Home KRYESORE Ditët e Shkurtit pa Dritëronë…

Ditët e Shkurtit pa Dritëronë…

Nga Gaqo Apostoli

Janë të trishta pa ty këto ditë të Shkurtit
Mes të çara resh, dielli në qiell dritëron,
Trafiku i bllokuar nga makinat e shumta,
Rreth qoshkut të gazetave pensionistët lexojnë.

Njerëzit nxitojnë në trotuare,
Studentë të dashuruar hargalisen pafaj,
Nën heshtje dikush u tërheq vëmëndje,
Dashuroni, u thotë, veç përmbahuni një çast.

Në lokalet plot, ca vajza të reja
Bëjnë hoka me djem, por edhe me pleq,
Ngatërohen koktejle me tekila, raki e kafe,
Disa bëhen xurxull, ndonjë shkon për dreq.

Vërtitem kuturu në Sheshin “Wilson”
Mes turmës së papunë, me lypsa aty këtu,
Nëpër televizorët varur në lokale
Dritëroi harrohet, nga politikanë kuq e blu.

Pranë shtëpisë sime në kompeksin “Dinamo”
Shoh vajza të vogla që luajnë me litar.
Zgjohet fëmijëria ime e largët
Futet me to në kor dhe këndon plot zjarr:

“Dritëro, Dritëro”
“Lart në qiell fluturo”,
“Dritëro, Dritëro”
“Lart në qiell, pranë Zotit shko”.

Me kohë të rriturit do ta harrojnë nga pak,
Paçka se në ditë ngarkuar me shi e dëborë,
Kur dielli depërton mes reve nga larg,
Do themi: Ai po dritëron shpirtra njerëzorë.

Nëpër ditët e Shkurtit që ikin e vinë,
Njerëzit harrojnë përhumbur në dëshpërim,
I përpin ngadalë honi i varfërisë,
Nga makutëria politike e zhytur në pasurim.

Për t’i shpëtuar harresës
Me miqtë shkoj në “Mondial” çdo të Shtunë,
Të gjithë bashkë i këndojmë shpresës,
Me, “Kur të jesh mërzitur shumë”.

Gaqo APOSTOLI Tiranë, 6 Shkurt 2017

Në ditën e 5-Vjetorit te publikimit te kesaj poezie, me 6 Shkurt 2017…

Share: