Home KRYESORE Pse do të fitojë Ukraina? Nga Lis Bukuroca

Pse do të fitojë Ukraina? Nga Lis Bukuroca

Me togfjalëshin „denazifikimi i Ukrainës“ Putini ka manipuluar vetveten dhe tani i beson atij licencimi „moral“, me të cilin përligj barbarinë amorale mbi popullin e pafajshëm të Ukrainës.

Kur Biden tregonte se kur do të sulmohej Ukraina dhe si, ai dëshmonte se shteti amerikan kishte njerëzit e vet aty ku tirani rus po merrte vendime, apo se atë po e përgjonin. Mirëpo, duket se gjakftohtësia e Biden-it, ngurrimi, mospërgjigjet simetrike dhe ekuivalente, nga Putini u interpretuan si frikë ose si indiferentizëm. Madje ka pasur dhe shumë deklarata, që mund të interpretoheshin si nxitje për të marshuar në Ukrainë. Nëse ishin të tilla – tani për tani të nuk mund të përjashtohen- atëherë Putini e kafshoi karremin. Nga kjo luftë do ai dalë si humbës i madh! Disi si Hitleri ose do të vdesë në burg si Millosheviqi.

Meqenëse ai nuk guxonte të sulmojë shtetet e NATO-së, për të treguar trimërinë e madhe ruse, (ajo trimëri është vetëm mit, sepse Rusia është rritur e zmadhuar duke shtypur vetëm popuj të vegjël dhe duke asimiluar dhjetëra gjuhë në Azi. Ndaj një kombi të madh jashtë kufirit ka fituar vetëm kundër gjermanëve, por e ndihmuar nga bota) sulmoi shtetin jashtë NATO-së. 

Mu sikur një grua, që rrah fëmijën e vet, sepse nuk ka forcë t’i hakmerret burrit. Pra, Rusia sulmoi Ukrainën e pafajshme, por nuk pati guxim të sulmojë një vend anëtar të NATO-së. Kundër Perëndimit po lufton tani në Ukrainë, por edhe pse po lufton kundër tij, nuk ia ndal gazin. Kjo dëshmon se nga ajo shitje, ai do të financojë armatën. Nëse Europa nuk e mbyll vetë, do të jetë ndihmuese dhe bashkëfajtore.

Lavrovi tha dje se Europa po dominohet nga SHBA-të. Po pse qenka detyrë e Rusisë të kujdeset për mëvetësinë e Europës? Kush e autorizoi atë? Aty shihet si tirani rus paska bërë llogarinë pa hanxhiun. Ai nuk paska pritur bashkimin kaq të madh të vendeve perëndimore; madje kërcënoi edhe me armë bërthamore nëse përzihej dikush në konflikt. Perëndimi po përzihet! Perëndimi po e armatos Ukrainën! Synimi i Putinit dhe Lavrovit paska qenë përçarja e Europës, dobësimi i Amerikës dhe kështu, BE të mbetej nën tutorinë ruse: në mëshirën e Rusisë.

Tani së paku 19 shtete i dërgojnë armë publikisht Ukrainës, në mes tyre edhe Gjermania, nga ndoshta nuk e kishin pritur. Kërcënimet e Rusisë u konsumuan. Nuk vlejnë më. Në fakt ato ndihmuan në zgjuarjen e Perëndimit dhe në armatosjen e Ukrainës, ku po mbrohet demokracia perëndimore nga defekt-demokracia, siç quhen në shkencat politike krahasimtare demokracitë si ajo e Rusisë. 

Putini qe trimëruar aq shumë, sa jo vetëm se ua ndalonte disa shteteve aderimin në NATO, por pat kërkuar daljen edhe të 14 shteteve tjera. Despoti rus, duke u bazuar në qëndrimet fillestare të Perëndimit, po besonte se ishte bërë car i NATO-së dhe i BE-së. Fotografia me kryetarin e Kinës i shërbente për të dërguar mesazhe marciale. Sjelljet e tij, gjykimet e tij, janë pikërisht si ato të Millosheviqit: edhe rrenat janë si të tij.

Pse nuk ka sukses armata e tij? Sepse ushtarët rus nuk dinë pse po marshojnë në vendin fqinj. Sepse ata nuk janë të motivuar për të vrarë. Sepse ata nuk kanë arsye. Sepse ushtarët rus po dërgohen në luftë me gënjeshtra, me manipulime. Sepse atyre u thuhet se po shkojnë për një „operacion të posaçëm“, ku do të priten krahëhapur.  

Kur po arrijnë, aty po shohin se nuk ishte „operacion“, por luftë barbare! E motivi i marshimit? Motivi mungon! Motivi për të vdekur në tokën e huaj mungon në tërësi! E si të vritet dikush kur të mungon arsyeja për ta vrarë? Si të vritet njeriu të cilin nuk e urren? Njeriu që nuk të kërcënon, njeriu që nuk të rrezikon jetën? 

Aty ushtarët përjetojnë një tronditje, një shok: ata ndihen të mashtruar. Nga kush? Nga shteti i vet, që edhe mediave ua ndalon përdorimin e fjalëve „pushtim“, „shpallje lufte“, „vrasja e civilëve“ etj. dhe për të cilat mund të dënohen deri në  15 vjet burg.   Si në kohën e Stalinit. Ai në fakt është produkt i stalinizmit, si Vuçiqi e Daçiqi, që janë produkte të Millosheviqt. Urrejtja e tij ndaj SHBA-ve është traumë e shkollës komuniste, veprimi i tij është projekt i saj.

Putini po i dërgon të rinjtë rusë për të vrarë në vendin fqinj pa u treguar ushtarëve psenë. Cili është motivi që përligj mjerimin e shkaktuar? Nuk ka, nuk ka asnjë motiv, asnjë shkak pse duhet të vdiset atje, apo pse duhet të vrasin dhe deportojnë popullin e Ukrainës.

Kjo është arsye pse po raportohet për moralin e dobët të ushtrisë ruse. Kjo është arsyeja pse Rusia po përjeton humbje dramatike dhe nuk po arrin ta pushtojë Ukrainën. 

(Reporterët gjermanë lajmërojnë edhe për armë të vjetra dhe për mungesë ushqimi tek armata ruse. Dobësia e Rusisë po dëshmohet edhe me hyrjen e Bjellorusisë në konflikt dhe të bandave të Kadirovit nga Çeçenia si dhe të mercenarëve brutal të quajtur „grupi Wagner“-it. Aty shihet se Putini nuk ka më besim në forcat e veta!!!)

Kush rrezikon jetën? Ai që mbron shtëpinë e vet, apo ai që nuk di as arsyen pse ka ardhur të vrasë fqinjët, të cilët deri para marshimit i konsideronte vëllezër?

Për ta fituar një luftë, duhet vrarë; për të vrarë duhet pasur shumë motive, shumë urrejtje,  që të anulojnë alternativat tjera; duhet të ndihesh i rrezikuar prej tij, por nuk mjafton vetëm paranoja e tiranit. Pra duhet pikë së pari armiku i vërtetë. Armiku që të rrezikon ekzistencën. Për ushtarin rus nuk ka argumente logjike, as ekonomike, as ushtarake. Kjo është arsyeja kryesore pse Rusia do ta humbë edhe luftën edhe paqen! 

Empatia me Ukrainën është madhështore dhe veprimet e saja janë të rralla në historinë e popujve: si e Volodimir Zelenskit, ashtu edhe e popullit. Edhe nëse vritet kryetari Zelenski, ai do të mbetet përgjithmonë shëmbëlltyrë e pavarësisë ukrainase: e orientimit perëndimor dhe e frymëzimit. Ai do të mbetet në Ukrainë si për ne Gjergj Kastrioti. 

Pra, edhe nëse pushtohet Ukraina dhe në vend të tij sillet kukulla ruse e rrëzuar në vitin 2014, Viktor  Janukowiç, (babain polak, nënën ruse), hija e Zelenskit, fryma e tij, imazhi i tij, do të jetë ai që do të mobilizojë dhe motivojë për të luftuar, për të rezistuar, për ta dëbuar Rusinë dhe për ta rikthyer pavarësinë. Plaga e shkaktuar nga Putini, do të mbetet si stigmë, që do të shoqërojë me dekada, por edhe me shekuj dy kombet dhe dy shtetet fqinje.

Për pak ditë Zelenksi i madh, u mbajti një leksion politikanëve të botës sesi mbrohet atdheu dhe si mobilizohet populli: populli i Ukrainës është i rrallë, i veçantë, shëmbëlltyrë e rezistencë kolektive. Ky popull nuk mund të trembet, por jo të nënshtrohet!

Qeveria e Kosovës ka argumente të mira tani për të anuluar çdolloj autonomie për serbet, e cila nuk do të vlente edhe për Luginën. Republika serbe e Thaçit dhe Mustafës duhet të varroset një herë e përgjithmonë. Ata dy kanë pasur arsyet personale pse e kanë nënshkruar atë marrëveshje në dëm të Kosovës. Kosovës nuk i duhen Luhansk dhe Donbas. Kjo tani duhet të jetë e qartë: asgjë për serbet më shumë, sesa u jepet shqiptarëve në Luginë!

