Home KRYESORE Diktatura nuk të lë të rritesh!

Diktatura nuk të lë të rritesh!

Nga Dashnor Kokonozi

Absurditeti i mbylljes me dry të Shqipërisë komuniste i bënte të gjithë nga pak absurdë e paranojakë. E tepër të them se jo vetëm në periudhën e monarkisë, por edhe në atë të pushtimit turk, Shqipëria ka qenë një vend i hapur.

Në gazetat e kohës së para pavarësisë gjenden edhe oraret dhe ditët e ardhjes së një trageti të Llojdit austriak (nuk më kujtohet emri), jo vetën në Durrës, por edhe në Vlorë.

Eqrem bej Vlora aty i hipte e zbriste kur vinte me pushime nga studimet në Vjene.

Edhe ata që donin të bënin dhëmbët jashtë merrnin tragetin që në kohë të Turqisë.
Tani ne ishim në kërkim të dinim se çfarë e si ishte jeta jashtë shtetit.

(Te libri “Sende që nxirrte deti” A. Vehbiu ka analiza të shkëlqyera të kësaj psikologjie)

Veçse, ata që kishin bërë shkollën në perëndim ishin rralluar shumë. Ata që e kishin bërë në Lindje, kishin frikë te flisnin. Një kundërvajtje e rastit dhe rrezikonin të akuzoheshin si agjentë specialë të Polonisë, Rusisë, Bullgarisë…

Të mos flisje, ishte një mënyrë për të zgjatur jetën.

Por kishim një shok, që nuk e di në ç’rrethana, kishte patur fatin të shkonte me pushime në një kamp pionierësh në Bashkimin Sovjetik.

Ishte ai që plotësonte etjen tonë të pashtershme për të kuptuar çfarë ndodhet realisht në botë. Kishte libra, disa kohë edhe tv- por ndihej nevoja e përvojës së atij që ka patur kontakt fizik me botën jashtë. A ekzistonte ajo vertet apo ishte nje iluzion i yni?

E pra, ne këtë e plotësonim me rrëfimet e udhëtimit te tij mitik me vapor për në ato vise të largëta!

Takoheshim për një kafe dhe kur ishim “midis nesh” ai rifillonte të na tregonte për kampin e pionierëve në Bashkimin sovjetik!

Dhe ne për të qindtën herë e dëgjonim gojëhapur!

Dhe ishim nga 30 vjeç!

Share: