Askujt nuk i shkoi ndër mend pesë vite më parë se gërvishtja e një makine do të kushtonte kaq shtrenjtë në Peqin. Çmimin me jetë e pagoi sot 35-vjeçari Albi Bashaliu, por ai nuk është i vetmi. Në qershor e kishte paguar Ylber Xhahysa.
Ky i fundit, u vra me katër plumba nga Leonard Bashaliu ndërsa po pinte kafe. Pesë vite më parë kishin gërvishtur makinat me njëri tjetrin dhe nuk e kishin mbyllur sherrin.
Siç tregoi vrasësi në polici, Ylber Xhahysa e bullizonte vazhdimisht duke i kujtuar mjetin e gërvishtur nëpërmjet sharjesh dhe kërcënimesh. Prandaj ai e vrau. Leonardi sot është në burg. Vëllai i tij, Albi Bashaliu shkoi të pinte kafe si çdo ditë në një nga lokalet e zonës, pa e ditur se në një makinë të parkuar aty pranë, e prisnin vrasësit.
“Ai zotëria (viktima, Albi Bashaliu) zbriti nga makina. Ata e prisnin këtu dhe e qëlluan. Njëri ishte me xhinse dhe xhaketë të zezë, me një xhup, me një maskë kovidi dhe ngritur jakat lart. Nga paraqitja dukeshin çuna të rinj. Njëri doli me pistoletë. Dy veta ishin. Unë isha brenda në lokal. Kur gjuajtën u frikësuam të gjithë. Katër a pesë veta që ishin në lokal u shtrinë në tokë. Unë dola se viktima është robi im. Desha të shkoja të shihja, ata më thanë: Futu brenda zotëri! Me një bërtitje, që nuk ishte e anës tonë. Ai që kishte pistoletën ma tha, se unë desh dola jashtë nga lokali, se mu dhimbs viktima se është robi im, se mendova se si ka mundësi të ndodhi kjo këtu, se është rrugë kryesore. Bënë vrasjen. Njëri ndejti aty, i gjuajti edhe një herë tjetër, pastaj e kontrolloi dhe i mori çelsat. Unë e pashë se po e shihja nga xhami. I mori çelsat dhe ndezi makinën e viktimës. Kur ai ndezi makinën, ky tjetri doli dhe i hodhi benzinë makinës së vet dhe i vu flakën. Kthyen makinën e viktimës dhe ikën të dy. Ikën të qetë, nuk ikën me shpejtësi” tregoi dëshmitari i vrasjes, pronar i lokalit pranë vendit ku ndodhi ngjarja.
Nga ajo që tregoi i zoti i lokalit nuk përjashtohet mundësia që ezkekutimi të jetë kryer nga vrasës me pagesë. Viktima trajtohej me kemp për shkak të një sëmundjeje që kishte, ndërsa pista kryesore është ajo e hakmarrjes për vrasjen që kreu i vëllai 6 muaj më parë.
Dhjetëra persona u shoqëruan në polici, por duket se atentatorët kishin llogaritur çdo lëvizje dhe janë një hap para policisë. Albi Bashaliu është qëlluar me një plumb në kokë që i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Gërvishtja e makinës ka ndodhur rreth 5 vite më parë, por tashmë shkaku i konfliktit është harruar dhe në familjët e viktimave ka mort për jetët e humbura./Lapsi.al