Home KRYESORE Policia e Shtetit:Alqi Bllako është vetëdorëzuar,ndodhet në Drejtorinë e Policisë

Policia e Shtetit:Alqi Bllako është vetëdorëzuar,ndodhet në Drejtorinë e Policisë

Policia e Shtetit mëngjesin e së premtes ka reaguar lidhur me çështjen e arrestimit të ish- deputetit të Partisë Socialiste Alqi Bllako.

Në një njoftim për mediat, bëhet me dije se Alqi Bllako ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme.

Sipas policisë Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, informon publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme.

Sqarojmë se shtetasi Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, njofton policia.

Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK, për arrestimin e Bllakos pasi ky i fundit dorëzoi mandatin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë.

Bllako akuzohet se është i përfshirë në aferën e Inceneratorit të Fierit./Opinion.al

Share: