Home KRYESORE Prokuroria:2 specialistë nxorrën të dhënat e pagave,i shitën te subjektet private

Prokuroria:2 specialistë nxorrën të dhënat e pagave,i shitën te subjektet private

Prokuroria e Tiranës po jep detaje lidhur me hetimet e kryera për skandalin e publikimit të pagave. Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj në një konferencë për mediat tha se për këtë ngjarje janë arrestuar 4 persona, 2 specialistë IT që nxorrën të dhënat dhe 2 punonjës kompanish private.

Sipas Imeraj, dy specialistët e IT kanë shpërdoruar detyrën duke nxjerrë të dhënat e qytetarëve dhe më pas ua kanë shitur subjekteve private.

“Janë kryer veprimet hetimore në mënyrë intensive. Është vijuar me sekuestrimin e serverave, kompjuterave duke dalë në përfundimin e një dyshimi të arsyeshëm të bazuar në prova. Kemi zbuluar katër autorë të ngjarjes. Dy janë punonjës në drejtorinë e tatimeve, punonjës IT. Ka dyshime se të dhënat kanë rrjedhur prej tyre.

Specialistja e IT në Drejtorinë e Tatimeve, e cila është e punësuar në AKSHI duke patur aksesin në të dhënat personale ka hyrë duke marrë këto të dhëna personale dhe ia ka shpërndarë kolegut të saj i cili ka shfrytëzuar marrjen e këtyre të dhënave dhe ka arritur që t’ua shesë subjekteve private.

Prokuroria vazhdon hetimet intensive. Sekuestrimi është bërë në Drejtorinë e Tatimeve dhe në DPSHTRR pas daljes së listës së targave. Duke pasur parasysh faktin që një veprimtari e tillë ka disa muaj që zhvillohet që nga skandali i patronazhistëve, prokuroria është në funksion të plotë me veprime të plota.”, tha Imeraj./Opinion.al

Share: