Home KRYESORE PS: Më 4 maj, presidenti i ri/ Kërkesa e socialistëve për të...

PS: Më 4 maj, presidenti i ri/ Kërkesa e socialistëve për të nisur procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit

Aspirantët e përhershëm dhe ata të rinj nga PS për tu bërë president, mund ta marrin një përgjigje të martën

Në prezencë të Edi Ramës në mbledhjen e grupit parlamentar socialist pritet të flitet për kandidatura konkrete, pas hapjes të zarfeve me propozime.

Së fundmi deputetja socialiste Blerina Gjylameti ka shprehur dëshirën për një kandidate femër pa artikuluar asnjë emër. Por një deputete tjetër socialiste ka zbuluar emrat që ka futur në zarf.

Ata janë Lindita Nikolla kryetare e parlamentit, krye-negociatori Shqipërisë me BE Zef Mazi dhe ish ambasadori Fatos Tarifa.

Sali Berishës ndërkohë nuk ka pritur tre ditë nga hapja e zarfeve socialist.  I paftuar në negociatat presidenciale, nuk i mbetet asgjë veçse të komentonte procesin e brendshëm të PS.

“Përsëri Edi Rama e shpalli zgjedhjen e presidentit në kodin e mafies. E dëgjuat vetë. Cili është kodi i mafies, plumbi në zarf, s’do jenë plumba, do të jenë tre emra. E morët vesh? Futi në zarf sekret tre emra. Kështu që, a mundet kurrë një forcë demokratike, politike të pranojë praktika mafioze, kurrë s’i pranon”, tha Berisha.

“Dhe është detyrë e maxhorancës t’i shtrijë dorën opozitës për një proces përbashkues dhe një figurë konsensuale si president i Republikës”, tha Bardhi.

Por t’ja shtrijë dorën kujt? Bashës, Berishës, apo opozitës? Opozitës së vjetër, apo asaj ndryshe që pritet të dalë nga presidenca? Nga kopshti i saj, mbuluar nga ngjyra jeshile e barit njësoj si ngjyra e fanellës së Selltikut,  Ilir Meta u shfaq si natyrë e qete, dhe i pa interesuar për emrin e pasardhësit të tij.  Por shumë i qartë për atë që vjen me pas për të.

“E ardhmja e opozitarizmit do të jetë ndryshe. Nuk do të ketë pseudo-opozitë që u ikën betejave dhe që është shembulli i shkeljes së parimeve demokratike brenda saj, duke legjitimuar në këtë mënyrë kapjen e shtetit dhe gjoja idenë se nuk ekziston një alternativë e opozitës”, tha Meta.

Por ku Ilir Meta do ta ndërtojë opozitën e tij ndryshe? Në themelet e shkatërruara të LSI në zgjedhjet e 25 Prillit apo në themele krejt  të reja me ndihmën e Sali Berishës që nisën të ndërtohen me Shtëpinë e Lirisë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 Marsit?

Dhe kështu ndërsa vendi pret emrin e presidentit të ri, në skenën politike, secili sheh hallin e vet.

Meta me një sy nga Berisha, Berisha me nj sy nga Basha, Basha si gjithmonë duke qeshur nga Rama dhe kryeministri, në një proces që e ka nisur vetë, dhe me gjasë do ja përfundojnë amerikanët.

Top Channel

Share: