Nga Visar Zhiti
Nuk them dot: “Fali, o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë!”, kur ata, besoj, e dinë se ç’bëjnë. Vetëm se ndodh të mos e parashikojnë fundin e një akti e ndodh ajo që meritohet. A mund ta themi dhe këtë?
Ajo që ndodhi ashtu në selinë e Partisë Demokratike, bunkerizimi dhe sulmi dhe kundërsulmi, humbja dhe dëmi, e gjitha mes demokratëve të acaruar, ishte përtej parashikimit të kujtdo dhe dêshpëruese për të gjithë, megjithëse e di që s’janë dëshpëruar të gjithë, përkundrazi.
Dhe prandaj ndodh, se nuk dëshpërohemi bashkarisht se dhe humbjet nuk janë të pêrbashkëta, as fitoret, as heronjtë, as gëzimet, as pêrfitimet, as të pasuruarit, as dinjiteti e as varfêria, kjo po është shumë e përbashkët, e as liria, etj, etj, dhe të gjitha janë arritur duke i dëmtuar ato, të tjerët dhe veten.
Një sociolog bashkëkohës thoshte se demokracia të zhgënjen, por nuk të tradhton. Ne, shqiptarët, dukemi si të tradhtuar nga demokracia jonë…
Sot u kalua në një absurd tjetër tronditës, në një “banalizim të ri të së keqes”, u bë përplasja zululandase se cilët do të zotëronin ngrehinën e një partie, kur ajo, duket, se u përket palëve të asaj partie, kur parti s’duhet të jenë muret, as poltrona e kryetarit, madje as kryetari. Partia mund të mos ketë seli fare, do t’i mjaftonin mendjet, ideali, vizionet. Ndoshta ngjan me atë gjakun që rrodhi nga balli i atij që u godit me gurë në turmën protestuese. Partia është Shqipëria dhe antarët e saj janë shqiptarët.
Po pse u grindën sot aq keqas dhe kur nuk duhej, për selinë e zbrazët të partisë? Eh, shkaqet dhe konflikti janë të tjera, gjetiu, mund të thotë shumëkush. Që pasardhësi nuk duhej t’ia bënte atë paraardhësit. E di.
Por s’e di pse m’u kujtua dëmshpërblimi që iu bë ish të burgosurve politikë nga qeveritë e ashtuquajtura të djathta apo të majta, u katandis në lekë me këste të zgjatura, fyese kjo, kur dëmshpërblimi i vërtetë i persekutimit të madh, e kam thënë, do të ishin drejtësia, kujtesa me frymën e lirisë dhe demokracisë, ndarja me të kaluarën dhunuese, dinjiteti i vuajtjes, meritokracia, prosperiteti i pêrbashkët, etj. Dhe nuk do të vinte dita të grindeshim për selinë e partisë, as të dëshpëroheshim gjysma dhe as të gëzoheshim gjysma tjetër për atë…
Që të kuptohemi më mirë, gjej një shpjegim që më ndihmon të kuptoj jo vetëm shkakun, por dhe kohën. Duhet pak letërsi, ca fantazi borgesiane, them me vete. Se ajo ndërtesë ka qenë shtëpia e oficerëve të ushtrisë së diktaturës, (unë kam nderim për oficerët e vërtetë të atdheut), por ç’nuk kanë dëgjuar ato mure: komunizëm shqiptar, enver… heqje gradash… karrierë koti… luftë imperializmit perëndimoro-amerikan dhe revizionizmit botëror… komplote… tradhti… pushkatime puçistësh të paqenë… ajri është plot me thashetheme kriminale, te kafet ka mbetur surrogatoja e helmit ideologjik, etj, etj, dhe shtëpia e oficerëve të diktaturës hakmerret për ndryshimin… e Shqipërisë… Si? Me alarmet që jepen, me rikrijim të komandës, zbatim taktikash ushtarako-demo(n)kratike, sulmet, kundërsulmet, çadrat, nishanet, portreti i udhëheqësit, fantazmat e tij, nostalgjia, bombat tymuese, gazi lotësjellës, megjithëse populli qan dhe pa to, ylli i kuq, supa e kazanit madhështor, poezia ushtarake, komploti që ndonjërin prej uniformave të na e emëronin president, etj, etj, dhe kêshtu e shkuara bëhet e ardhme… ‘45… ‘84 orwelliane… ‘97… tanket… tanku i parë në botë ka qenë Kali i Trojës, sipas James Joyce… po kur ra Troja, ç’bënë fitimtarët me Kalin? Monument? Jo, e dogjën… siç ndodh dhe sot… e ai, Dimitrovi, komunisti bullgar, çfarë thoshte, që levizjet komuniste nuk fitojnë dot vetë, por të futemi si “Kalë Troje” në luftrat nacional-çlirimtare, etj, etj. Edhe selitë e partive ngjajnë me “Kalë Troje” me kryesitë në bark…
Na ka marrë malli për një kalë prej vërteti e një livadh a park, që s’po betonizohet… po mua ç’pati që më erdhën mendime kësisoj, s’është faji im, o Zot, por na e fal se s’dimë se ç’bëjmë!
Gazeta Dielli! Roselle, IL. 08. 01. 2022