Home Gjeo-Ekonomia Habit ambasadori turk në Tiranë: Osmanët erdhën për të mbrojtur shqiptarët!

Habit ambasadori turk në Tiranë: Osmanët erdhën për të mbrojtur shqiptarët!

Ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale deklarata e ambasadorit të Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük gjatë një aktiviteti në Universitetin e Shkodrës.

Duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve, ambasadori turk ka deklaruar se “osmanët erdhën në Ballkan për të mbrojtur trojet shqiptare”. Gjatë deklaratës së tij me plot pasaktësi historike, Yoruk tha se “fara e miqësisë” mes shqiptarëve dhe osmanëve u hodh që gjatë kohës së Sulltan Muratit të Parë që njihet për betejën e përgjakshme të Fushë Kosovës.

Ambasadori vijoi më tej duke thënë se më shumë se 500 vite më parë, “bota e krishterë po përplasej përgjakshëm mes sekteve të saj”, dhe sipas tij, osmanët qëndruan pranë ortodoksëve, që ishin dhe shumica në rajon.

“Po ta shikojmë në planin historik, Ballkani është një zonë e hapjes dhe përhapjes të natyrshme të shtetit osman. Lëvizjet osmane në Ballkan nuk ishin vetëm ushtarake, por edhe kulturore, historike, sociale, arkitekturore dhe ekonomike.

Në atë periudhë, bota e krishterë po haste një përplasje të përgjakshme mes sekteve të tyre. Osmanët qëndruan pranë popujve ortodoksë që përbënin shumicën dërmuese të rajonit, dhe duke qenë tolerantë ndaj tyre, osmanët arritën që të bëjnë shtetin e Ballkanit.

Gjatë periudhës 550 vjeçare, osmanët në Ballkan kanë ndërtuar rreth 15 mijë vepra të ndryshme. 1/3 janë për qëllime fetare, ndërsa 2/3 kanë qenë ndërtesat e tjera për qëllime tregtare, sociale dhe arsimore. Dhe sot nga këto vepra janë ruajtur vetëm 1/10 e tyre.

Edhe në atë kohë, një nga elementët më të sigurtët që garantonin sigurinë në rajon kanë qenë shqiptarët dhe trojet shqiptare. Fara e miqësisë mes dy popujve tanë është hedhur që në kohën e Sulltan Muratit të Parë dhe kjo është edhe në dokumente.

Marrëdhëniet tona kanë qenë të ndihmës reciproke, duke mbështetur njëri-tjetrin. Osmanët erdhën këtu për të mbrojtur trojet shqiptare. Ju shkodranët e dini edhe për rolin e veçantë që ka luajtur Hasan Riza Pasha në mbrojtjen e Shkodrës” – tha ambasadori. /LAPSI.al

Share: