Home KRYESORE Për këtë kërshëndellim zgjodha sipërfaqshmërinë.Ma falni mëkatin, miq!

Për këtë kërshëndellim zgjodha sipërfaqshmërinë.Ma falni mëkatin, miq!

Nga ANISA MARKARIAN

Mesnata ka lënë gjithëkund gjurmët e saj vezullore. Rrugëve të përgjumura të qytetit, koret engjëllore lajmërojnë lindjen e Foshnjës së Shenjtë.
Në vatrën e oxhakut xixërin një zjarr bubulak – shtëpia kundërmon gështenja të pjekura e rrëshirë. Salloni shëmbëllen me një fushëbeteje. Të mundurit dergjen mbi qilim, fituesit prehen ku të munden. Trofetë presin çastin e lavdisë.
Mbi parket, reliktet zakonore. Shirita letre kaçurrel, ambalazhet e dhuratave, çorape me biskota e çokollata, shfajësimet e të larguarve, kartolinat e munguesve.

  • Po pse vononi, o miq?! Ejani brenda, nxitoni! Rrotull bredhit ka vend për të gjithë. Avituni, t’i shijojmë magjinë!
    Ah, bredhi kryelartë i Krishtlindjes! I vetmi që arrin të kthejë në emërues të përbashkët besëtytnitë fetare dhe idealet prijatare, trungun dhe farën, dashurinë dhe zhgënjimet, mirëseardhjen dhe lamtumirën.
    Gjuhëzat halore lëpijnë nepsqare flluskat e shampanjës që lodrojnë në ajër. Të çliruara nga zgjedha e tapës, do të gazmojnë gjer në avullim. Rrëmuja festive është grishëse. I bashkangjis marramenthi amullinë time të brendshme. Veprimi i parë i mëngjesit më duket i tepërt – zgjedh të mjegulloj realitetin. Në mungesë të syzeve, gjithçka përreth më është e turbullt. Si një galaktikë e re në bymim e sipër. E tymtë dhe e rrumbullakët. E pakapshme, e pazhbirueshme. Kërthizën inkandeshente, skajet të përhumbura në flu.
    Flu, flu e blu!
    Sot s’e njoh kokëçarjen. Ndihem si një varkëz e bardhë mbi ujëra të qeta, velën të gufuar nga flladi i tymtajës. Mbi sipërfaqen e lëmuar të oqeanit reflektohet pista qiellore ku ulen e ngrihen avionët postarë. Transportojnë listat emërore të tokësorëve. Vajtje-ardhje qorthi për në Yjësitë e Kurorës. Stacionet kanë emra të çuditshëm: Alfa, Beta, Gama, Delta dhe… i vogli Omikron. Shtohen nga dita në ditë si kërpudha plehu. Hapni sytë, o njerëz! Flitet që do ta përvetësojnë të gjithë alfabetin grek.
    Projektet afatgjata i hodha pas shpine – jam marinarja e udhëtimeve pa të ardhme. Lundroj pa busull, pa direk e pa dylbi. Më udhëheq rastësia. Një valë tymake këtu, një dallgë shkumore atje; më tutje një vorbull. Jetoj për të shijuar çastin. Të gjithin! Tani, menjëherë! E nesërmja pret. Bashi dhe kiçi luajnë kukafshehthi. Më trallisin krejt! Barkëza londitet e qerthullohet. I ka erërat pupa. Një shtysë e lehtë, dhe shkon përpara. Kushedi se për ku. Adresat e panjohura kanë reflekse të kaltra…
    Po kërshëndellohem sipas qejfit tim!
    Pamja mjegullore e bëka shpirtin të ajërt. I falka mendimit hare e puplim. Shpresat i gjallëroka; dashurive të ftohura u qepka petka dasmore. Ndihem shend e verë. Kam hyrë në zemër të tymnajës. Gjithçka që më rrethon është flu.
    Flu, flu e blu!
    Këmbët nuk më prekin tokë. Janë zhytur në brazda pambuku që më arrijnë gjer në gju. Mjegullimi mjedisor më fashit shqisat. Më bëhet balsam për sytë e verbuar nga kthjelltësia e vëzhgimit. Sa shumë kam parë këtë vit! Gjerësisht e hollësisht. (Kam parë e ç’kam parë!)
    Ngarkuar me xhingla e mingla, bredhi pranë dritares ka trajtat e turrës së pritshmërive të mia idealiste. Të rënda, të rrepta, të kota. Do t’u vë flakën për kryemot. Rroftë kërshëndellimi gazor!
    Slita e ëndrrave të mia rrëshket luginash të buta e të shkrifta. Më kujton një trill fëmijërie. Lëshohesha mbi shtëllungat e leshit të gufuar nga duart e arta të dyshekpunueseve e notoja në shpinë si në një pishinë olimpike. Oh, ajo kënaqësia e sfidimit të ligjit të rëndesës! Lumturia e të qëndruarit pezull mes tokës dhe qiellit! Gëzimi naiv i arratisjes mendore e trupore pa kërkuar leje! Liria e zhvendosjes në kohë e hapësirë pa pasaportë shëndetësore…

Për këtë kërshëndellim zgjodha sipërfaqshmërinë.
Ma falni mëkatin, miq!

@A.M. E shtunë, 25 dhjetor 2021 – Mëngjes tymak Kërshëndellash.

P.S. Neologjizmin «kërshëndellim» ma frymëzoi titulli i ekspozitës së miqve të mi piktorë në Marsejë: «Noëlisation» (t’i përshtatesh festës së Krishtlindjes).

Share: