Home KRYESORE Nga politikani i keq s’mund të bësh njeri të mirë!

Nga politikani i keq s’mund të bësh njeri të mirë!

Nga Kim Mehmeti

Kryeministri i Shqipërisë e dinë se ‘Ballkani i Hapur’ është sinonim për ‘Botën Serb’, botë e dalë nga ajo ruse dhe se si i tillë, është projekt që trurin e ka te Akademia, e zemrën, te Kisha Serbe. Dhe mbase prandaj ky projekt atë aq shumë e joshë.

Por ata që e kritikojnë atë nuk e dinë të vërtetën se nga një politikan i keq si ai, kurrë nuk mund të bësh një njeri të mirë dhe se, as nga dhjetë njerëz të këqij, s’mund ta bësh një shqiptarë të vetëm të mirë.

Me një kryeministër që më mirë ndjehet në ‘Botën Serbe’ se në atë shqiptare – në vend që të ishte Piemont dhe çadër mbrojtëse e shqiptarisë – Shqipëria u bë vend që i ngjanë një province serbe, vend ku nuk prodhohen ide, ku vyshken dhe shpallen shenjë prapambeturie patriotizmi dhe idealet shqiptare, ku modele suksesi janë narko dilerët dhe politikanët hajdut dhe ku, art e kulturë janë kofshët e gjinjtë cullak, që ekspozohen si çdo gjë që shitet – si mishi i lopës nëpër mishtore.

Dhe duke u shndërruar në një ‘tallava’ shoqëri ku cullakëria merret si shenjë civilizimi, që të ndihmon të bëhesh kryeministër i vendit, edhe ndodh që thuajse të gjithë të heshtim kur burrështetasit e ‘Rilindjes’ vendosin ta rrënojnë Teatrin Kombëtar, kur ata e përcaktojnë pamjen e Sheshit të Flamurit në Vlorë, kur e nxjerrin në ‘shitje’ Butrintin, kur Kryeministri i vendit e përcakton ‘tallava’ këngëtarin serb që do na zbavit…, pra të heshtim kur ekspertë që përcaktojnë çdo gjë shqiptare janë një grusht pushtetarësh, e të bëjmë zhurmë kur duhet të na vijë turp të flasim.

Kuptohet, shqiptaria nuk ka dalë nga terri, por është tërësi vlerash kulturore dhe flijimesh të shumë gjeneratave para nesh. Dhe pa dyshim se ajo do ishte më e bashkuar e më e begatë seç është, sikur të kishte qëndruar sa më larg ‘Botës Serbe’ e sa më pranë asaj mbarë shqiptare.

Andaj është e habitshme si mundet që edhe shqiptaria e sotme, dritën e vet ta kërkojë në terrin serb si dhe, të mos e kuptojmë se shoqëritë tona, nuk janë viktimë e ‘Piktorëve’ tanë proserb, por e mendësisë sonë se s’jemi ne pronarë dhe mbrojtës të shtetit, por kryehajdutët politik që atë e kanë rrëmbyer nga ne.

Sidoqoftë duhet thënë se Shqipëria është shëmbëlltyr e shoqërive shqiptare, në të cilat politikanët i kremtojnë fitoret e veta, përderisa populli i vuan dështimet dhe frustrimet e ushqyera me mosguximin kolektiv të përballet me të vërtetën se nëpër ‘Shqipëritë’ tona, interesat e ‘Rilindësve’ – e jo ato të shqiptarisë – janë interes shtetëror. (Kim Mehmeti)

Share: