Home KRYESORE Tabaku nxjerr dokumentet, akuza Ahmetajt:I përfshirë në Inceneratorin e Elbasanit

Tabaku nxjerr dokumentet, akuza Ahmetajt:I përfshirë në Inceneratorin e Elbasanit

Kryetarja e Komisionit Hetimor të Inceneratorëve Jorida Tabaku ka denoncuar sot procedurat që janë ndjekur për inceneratorin e Elbasanit.

Teksa ka publikuar dokumentet, Tabaku ka hedhur akuza në drejtim të zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, në atë kohë ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes si i përfshirë në “aferën e Inceneratorit të Elbasanit”.

Tabaku shkruan se  koncesioni i inceneratorit të Elbasanit i është dhënë Albtek Energy me “negocim pa shpallje”, procedurë që ligji nuk e parashikon.

“Procesverbali i datës 11 nëntor 2014 nga Komisioni për dhënien me Koncesion të Inceneratorit të Elbasanit tregon se kompania “Albtek Energy” ka bërë një kërkesë të pa kërkuar të cilën Ministria e Mjedisit e vlerëson. Komisioni e sheh të vështirë operimin e tij për këtë ofertë ndaj i kërkon ndihmë kryeministrit për të rishikuar ai buxhetin e shtetit pasi përndryshe “nuk mund të zbatojë në kushtet e ndodhura dhe implementimi i projektit ka ndikim në buxhetin e shtetit”.  Për këtë arsye Komisioni vendosi që “t’i propozojë Ministrit të Mjedisit, Ministrit për Zhvillimin Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të hartojnë një projektvendim për mënyrën e përzgjedhjes “koncesion i përzier” sipas procedurës “negocim pa shpallje”, procedurë të cilën ligji nuk e parashikon. Pra duket qartë që Komisioni për dhënien me Koncesion ia ka deleguar këtë kërkesë ish-ministrit Lefter Koka që është në burg dhe ministrit të atëhershëm të Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj”.

Sipas Tabakut “pasi ish-ministri Koka merr informacion nga anëtarët e Komisionit për dhënien me koncesion të inceneratorëve lajmëron Ministrin Ahmetaj. Ky i fundit, brenda 2 ditësh i përgjigjet në shkresën e datës 14/11/2014 duke presupozuar që ka lexuar ofertën, vlerësimin dhe ligjin që është “parimisht dakord” për t’i dhënë kompanisë Albtek Energy koncesionin/PPP me “negocim pa shpallje”, duke pranuar një procedurë që është në kundërshtim me ligjin”.

Po kështu edhe ministri i asaj kohe, Gjiknuri, i përgjigjet zotit Koka në shkresën e datës 17/11/2014 se “përzgjedhja e procedurës së koncesionit është e drejtë e Autoritet Kontraktor” duke i dhënë gjithashtu dakordësinë për procedurën e “negocimit pa shpallje” për koncesionin/PPP të fituar nga Albtek Energy”./Opinion.al

Share: