Me pushtimin rus të Ukrainës, ekziston një frikë në rritje se Kina do të ndjekë shembullin e Moskës. Pekini mban para ishullit manovra të reja. Me manovrat ushtarake rreth Tajvanit, Kina po rrit presionin ndaj republikës ishullore demokratike dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pas një deklarate mbi manovrat e kryera nga Ushtria Çlirimtare Popullore, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Zhao Lijian bëri të ditur në Pekin se këto manovra ishin “një kundërreagim ndaj mënyrës negative të veprimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndaj vizitës së fundit të senatorëve amerikanë” në Tajvan.
Ai i referohej vizitës së papritur në Taipei të një delegacioni të kongresit të kryesuar nga senatori republikan me ndikim Lindsey Graham, i cili u takua me Presidenten e Tajvanit Tsai Ing-ëen.
Ushtria kineze tha se fregata dhe avionë luftarakë ishin dërguar në Detin e Kinës Lindore dhe në zonën përreth Tajvanit. “Ky operacion është një përgjigje ndaj faktit se Shtetet e Bashkuara kohët e fundit kanë dërguar shpesh sinjale të gabuara për çështjen e Tajvanit”, tha komanda kompetente e Ushtrisë Popullore. “Truket e Shteteve të Bashkuara janë krejtësisht të padobishme dhe të rrezikshme.
Ai që luan me zjarrin djeg veten”. Kina e konsideron Tajvanin vetëm si pjesë të Republikës Popullore dhe refuzon me vendosmëri kontakte të tilla zyrtare nga partnerët e saj diplomatikë me qeverinë në Taipeh.
Sipas burimeve ushtarake kineze, në manovrat në zonën detare dhe hapësirën ajrore rreth Tajvanit u ushtruan edhe sulme. Që nga sulmi rus në Ukrainë, është shtuar frika se Pekini do t’i bëjë realitet kërcënimet e tij të përsëritura për të pushtuar ishullin. Vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë prej kohësh të përkushtuara ndaj aftësive mbrojtëse të Tajvanit dhe bëjnë furnizime me armë.
Mbështetje e palëkundur nga Shtetet e Bashkuara
Me vizitën e tyre, politikanët e Kongresit të SHBA-së duan të demonstrojnë mbështetjen “palëkundur” të SHBA për Tajvanin. Gjatë takimit me Presidentin Tsai, senatori Graham shprehu kritika të forta ndaj Pekinit dhe gjithashtu iu referua mbështetjes politike të Kinës për presidentin rus Vladimir Putin në luftën në Ukrainë.
“Ne po fillojmë duke e bërë Kinën të paguajë një çmim më të lartë për atë që po bën në të gjithë botën,” tha Graham. “Mbështetja për Putinin duhet të ketë një kosto.” Senatori dha siguri se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Tajvanit nëse Kina do të shtonte provokimet e saj. Të braktisësh Tajvanin do të thotë të braktisësh demokracinë, lirinë dhe tregtinë e lirë, tha senatori.
“Pushtimi rus i Ukrainës dëshmon se demokracitë duhet të forcojnë aleancat e tyre,” tha presidentja e Tajvanit. “Së bashku, ne mund të mbrohemi kundër kërcënimeve nga sistemet autoritare që kërkojnë të prishin paqen rajonale.”
Megjithë vringëllitjen e armëve, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Pekinit i akuzoi Shtetet e Bashkuara si përgjegjëse për tensionet midis Kinës dhe Tajvanit, sepse mbështesin “forcat e pavarësisë” tajvaneze. “Ai që luan me zjarrin djeg në fund veten”. U tha se çështja e Tajvanit është “çështje e brendshme” e Kinës, e cila nuk lejon asnjë ndërhyrje të huaj./DW