Takimi i tre liderëve në kuadër të nismës “Open Balkan”, kryeministrit Edi Rama, homologut të tij maqedonas Zoran Zaev dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç po mbahet kësaj radhe në Tiranë, ku pritet të nënshkruhen pesë marrëveshje.
Bashkimi Evropian i dha një përgjigje ish-kreut të PD-së, Sali Berisha me protestën e mbajtur një ditë më parë para Kryeministrisë kundër “Ballkanit të Hapur”, me pjesëmarrjen e Komisionerit të Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi online në samit.
Varhelyi iu përgjigj pyetjes së Ramës për Open Balkan duke thënë se BE mbështet çdo bashkëpunim rajonal por ftoi 3 shtetet e tjera, Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën që t’i bashkohen kësaj nisme, pasi sipas tij përfitimi ekonomik i tyre do të ishte shumë i madh.
“Ne mendojmë që në bazë të rregullave dhe vlerave të BE, çdo bashkëpunim rajonal jo vetëm është i mirëpritur por është në të mirë të të dyja palëve që do të thotë është në të mirë të Ballkanit por edhe të BE. Më lini që të përfitoj nga mundësia për t’i ftuar tre partnerët t’i kthehen këtij bashkëpunimi rajonal se jo vetëm shton mundësitë për bizneset, është në të mirë të konsumatorëve, por po kështu mund të ndryshojë realitetet në terren që janë shumë të zymta”, tha Varhelyi.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama nënvizoi rëndësinë e kësaj nisme për vendet e rajonit duke i bërë thirrje vendeve të tjera që t’u bashkohen.
“Është një moment kyç i procesit tonë sepse marrëveshjet që do të nënshkruhen do të përcaktojnë një hap shumë të rëndësishëm para drejt objektivit tonë që është të garantojmë lirinë e plotë të lëvizjes së njerëzve mallrave, kapitaleve e shërbimeve. Më lini që të kaloj nëpër secilën shtyllë të Ballkanit të Haur duke përsëritur thirrjen për gjithkënd që të bëhet pjesë pasi është një nismë tërësisht përfshirëse dhe sigurisht duke inkurajuar të tjerët në rajon që të jenë pjesë e kësaj përpjekje. Në fushën e lëvizjes së mallrave, sot do të nënshkruajmë marrëveshjen tripalëshe të kafshëve të gjalla dhe njohjes së ndërsjellë të dokumentacionit të lëshuar dhe zbatimin e memorandumit dhe kalimit të mallrave mes nesh të treve që është nënshkruar tashmë korrikut tashmë”, tha Rama.https://www.youtube.com/embed/yNiA47HCCS8
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zev informoi se do të jetë pjesëmarrja e tij e fundit e drejtpërdrejtë në këtë nismë, ndërsa në vend të tij do të jetë se kryeministri i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
“Kemi suksese për të treguar, rezultate se grupi i punës ka bërë punë të shkëlqyer. Kemi hapa të dukshëm për të treguar, kjo do të jetë pjesëmarrja ime e fundit në mënyrë të drejtpërdrejtë”, tha Zaev.https://www.youtube.com/embed/SRw6zvpvuo0
Ndërsa anëtari i tretë i nismës, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u shpreh i prerë ndaj kundërshtuesve të “Open Balkan” se askush nga ata nuk duhet të kërkojë ndjesë për këtë iniciativë, duke theksuar se do të përfitojnë të gjithë qytetarët.
” Tregtia do të jetë më e lehtë, janë çështje tejet të rëndësishme për shumë nga qytetarët tanë, ne të tre së bashku ose të gjithë së bashku do të duhet të diskutojmë hapat e mëtejshëm, sepse njerëzit dëshirojnë të shikojnë më shumë rezultate,më ka ardhur pak në majë të hundës që do të duhet të japim justifikime për hiç gjë. Pse duhet t’u kërkojmë ndjesë për këtë iniciativë, nuk kemi arsye të japim ndjesë atyre që nuk janë pjesë”, tha Vuçiç.https://www.youtube.com/embed/0RrnRdr79xw
Këtë të martë po mbahet Samiti i “Ballkanit të Hapur” në Tiranë, takim mes kryeministrit Edi Rama me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Ata kanë mbërritur mbrëmjen e kaluar në Shqipëri, ndërsa Rama i priti me darkë mirësardhje në Elbasan duke shmangur kështu udhëtimin për në Tiranë, ku po mbahej protesta e thirrur nga Sali Berisha kundër ardhjes së Vuçiç.
Do të nënshkruhen rreth 5 marrëveshje:
1-Një treg i përbashkët dhe i lirë pune mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
2-Ngritja e një skeme të përbashkët ndërlidhje elektronike identifikimi për qytetarët në Ballkanin Perëndimor.
3-Marrëveshje ndërqeveritare mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore atë të fitosanitarisë në Ballkanin Perëndimor.
4-Marrëveshje Shqipëri-Serbi për njohje e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).
5-Marrëveshje Shqipëri-Maqedoni e Veriut për njohje e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).
Kujtojmë se një ditë më parë, Berisha mblodhi mbështetës të tij nga Shqipëria dhe Kosova duke kundërshtuar “Ballkanin e Hapur”, pasi sipas tij, pas Vuçiç qëndron influenca ruse e presidentit Vladimir Putin dhe se Rusia është rrezik për stabilitetin në Evropë.
Gjatë ditës së djeshme u dogjën edhe flamuj serbë, si shenjë proteste kundër ardhjes së Vuçiç në Tiranë, ndërsa u arrestuan dy persona dhe u vunë nën hetim gjashtë të mitur.Pas situatës së tensionuar presidenti serb u prit në kryeqytet nën masa të rrepta sigurie, për të parandaluar trazira.
Kujtojmë se takimi i fundit në kuadër të nismës “ Open Balkan” u mbajt më 4 nëntor në Beograd, ku liderët konfirmuan edhe njëherë premtimin se nuk do të ketë më asnjë pengesë në kufi për njerëzit e tyre dhe se ata do të mund të lëvizin lirisht në të tre vendet.
Nisma për bashkëpunim rajonal është përkrahur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE. Megjithatë kësaj nisme nuk po i bashkohet Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja Hercegovina. Qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e Albin Kurtit, mendon se iniciativa e kësaj nisme, sipas tij “mini-Shengen” është nismë pa vizion për rajonin.
Top Channel