., kanë konsumuar veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 paragrafi i dytë i K.Penal, duke dorëzuar dokumenta të falsifikuara në kuadër të kësaj procedure prokurimi.
Janë regjistruar si persona nën hetim, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave”, parashikuar nga neni 186 i K. Penal edhe shoqëritë R & R Group sh.p.k., Klosi – R Company sh.p.k. dhe Ra – Mi Kompani sh.p.k., subjekte për të cilat vijojnë hetimet, përsa i përket procedurave të tjera të prokurimit ku këto subjekte kanë qenë pjesmarrëse.
Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin nr. 90 akti datë 28.10.2021, ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasit: P.B., Gj.M., I.M., A.V., M.L., A.T., R.S., A.B.
Caktimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” për shtetasen L.R. dhe “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasen E.R.
Ekzekutimi i masave të sigurimit nga policia gjyqësore pranë Drejtorisë Hetimore, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, u bë i mundur sot më datë 29.10.2021.