I.
Kam ndjekur me vëmendje, përgjegjësi dhe përkushtim shtesë dinamikën e luftës në Ukrainë: “Disa dhjetra konferenca të Atlantic Council, institucione dhe personalitete elitare të sigurisë në Washington DC, Bruksel, Munich Security Conference, Qendrën Marshall, Gjermani, Londër, Kolegjin e NATO-s, Romë, etj”!
Kam refuzuar me vetëdije të bëhem pjesë e “tallavasë mediatike”, pasi, përtej modestisë së tepëruar, nuk kam patur kohë të shpërdoroj me shterpësinë e mendimit të “kuvendarëve të emëruar”; dalldisjet e analistëve të gjithëditur, apo rambo-sekserëve të vetë(de)graduar Gjeneral, që shkumosen (Po/Jo) dhe shkundin shkopin e strategut mbi harta me skenarë, avion, tanke, “bunkerë atomik dhe rezerva strategjike për ditët e qametit”, duke e shpjeguar kështu, luftën për Ukrainën, nga studio “milionerësh trudhjamosur me konceptet e Luftës së Dytë Botërore, në mos, atyre më herët!
Në disa opinione, e kam theksuar, por e përsëris edhe më qartë peshimin/vlerësimin tim strategjik: “Rusia, sigurisht ka aftësi ushtarake për të fituar, ndoshta edhe disa beteja (objektiva rajonale), por në planin afatgjatë do ta humbas LUFTËN për pushtimin e tërësisë territoriale të një kombi martirësh, Ukrainës.
Po ashtu, e sigurt që edhe do të gjynjëzohet në përballjen me fuqinë e zgjerimit të demokracisë, kredibilitetin dhe interesat e AleancësTransatlantike (USA & NATO & BE).
Mbi këtë llogjik, sjell në vëmendje se, me një shpejtësi si asnjëherë më parë, ShBA, UK dhe vendet e BE-së e rrethuan Rusinë me embargo ekonomike dhe masa shtrënguese diplomatike”, ndërsa vijojnë të “mbështjellin Ukrainën” me mbështetje të gjithanshme, përfshi dhe asistencë ushtarake nga SHBA, UK, Poloni, vendet e tjera të NATOs, përfshi Republikën e Shqipërisë, Suedinë, etj.
Thënë këto, jam i bindur se, bashkë me humbjen e Luftës për pushtimin e tërësisë territoriale të një vendi sovran, Rusia po diskreditohet tashmë në sytë e botës së qytetëruar. Prandaj, bashkë me LUFTËN do të humbas edhe rolin dhe peshën gjeopolitike në Botë, përfshi Ballkanin perëndimor, Mesdhe, etj.
Kështu, sjell në kujtesë kërkesën e fortë të Kryeministrit të UK: “Përjashtimin e Rusisë nga 5-shja vendimmarrëse e Këshillit të Sigurimit/OKB”; Më tej, 141 vota PRO rezolutës dhe 37 kombe që po ashtu votuan për ta paditur Rusinë e Putinit për krime kundër njerëzimit në Gjykatën Ndërkombëtare.
Edhe në planin ushtarak, Presidenti, Ai edhe Komandanti i Përgjithshëm i FAU, si dhe elita e Gjeneralëve të Ukrainës po aplikojnë një “strategji të mënçur dhe të suksesshme” në përdorimin e përshkallëzuar të fuqisë operacionale, si dhe duke e futur kështu makinerinë luftarake të Rusinë në “kurthin e një lufte të gjatë”, të papërballueshme, rraskapitëse dhe humbëse për Rusinë.
Po ashtu, NATO po demostron solidaritet, kohezion, mbështetje, si dhe një nivel të lartë përgjegjshmërie mes 30 vendeve. Ndërsa SHBA dhe NATO po përshkallëzojnë planet e gadishmërisë së lartë dhe masat e deterrancës duke demostruar fuqinë ushtarake të pakonkurueshme, jo vetëm në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës, por para së gjithash, garantimin e tërësisë teritoriale të 30 vendeve anëtare të NATO-s (Artikulli 5)!
