Home Gjeo-Ekonomia 23 vite nga eksodi i shqiptarëve nga Kosova

23 vite nga eksodi i shqiptarëve nga Kosova

Sot shënohet 23-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut. Përveç të shpërngulurve në këto dy shtete, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

Ata ishin fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Në çdo përvjetor të eksodit të vitit 1999, që mori përmasa biblike, në Kukës përkujtohet, e në dy vitet e fundit edhe simbolikisht prej pandemisë, kjo dramë vuajtjesh nga më të tmerrshmet që kanë përjetuar njerëzit e kësaj toke.

Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi). Me datë 27 mars, në orën 13:20, në pikëkalimin doganor të Vërmicës/Morinës kalojnë në Kukës 187 refugjatët e parë nga Kosova ku shumica ishin fëmijë dhe gra, të cilët ishin në gjendje të mjerueshme fizike dhe mendore dhe të plagosur me mjete të forta si: qyta pushke, shkopinj gome etj. U morën masa të menjëhershme për transportimin e tyre me mjete të transportit civil dhe ushtrisë nga Drejtuesit e Prefekturës së Kukësit. Ata ishin kryesisht banorë të fshatrave të Prizrenit, Krushë e Madhe dhe Zym. Si fillim këto refugjatë u strehuan në pallatin e kulturës “Hasan Prishtina”.

Deri në orën 24.00 të 27.03.1999 ne Kukës mbërritën 12.721 kosovarë. Ndihmat e para ushqimore erdhën nga Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë ku me datë 27 mars në Kukës, u dërguan kontingjente me ushqime (vaj, miell, sheqer, makarona, oriz, sapuna etj) për 2500 persona në muaj.

Me datë 28 mars vazhdoi fluksi i kosovarëve drejt Kukësit, të dëbuar me forcë prej trojeve nga pushtuesit serbë. Numri i tyre ishte 13.000 banorë. Refugjatët kosovarë hynin në Kukës nga pikëkalimi i Vërmicës/Morinit ku edhe ishin dhunuar, torturuar, masakruar dhe zhveshur nga policët serbë, duke u marrë paratë, bizhuteritë dhe çdo send me vlerë që ato kishin

Vendstrehimi i tyre përkohshëm ishte Pallati i kulturës “Hasan Prishtina”. Më pas pushteti lokal në Kukës hapi dyert e disa mjediseve shkollore, çerdhesh, kopshtesh, magazinash dhe deposh për strehimin e të dëbuarve. Refugjatët e tjerë u strehuan në familje kuksiane ku edhe u mikpritën nga to. Mesatarisht çdo familje në qytetin e Kukësit kishte rreth 14 kosovarë. Ata flinin në çdo pjesë të shtëpisë.

Në krye të javës në Kukës mbërriti karvani i dytë i të dëbuarve me rreth 70.000 kosovarë. Nga këto 40.000 u sistemuan pranë familjeve qytetare, 10.000 në mjedise të ndryshme publike të qytetit, 6.000 në komunat Bicaj, Kolsh, Tërthore dhe Shtiqën, 12.000 në qytetin e Krumës dhe 300 në komunën Golaj. Në Kukës mbërritën 16 automjete për të evakuuar një pjesë të kosovarëve në qytete te tjera. Dita-ditës numri i të dëbuarve rritej. Pavarësisht strehimit në shtëpitë e banorëve kuksianë, një numër i madh kosovarësh strehoheshin në kampe

16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova.

Në kuadër të 2️3-vjetorit të eksodit të shqiptarëve të Kosovës mbahet koncert festiv “EKSOD 99” në ora 11:30, organizuar nga Bashkia e Kukësit përpara sheshit “Skënderbej” në Kukës.

Një nga simbolet kryesore të 16 Prillit është edhe Obelisku. Kulla u ndërtua si shenjë falënderimi ndaj popullit shqiptar. Ajo është ndërtuar në vendin ku ishin vendosur çadrat qe strehonin popullatën kosovare. Kulla është 23.5m e gjatë dhe është e mbushur me foto të cilat paraqesin ngjarjet e asaj kohe. Kulla është një nga pikat më të vizituara turistike në Kukës. Gjatë datës 16 prill kulla është pika që vizitohet me shpesh.

Për të kujtuar ditët e shpërnguljes më dhunë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe vuajtjet e tyre nga regjimi serb në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit qëndron monumenti “Muri i Kujtesës” si dhe parku “Hasan Prishtina”.

Monumenti “Muri i Kujtesës” është një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, bashkë me emrat e disa prej personaliteteve të shquara botërore që kontribuuan në çlirimin e Kosovës, një vepër kjo artistike-monumentale që shpreh më së miri kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që sollën lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur./KlanKosova

Share: