Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka mohuar zërat se mund të jetë emri i ri për President në Shqipëri.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj i cilëson këto zëra si shpifje ordinere dhe se janë për “hesap të kuzhinave që janë edhe kundër Shqipërisë, edhe kundër Kosovës, edhe kundër meje”.
Statusi i plotë i Ramush Haradinajt:
Nuk jam kandidat për president të Shqipërisë
Po e shoh që po bëhet fushatë nga gazetarët e shitur, nga mercenarët e mediave, në Tiranë e në Prishtinë, sikur unë qenkam në kombinim për President të Republikës së Shqipërisë. Kjo është një shpifje ordinere, e ulët, e pistë dhe për hesap të kuzhinave që janë edhe kundër Shqipërisë, edhe kundër Kosovës, edhe kundër meje. Për popullin tim të dashur shqiptar, unë jam në Kosovë, do të jem në Kosovë dhe edhe politikisht do të realizohem në Kosovë. Shqipëria i ka njerëzit e saj, që di t’i vendosë në krye të shtetit. Me Kosovën e Shqipërinë e kundër matrapazëve mediatikë e të opinionit publik!