Ka një “mankth” të ricikluar nga mëndjet e ndryshkura për të panikosur njerëzimin: “Nëse Putini do shtypë, apo jo butonin e kuq të armëve bërthamore, për t’i bërë gjëmën e madhe njerëzimit”. Përgjigja relaksuese edhe për “Putinistët e thekur dhe kokat e nxehta” mbetet një JO e fortë. Kjo pasi gjithësesi besoj që elitat mëndjehapura dhe gjenerata e re e Rusisë nuk do të lejojnë që historia e kombit të tyre të damkoset përjetësisht si një shtet terrorist.
Për më tepër, besoj fortë se Ukraina do jetë edhe “fillimi i fundit për Putinin e marrosur nga ambiciet Staliniste”, i cili erdhi në pushtet nga KGB (një makineri edhe më kriminale se SS-Nazistë), dhe po e përmbyll karrierën politike me gjakun e qytetarëve të Ukrainës dhe Rusisë, çka do ta damkos atë përjetësisht në sytë e botës së qytetëruar.
Në shtesë, pasojat e luftës gjakatare “për pushtimin e Ukrainës”, i gjej si një mësim i madh për institucionet Globale të Sigurisë (SHBA, OKB, NATO, BE, etj), për “t’i shkundur ato nga heshtja me kosto të lartë”, si dhe për të parandaluar hapjen e vatrave të tjera të luftës barbare.
E siell në kontekstin e pëpjekjeve për stabilitetin afatgjatë të rajonit të Ballkanit perëndimor, shpresoj shumë që kjo luftë do të shërbejë si një këmbanë e fortë arsyesh racionale edhe për 4 vendet (Greqia, Rumania, Spanja & Sllovakia) për ta njohur paraprakisht si dhe hapur rrugën e procesit zyrtar të anëtarësimit të plotë të Republikës së Kosovës në NATO.
II.
Po ashtu, sjell me mirënjohje në vëmëndje “thirrjen shpresëdhënëse” të Kongresmenit të SHBA, Ritchie Torres, drejtuar Presidentit Biden dhe Sekretarit të Shtetit Blinken, citoj: ”deri sa Rusia vazhdon të sillet si aktor iracional dhe Serbia po fuqizon edhe më tej marrëdhëniet me Rusinë, është e rëndësishme të ndihmojmë aleatin tonë Kosovën të anëtarësohet në NATO”.
Thënë sa më sipër, do i këshilloja faktorët shtetërore dhe aktorët e përgjegjshëm politik të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, që: “humbja e fuqisë së Rusisë, rrjedhimisht edhe të peshës së Serbisë në rajon, është një rrethanë e fortë gjeopolitike në përqasjen e 2 shteteve të pavarura një komb i vetëm”, si dhe për të integruar masat shtetërore në dobi të njohjes nga 4 vendet e sipërpërmendura, dhe jo vetëm, për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave mbarë Kombëtare në rajon, mesdhe, etj!
Së fundmi, pa asnjë paragjykim politik dhe përtej luftës turpëruese për vulën dhe bravat, në këtë përballje me të keqen, Republika e Shqipërisë ka bërë gjënë e duhur, pasi e ka dënuar me forcë luftën barbare në Ukrainë, është rreshtuar me solidaritet dhe kohezion të pakushtëzuar në krah të vlerave të qytetërimit Euroatlantik, (ShBA, NATO-s & BE), po kontribuon në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha dhe me kapacitete modeste në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës, për anëtarësimin e Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës në NATO, si dhe mbrojtjen e stabilitetit, vlerave demokratike dhe interesave gjeopolitike në Ballkan dhe më gjerë”.
Zoti e bekoftë paqen, demokracinë, si dhe partneritetin strategjik të Repoublikës së Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Aleancën Transatlantike (NATO)!
Nga: Gjeneral * Piro AHMETAJ,
Seinor Expert për SK dhe NATO-n, Zv/President i Këshillit të Atlantikut,Ish: Këshilltar Ushtarak i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA & Përfaqësues Kombëtar në SHAPE/NATO!