Operatorët e Sistemit të Transmisionit në Grupin Rajonal të ENTSO-E për Europën Kontinentale (RGCE) i kërkojnë KOSTT-it (operatorit të sistemit të transmisionit të Kosovës) ta mbajnë në ekuilibër sistemin e tyre kombëtar të energjisë elektrike.
Kosova dhe kriza e përshkallëzuar energjetike në vend mund ta rrezikojë furnizimin e gjithë Europës, ka paralajmëruar Rrjeti Europian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike (ENTSO-E).
Shumica e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga dy termocentrale të vjetra me qymyr, dhe normalisht vendi importon 10-15% të energjisë elektrike, por kjo shifër është rritur në 40% gjatë krizës aktuale.
“Si pasojë, Kosova po importon energji që nuk ishte planifikuar në tregje”, i tha Reuters-it me email ENTSO-E, ky Rrjet i cili përfaqëson operatorët e transmetimit të energjisë elektrike në mbarë Europën.
Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), i është kërkuar që ta mbajë të ekuilibruar sistemin e energjisë elektrike.
“Operatorët e Sistemit të Transmisionit në Grupin Rajonal të ENTSO-E për Europën Kontinentale (RGCE) i kërkon KOSTT-it (operatorit të sistemit të transmisionit të Kosovës) ta mbajë në ekuilibër sistemin e tyre kombëtar të energjisë elektrike, i cili është detyrim thelbësor kontraktual ndaj OST-ve të tjera në Europën Kontinentale”, kanë thënë nga ENTSO-E.
Kriza, që e ka përfshirë gjithë Europën ka bërë që vendet të përballen me rritje të çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike, për shkak të rritjes së kërkesës për rrymë.
Në Kosovë, kjo situatë është përshkallëzuar jo vetëm se prodhimi vendor është i pamjaftueshëm për t’iu përgjigjur nevojës së lartë për rrymë, por edhe se blloku “B2” i Termocentralit “Kosova B” është jashtë funksionit tash e sa ditë, ndërsa një ekspert gjerman është angazhuar për ta mbikëqyrur riparimin në turbinat e këtij termocentrali.
Situata po e detyron Kosovën të importojë shumë më tepër energji se normalja. Në këtë situatë, Kuvendi i Kosovës të mërkurën ka shpallur gjendje emergjente të energjisë në vend, duke e miratuar vendimin e Qeverisë për masat emergjente për kufizim të furnizimit me energji, duke i bërë të ligjshme reduktimet.
Kryeministri Albin Kurti tha të hënën se në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë. “Ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë.”
Qeveria e Shqipërisë do t’ia japë Kosovës 7,680 megavatë energji elektrike më 31 dhjetor dhe 1 janar, në një përpjekje për të ndihmuar në këtë situatë.
“Pas një dakordësie që kemi pasur me drejtuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës kemi arritur që të sigurojmë 3,600 megavatë për datën 31 dhjetor, dhe 4,080 megavatë orë për datën 1 janar”, tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku.
Kryeministri Kurti tha të mërkurën në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë se kërkesën për ndihmë e ka bërë Kosova nëpërmjet ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
“Ne e falënderojmë kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama, për mbështetjen. Ministrja jonë e Ekonomisë, zonja Artane Rizvanolli e ka bërë një kërkesë të tillë ndaj Republikës së Shqipërisë, për shkak se ne jemi komplementare, ne kemi termocentrale, ata kanë hidrocentrale; ne kemi qymyr, ata kanë ujë”, tha ai. Kurti tha se Kosova do të mund t’ia kthejë këtë ndihmë Shqipërisë në verë.
Si pasojë e ngritjes së çmimit të rrymës në botë dhe mbingarkesës në vend gjatë dimrit, ditëve të fundit në Kosovë ka pasur reduktime të energjisë elektrike./Monitor