Home Gjeo-Ekonomia Tensionet me Ukrainë, Putin dhe Lukashenko: Sanksionet perëndimore, nuk na mbysin

Tensionet me Ukrainë, Putin dhe Lukashenko: Sanksionet perëndimore, nuk na mbysin

Bota nuk do të jetë në gjendje të “na mbytë” me sanksione, tha lideri bjellorus, Aleksander Lukashenko, gjatë një takimi me Presidentin rus, Vladimir Putin, për të diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Është e vështirë me sanksionet. Por, ata nuk do të mund të na mbysin”,-tha Lukashenko, duke vënë në dukje se të dy vendet do ta zgjidhin situatën së bashku.

Putin përsëriti kundërshtimin e tij ndaj sanksioneve që i quajti të paligjshme, por tha se të dyja vendet duhet të përgatiten për më shumë.

“Sanksionet do të vendosen në çdo rast. Kjo nuk është gjë tjetër veçse konkurrencë e pandershme,” tha Putin.

Putin tha, gjithashtu, se presioni i sanksioneve – që ai tha se ishte pjesë e një përpjekjeje perëndimore për të forcuar ekonominë e vet, kishte ndihmuar në forcimin e ekonomisë së Rusisë, ndërsa Lukashenko vuri në dukje se të dy kishin rënë dakord të bashkëpunonin më shumë duke harmonizuar tregjet e tyre të energjisë dhe rregulloret doganore dhe tatimore.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se të shtunën, më 19 shkurt, do të mbahen stërvitje të reja ushtarake, të cilat do të mbikëqyren nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Në stërvitje është thënë se do të marrin pjesë trupa dhe pajisje të forcave të hapësirës ajrore nga rajoni jugor, ai verior dhe Deti i Zi.

Inteligjenca amerikane vlerëson se rreth 130,000 trupa dhe pajisje ushtarake gjenden në zonat në kufi me Ukrainën.

Kremlini këmbëngul se NATO-ja nuk duhet ta pranojë kurrë Ukrainën dhe duhet të tërheqë forcat e saj pranë kufijve të Rusisë.

Por, Perëndimi ka refuzuar atë që e quan ofertë nga Moska për të diktuar të ardhmen e partnerëve të pavarur dhe e kërcënoi Moskën me “kosto të rënda” nëse sulmon Ukrainën./Opinion.al

Share: