Nga Ledi Shamku
1 Prill – Dita e Rrenave (kishe lejen me rrejt “me kopilnì” çin të dojshe. Edhe ktu s’po ndalem se dihet
2 Prill – Dita e Zjermit. Këtu më përqaset çdo gjë me ritet pagane të Hyjneshës Romake Februa.
Në shtëpitë tona digjej çdo shage e vjetër (shage tironcit quajnë rreckat) e mundësisht aq më mirë nëse këto ishin të mrenshme vetjake (brekë, benevrekë, jelekë, kmisha e kanatjere). Un maj mend një mot që isha semur shpesh në dimër (çka s’para ndodhte) dhe Moma Feti më pat rujtë t’mrenshmet: Në banjo, mbi pusin e damë përgjys me komshijt, kishim lombikun e bakrit – bojlerin e sotem – ku nxefej uji i t’lames përmes nji vatre zjermi.
Aty me 2 Prill Moma futi at mot smunlliku kanatjeret dhe kmishat e mia edhe tu i trazu me nji mashë (shufër) hekri, ndërmlyste me vete: XIXLLOFTË E T’LENOFTË! (Pra u djegtë e të lehtësoftë).
Hinin e hudhi masnej ke rronja e hardhisë që kishim në lehe, duke ndërmlyt:
PLAÇIN E U HALLAKAÇIN
PËRTEJ MOLVE E SHKREPVE SHKOFSHIN
SYT’ E KQIJ MYTHË QENIT T’ZI
SYT E BARDHË MYTH QENIT T’LARË
(Dhe un, mbesa e saj, gjuhëtare, kam mbet pa gojë vite e vite më vonë kur duke gatit shkrimet etnolinguistike të Eqrem Çabej për botim, mesova prej tij se ne Gjinokastër syri i keq “përzehej” edhe me një rrashtë (kafkë) qeni. I bukri vendi im, ti ke më shumë gjera që t’bashkojne se asosh që të ndajne.
3 Prill – Dita e Hisllave. Moma Feti m’i gjunte kercijtë e komve me nji dore hislla (o Zot sa digjshin!!) edhe m’thonte: Ho ho, duro se t’tha ujtë e Dimnit!!
Masnej me hisllat gatuhej LAKUREKSI ose LAKURIQI – dy Shtresa brume me miell misri nalt e poshtë me n’mes një harxhë hisllash me djathë e voj ullini.
4 Prill – Dita e Gurve – maj men që futeshin gura a guraleca ngado e thyheshin xhama t vjeter me sebepin me i pertri. Maj men qe me Momen time shkonim at ditë ke Prroi Palpoçes, me ca gurë rrumullak n’xhep me vete, i lëshojshim rrokulimë n’prru duke thonë:
RROKULLOFSH E MORSH!
E M’LONSH T’MARËN MU!
Po e mbyll këtu kët cekasë. Tjetër qëllim s’pata veç me e nda me ju zemrën e butë të Tironave që mesa duket paskan qenë të pandamë nga Natyra. Çka sot kishte me shenju një shkallë të censhme qytetnimi.