E Rama? Kryeministri i Shqipërisë është optimist i madh. Ai ende beson se me Serbinë pro-ruse dhe me Serbinë, e cila mbështet fashizmin rus, mund të ndërtohet një Ballkan i hapur. Distancimi i Vuçiqit nuk ishte i mjaftueshëm. Edi Rama duhet të flasë me fqinjët tjerë për Ballkanin e Hapur, por të distancohet nga Serbia, të përjashtohet ajo nga nisma deri kur ajo të mbajë qëndrim pro – rus.  Qëndrimi pro-rus është anti shqiptar, anti-Ballkan dhe anti-Europë.

E Schröder? Schröder ka vite që po gazon, por tani shihet se nuk i ka mbetur kokërr sedre dhe dinjiteti: e braktisën edhe ata që punonin për të, të gjithë. Ai mbetet stoik dhe po pret të shpërblehet nga Putini. Po sillet si qen i mirë dhe po tund ende bishtin. Një ditë Putini nuk do të ketë më lekë për ta paguar. Me sjelljen e tij Schröder ka cenuar sedrën gjermane dhe dinjitetin e zyrës së kancelarit. Ky është maskarai më i madh që ka pasur Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore! Nuk është makiavelist, por qindra herë më i ligë se ai. Thjeshtë është një mbështetës i një krimineli, i një tirani, i cili po vret fëmijë dhe si veprim humanitar i konsideron „korridoret“ e ferrit për t’i dëbuar njerëzit nga shtëpitë e veta!

Pse do të fitojë Ukraina? Sepse Davidi fiton kundër Goliatit. Sepse gjithmonë dashuria ngadhënjen mbi urrejtjen. Sepse gjithmonë paqja është më e fuqishme se lufta. Sepse ajo mbijeton më shumë se lufta. Sepse lufta pushtuese është barbari, kafshëri. Sepse sipas Augustin Thierry, kauza e popullit të shtypur bëhet kauzë e mirë pikërisht kur shtypja bëhet e padurueshme, shtazarake. Sepse populli rus do të zgjohet një ditë, nëse jo vetë, do ta zgjojë varfëria, që do të jetë si pasojë e sanksioneve.

Sepse edhe nëse tani përkohësisht e nënshtron, do të vazhdojë lufta partizane dhe një ditë, Rusia do të tërhiqet zvarrë si nga Afganistani, kokulur, por shumë më e dërmuar se atëherë. Tani do të dëmtohet në substancë edhe ekonomia e saj dhe do Rusia do të jetë e izoluar.

Në aso rrethana, tiranët nisin vrasjen e njerëzve të vet, të rrethit të vet. Kur të largohet Putini nga pushteti, Rusia do të mbetet me qindra shtete e armiqësuar dhe me një ekonomi përdhe si në fundin e Bashkimit Sovjetik. Aty do të kuptojë se kur je elefant, mund të peshosh shumë, por nuk do të kesh kurrë as shkathtësinë, as urtësinë dhe as aftësinë luanit, që është mbret i malit pa papasur nevojë për të marrë pajtimin e zorrës së madhe, që vazhdimisht turfullon.

Pse nuk largohet Putini kur e di tani se nuk do të fitojë? Ai nuk do të kthehet sepse ka frikë se rrëzohet. Ai për ta ruajtur fytyrën, do të shkojë deri në fund. Me „deri në fund“ nënkuptohet koha kur nis vrasjen e pjesëtarëve të popullit të vet. Tani vetëm po i burgos. E ka bërë Millosheviqi, Hitleri, edhe Musolini. Kur diktatorëve u mungon paranoja e shkaktuar nga jashtë, e përjetojnë në popullin vet dhe nisin eliminimin e çdo kundërshtari. E licencimi moral cili do të jetë tani? Opozitarët do t’i shpall tradhtarë dhe agjentë të Amerikës.

Putini do të shkojë deri në fund, sepse nuk është në natyrën e tiranëve të tregojnë emocione, të vuajnë për vdekjen e huaj. Në natyrën e tyre është mburrja, fitorja duke shpallur heronj mijëra të vdekur për çmenduritë e tyre. Të rinjtë që vdesin në Ukrainë për psikopatin janë vetëm numra. Asgjë më  shumë. 

Në Ukrainë ka nisur ndryshimi i botës, si do të përfundojë nuk dihet ende, por nuk do të jetë më si ishte. Ajo që është e sigurt tani për tani është: fitorja e madhe e Ukrainës edhe pse jo definitive dhe humbja e madhe e Rusisë, por si humbje definitive.

Share: