Home Gjeo-Ekonomia Sahatë elektrikë si koka të varurish në litar

Sahatë elektrikë si koka të varurish në litar

Nga Genti Çela

Qëllon të vizitoj familje ku pajisja më moderne, më avangarde që kanë, është matësi i energjisë elektrike.

Në shtëpi që s’mund të quhen shtëpi, sahati i KESH, OSHE, a CEZ, qëndron i tepërt në atë humbëti ku mat vetëm skamjen, harresën dhe përbuzjen, që faturohet nga pakica e përkëdhelur e makutërisë.

Nëpër mure qerpiçi, varet trishtimi i lidhur me litarë elektrikë. Shteti gjen mundësinë për të çuar kudo, në çdo plevicë të shkretë e të largët, matësin e llampave të zbehta ku shkëlqen varfëria. Por nuk gjen asnjë mundësi për të çuar aty solidarizimin e një vendi social.

Qindra kryefamiljarë u burgosën sepse nuk paguanin dot energjinë elektrike, më të shtrenjtën në rajon. Kjo nuk është thjesht shkelje e të drejtave themelore të njeriut ku për çështje civile ndiqesh penalisht.

Disa i dhanë fund jetës për këtë arsye. As kjo nuk duhet trajtuar si një statistikë. Bandito-kapitalizmi, forma që perëndimorët imitojne nga vendet komuniste, hyn edhe aty ku drita e ka të vështirë.

Tarafllëku i parisë, i zënë nga lufta për pushtet, për tendera e konçesione, për leja ndërtimi, nuk denjon të mendojë për kasollet ku mijëra shqiptarë kërcasin dhëmbët e zorrët.

Ndoshta mjerimi nuk depërton dot në pallate të larta betoni. As ndër saraje ku derra të kënaqur, pas çdo pazari, mashtrimi, pas çdo humbje e shitje kauzash, zgjohen me betimin se “ndër lufta të reja kemi m’u ndeshë” dhe se lufta sapo ka filluar.

Më kalon ndërmend, burgosja e këtyreditëve e gazetares nga vendi byrazer Turqia, se shkroi “Nëse kau bujt në pallat, nuk bëhet kau mbret, por pallati stallë.”

Luljana Sema u përcoll për në një botë ku drita nuk faturohet, e gjetur e ngrirë, si shtatore Migjeni, harruar në ethet e temperaturave të akullta si ndjenja të ngricta pushtetesh.

Njoh plot Liliana të tjera. Nënë Mirësia, Nënë Xhemilja, Nënë Lahe. Personazhe si të dala nga mesjeta, që do të ishin më të lumtura asokohe. I bashkon sahati i energjisë, varur vjegë në muret e mjerimit të tyre.

Kur dimrat fillojnë e dalin, gëzohem që ia kanë dalë dhe ato, të presin në këtë botë pranverën që duket si një premtim elektoral.

Shënim: Fotot janë realizuar në fshatrat e Pogradecit Stropkë dhe Mokër

Share: