Home Approccio Italo Albanese Italia miraton fondin për pensionet e shqiptarëve

Italia miraton fondin për pensionet e shqiptarëve

Falë një pune titanike dhe përpjekjeve të vazhdueshme të senatorit Tommaso Nannicini sot Italia ka miratuar në ligjin e buxhetit zyrtarisht një fond specifik për përcaktimin e marrëveshjes së pensioneve ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.

Italia ka lidhur marrëveshje dypalëshe të sigurimeve shoqërore me shumë shtete, por ajo me Shqipërinë mungon, pavarësisht se komuniteti shqiptar i Italisë e kërkon prej vitesh si akt drejtësie ndaj qytetarëve të shumtë që kanë paguar rregullisht kontribute në të dy vendet.

Në këtë front ka pasur demonstrata nga të interesuarit direkt si në Tiranë ashtu edhe në Romë dhe komuniteti shqiptar së bashku me sindikatat më të rëndësishme italiane mbështetën peticionin e nisur nga Geri Ballo, nga ku u mblodhën 12 mijë firma dhe më pas ia dorëzuan direkt ministrit të punës Andrea Orlando.

“Albania News” ka komunikuar drejtpërdrejtë me Tommaso Nannicini.

Senator një koment për këtë arritje

“Jam i kënaqur që Komisioni i Buxhetit miratoi amendamentin tim: më në fund, pas vitesh beteje, vjen një përgjigje konkrete për shqiptarët dhe italianët e privuar nga e drejta e qetësisë shpirtërore pas një jete pune e sakrificash.

Ky 2021 shënon 30 vjet nga fillimi i emigrimit shqiptar në Itali, është e drejtë që t’i japim këtë sinjal institucional punës dhe angazhimit të një komuniteti që sot është pjesë e pandarë e shoqërisë italiane. Falenderoj Ministrin e Punës Andrea Orlando, Qeverinë dhe mazhorancën për këtë hap themelor përpara në rrugën e të drejtave”.

Si arritëm në këtë moment historik?

“Për herë të parë kam dëgjuar për këtë problem kur isha nënsekretar në Palazzo Chigi. Më kujtohet toni i përzemërt me të cilin Geri Ballo ma shpjegoi çështjen, emocionin në sytë dhe fjalët e shqiptarëve të Italisë të prekur drejtpërdrejtë nga kjo mungesë e rëndë.

Prej aty nisa një angazhim për të dhënë përgjigje konkrete, jo premtime gjenerike që përmendin shumë herë miqësinë mes dy popujve tanë dhe bëjnë shumë pak. E rifillova këtë betejë si senator dhe jam krenar që ishte Parlamenti italian, me votimin në Komisionin e Buxhetit, ai që theu ngërçin dypalësh”.

Çfarë ndryshon tani?

“Një fakt thelbësor ndryshon: tani ka një fond të dedikuar për këtë marrëveshje specifike. Fondi parashikon një alokim vjetor duke filluar nga viti 2023 dhe për të gjitha vitet në vijim për të bërë funksionale marrëveshjen dypalëshe. Ne lamë mënjanë alibitë, tani paratë janë aty dhe koha për të mbyllur marrëveshjen mund të jetë shumë më e shkurtër.

Shpresoj që në janar 2022, Italia dhe Shqipëria të mund të punojnë shpejt për marrëveshjen. Në raportin teknik që shoqëron amendamentin tim ka tashmë një draft me pikat kyçe që duhen përfshirë.

Tashmë mjafton të mbledhim tabelën teknike, ta ndajmë, ta nënshkruajmë dhe ta ratifikojmë nga të dyja shtetet. Tani 2022 mund të jetë vërtet viti i konventës dhe nga ana ime do të bëj gjithçka që kjo të ndodhë”./AlbaniaNews/

Share: