Home Gjeo-Ekonomia Spastrim etnik zgjedhor në Preshevë/ 6 mijë shqiptarë nuk u lejuan të...

Spastrim etnik zgjedhor në Preshevë/ 6 mijë shqiptarë nuk u lejuan të votojnë

Shaip Kamberi arriti të sigurojë edhe një mandat të deputetit nga zgjedhjet parlamentare të tre prillit në Serbi.

Kësaj radhe do të jetë deputeti i vetëm nga koalicioni i partive me të cilët garuan, për shkak të pjesëmarrjes së ulët të shqiptarëve në këto zgjedhje.

Shaip Kamberi:  Votimi i serbëve të Kosovës në Bujanoc mendoj që së paku në këtë qytet ka ndikuar në daljen e njerëzve sepse njerëzit janë frikësuar se mund të ketë ndonjë incident. Edhe në këtë mandat do të vazhdoj angazhimin tonë politik në parlamentin qendror për të drejtat e shqiptarëve.

Gjashtë mijë shqiptarë të Luginës së Preshevës nuk arritën dot të votonin në zgjedhjet parlamentare të Serbisë këtë të diele për shkak të pasivizimit të vendbanimit nga institucionet serbe.

Në kushte anonimiteti për Top Channel shqiptarët e Luginës treguan se u kërkua të zgjedhin mes Kosovës e Serbisë.

“Për momentin më ka pasivizu, nuk mundem as me votu, as me marrë dokument, as me ripërtri dhe asgjë, deri sa kanë afat ato dokumente, në momentin që dalin ato dokumente, unë më nuk jam banorë i Preshevës. Më kanë thënë që ka ardh urdhri nga Beogradi e duhesh me vendosë, o këtu në Preshevë o në Prishtinë.

Pasivizimi i adresave për shqiptarët e Luginës konsiderohet edhe si spastrim etnik modern, që e shtyri edhe Presidenten e Kosovës të reagojë. Ajo tha se përmes kësaj metode shqiptarëve iu mohua e drejta e votës.

Më tre prill Serbia organizoi zgjedhjet parlamentare e presidenciale, mirëpo shqiptarët nuk votuan për president meqë nuk ndihen të përfaqësuar dhe kjo u kërkuar nga Kamberi. Megjithatë, prijësi i listës tjetër të kandidatëve shqiptarë, Shqiprim Arifi votoi në zgjedhjet presidenciale, duke ngritur kështu dyshime se kishte një marrëveshje me presidentin aktual serb, Aleksandar Vucic.

Ky i fundit mbrëmjen e së dielës, pas rezultateve preliminare shpalli edhe fitoren e tij. Kjo bëri që edhe serbët e Mitrovicës së Veriut në Kosovë të dilnin me vetura nëpër sheshin e qytetit për të festuar. Gjatë festës të njëjtët përdorën edhe armë e mjete piroteknike. Kështu, policia e Kosovës nisi hetimet për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, ndonëse nuk e arrestoi askënd.

Top Channel

Share: