Home Gjeo-Ekonomia Çmimet e naftës zbresin në 223 lekë për litër

Çmimet e naftës zbresin në 223 lekë për litër

Çmimet e naftës kanë shënuar rënie për të dytën ditë radhazi. Një litër naftë tregtohet për 223 lekë në vend, nga 243 lekë një ditë më parë, referuar pikës së tregtimit “Kastrati”.

Në bursat ndërkombëtare çmimet e naftës kanë zbritur këtë të premte në 109 dollarë për fuçi, 4 dollarë më pak nga e enjtja (113$). Dy ditë më parë Shtete e Bashkuara njoftuan se ndaluan importet e naftës nga Rusia, por OPEC qetësoi tregjet duke deklaruar se do të rrisë prodhimin.

Në tregun vendas, nafta u shtrenjtua në 192 lekë kur arriti mbi 90 dollarë në bursa dhe arriti në 250-260 lekë në ditën që ajo shkoi në 130 dollarë.

Shoqata e Hidrokarbureve e ka shpjeguar rritjen e shpejtë të naftës me faktin që “çmimet nga bazat grosiste dalin çdo ditë me bursën korente dhe marrin rritje graduale te koordinuar me rezervat që ka gjendje në pikat e karburantit me furnizimin e ri, por fatkeqesisht rritja e cmimeve në bursë javen e fundit ka qenë galopante (sqarojmë se rezerva tre mujore që mbahen si mbas ligjit është gjithnjë ne depo fizikisht, por çmimi kurrë nuk mund te mbyllet ose fiksohet vetëm në ditën që hidhet në treg për konsum)”.

Ndonëse rritja e kaburanteve në tregjet ndërkombëtare reflektohet shumë shpejt, përvoja ka treguar se ulja e tyre në tregun vendas është më e ngadaltë, kur e njëjta gje ndodh në bursa.

Kryeministri Rama njoftoi një ditë më parë ngritjen e bordit të administrimit të karburanteve për të kontrolluar rritjen e lartë të çmimit të naftës.

“Brenda 48 orësh do themi konkretisht se çfarë do të bëjmë. Ky vend është në luftë, ka ardhur lufta në këtë vend, lufta ka ardhur me faturën e rritjes së çmimeve, ndaj do ta trajtojmë si në luftë, duke ndaluar spekulimet me rritjen e naftës, me një akt normativ, një bord kombëtar të administrimit të karburantit, ku do të flitet për të gjitha hapat. Do përcaktojmë masa drastike për çdo furnizues që shkel vendimet e marra në një tryezë të përbashkët mes furnitorëve dhe qeverisë. Nuk do të lejojmë që në pikën e furnizimit të shfaqen çmime të pamiratuara më parë në bord dhe të ketë masa ndëshkuese “, tha Rama./ Monitor

Share: