Home Gjeo-Ekonomia Arrihet marrëveshja, ndalohet eksporti i naftës ruse në BE

Arrihet marrëveshja, ndalohet eksporti i naftës ruse në BE

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për një plan për të bllokuar më shumë se dy të tretat e importeve të naftës ruse.

Sipas BBC, shefi i Këshillit Evropian Charles Michel tha se marrëveshja e arritur ndërpreu “një burim të madh financimi” për makinën ruse të luftës.

Ndalimi i naftës ruse është pjesë e paketës së gjashtë të sanksioneve të miratuara në një samit në Bruksel, për të cilën të 27 vendet anëtare duhet të binin dakord.

Rusia aktualisht furnizon 27% të naftës së importuar të BE-së dhe 40% të gazit të saj. BE-ja i paguan Rusisë rreth 400 miliardë euro (430 miliardë dollarë, 341 miliardë paund) në vit në këmbim.

Deri më tani, nuk janë vendosur sanksione për eksportet e gazit rus në BE, megjithëse planet për të hapur një tubacion të ri gazi nga Rusia në Gjermani janë ngrirë.

Vendet e BE-së  diskutuan me orë të tëra për të zgjidhur mosmarrëveshjet me Hungarinë, e cila kundërshtonte ndalimin e naftës ruse.

Ndërkohë u ra dakord se do të kishte “një përjashtim të përkohshëm për naftën që vjen përmes tubacioneve në BE”, u tha Michel gazetarëve. Kështu, sanksionet e menjëhershme do të prekin vetëm naftën ruse që transportohet në BE përmes detit – dy të tretat e totalit të importuar nga Rusia.

Por në praktikë, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se qëllimi i ndalimit do të ishte më i gjerë, sepse Gjermania dhe Polonia do të mbyllin importet e tyre deri në fund të këtij viti./Opinion.al

Share: