Home Gjeo-Ekonomia Nuk bëjnë punë kujisjet virtuale për çmimin e naftës, por veproni!

Nuk bëjnë punë kujisjet virtuale për çmimin e naftës, por veproni!

Nga Sokol Shameti

Kujisjet virtuale të shqiptarëve që ankohen por s’veprojnë përballë rritjes galopante dhe të pajustifikuar të çmimit të karburantit vetëm sa i motivojnë oligarkët lokalë të vazhdojnë “punën” e rrjepjes së pandalshme të qytetarëve përballë një shteti spektator.

Prej fillimit të konfliktit në Ukrainë, kompanitë shqiptare të tregtisë së karburanteve i kishin rezervat të siguruara për 3 muaj me çmimin e mëparshëm “pa ngritje”.

Pushka e parë në Ukrainë dhe ata i rritën çmimet a thua sikur nafta që e kanë blerë me kohë, u ka kushtuar sikur ta merrnin sot nën bombardime ruse.

Ashtu si agresioni ushtarak i Rusisë së pasur e të fortë mbi Ukrainën e varfër e të dobët, ky i tregtarëve të naftës mbi popullin shqiptar është thjesht një lloj tjetër agresioni i më të fortëve e më të pasurve mbi më të varfërit e më të dobëtit. Po si na thotë i pari i vendit kur lan duart: “këtë sistem kemi zgjedhur”.

Jo ankesa, batuta e foto çmimesh në pika karburanti, por rezistencë e veprim konkret kundër këtyre pushtuesve. Ukrainasit sakrifikojnë me jetë përballë agresionit ushtarak. Nga qytetari ynë lypset vetëm sakrificë “luksi” përballë agresionit ekonomik. Duke ua blerë naftën, neve ua financojmë me paratë tona grykësinë e tyre.

Megjithatë, sa e vështirë është ta përmbash veten nga impulsi dhe dembelizmi për ta kryer çdo punë me makinë. Sa e pamundur është ta shtysh një udhëtim jashtë qytetit me veturë apo të shkosh përditë në punë me këmbë a biçikletë (meqë transporti “publik” është në fakt privat)?

Vetëm duke e ulur në minimum varësinë tonë nga nafta e neo-putinëve të Shqipërisë dhe duke u shkaktuar humbje të rënda financiare mund t’u mbushet mendja të heqin rrethimin e të kapitullojnë.
Në mos trim, a është ky popull të paktën aq i zgjuar sa të mos e trajtojnë si kopè?

Share: