Nga Albert Vataj
Artisti shqiptar, Alfred Mirashi Milot, vjen triumfues këtë fundqershor në Napoli me “Key of Unity”, çelësin e përdredhuar të unitetit. Ai beh guximshëm dhe besimplot të hapi dyert e një bote që tenton të na mbajë kyçur në një të tashme, ku ne jemi pjesë e gjithçkaje në një botë ku e mundshmja e vogëlon rruzullin dhe ne na shpërblen me bujarinë krijuese si shprehje e një vullneti të lartë, përmes artit si shkas dhe shpirtit të artistit si kushtim.
Fundqershori i “Artis Suavitas Civitas”, aty ku shqiptari i madh i pikturës dhe skulpturës, Alfred Mirashi Milot ka dëshmuar përmes veprës lartësinë e një shpirti të paepur krijues, do të shndërrojë Napolin në kryeqendrën e ngjarjeve kulmore të Artit, Kulturës dhe Sipërmarrjes. Emra dhe personalitete, identitete mëtimesh estetike dhe potenciale kumtesh transformuese përmes pasionit, shpirtra të energjive potenciale të së bukurës, ëndërrtarë dhe sfidues, do të tregojnë me kryevepër se njerëzorja është një mision, dhe Napoli do të jetë altari i lartë, ku lutja e tyre do të “zbresë” Krijuesin në tre ditë kremtimesh të blatimit të shpirtërores.
Tre ditë kushtuar artit dhe kulturës me figura ndërkombëtare do t’i mëkojnë shpirtit krijues kushtimet e hyjshme në Napoli, nga 28 deri më 30 qershor. Palazzo Reale do të dehet në përkundjen magjishme të Artis Suavitas Civitas kermesse.
Skulptori dhe piktori, Alfred Mirashi Milot do të jetë artisti shqiptar, pjesëmarrës dhe triumfator në këtë shpërfaqje të sfidës, karshi emrave të tjerë të mëdhënj, ndër të cilët, Giovanni Allevi, Piero Angela, Pupi Avati, Oscar Farinetti, Stjepan Hauser, Liu Ruowang, Michelangelo Pistoletto, Massimiliano Gallo, Catena Fiorello.
Më 28, 29 dhe 30 qershor 2022, do të jenë një zhytje në përsosmërinë e ngjizjes së madhështores së Arteve, Kulturës dhe Sipërmarrjes. Tri ditë plot me takime, iniciativa dhe evente, me një qëllim madhor: nxitjen e dialogut midis brezave për çështje aktuale, në një nga vendet më ndjellëse të qytetit të Napolit, pikërisht në Pallatin Mbretëror.
E gjithë kjo dhe shumë më tepër është Artis Suavitas Civitas, projekti kulturor i ideuar dhe organizuar nga Shoqata Artis Suavitas Aps, e kryesuar nga Avv. Antonio Larizza, me patronazhin e Ministrisë së Kulturës, Rajonit të Kampanisë, Qytetit Metropolitan të Napolit, Bashkisë së Napolit, Universitetit të Napolit “Federico II”, RAI – Campania dhe Pallatit Mbretëror të Napolit.
Udhëzimet – ka thënë për mediat avokati Antonio Larizza, krijuesi dhe organizatori i Artis Suavitas Civitas – i politikës së promovimit dhe përmirësimit të trashëgimisë artistike, kulturore dhe peizazhit të miratuar nga Artis Suavitas Aps, të cilin kam nderin ta kryesoj, bazohen në nevojën për të kontribuar në rizbulimin të identitetit të territorit, duke rinisur thirrjet e tij më të mira. Prandaj, Artis Suavitas Civitas është konfiguruar si një “Lista e lojërave kulturore” e vërtetë, një përmbledhje e zhanreve të ndryshme artistike dhe spektatorëve, të cilët do të bashkohen për të jetuar dhe ndarë emocione të paharrueshme me personazhet ndërkombëtarë, në një skenar unik dhe të pasur.
Përveç Pupi Avatit (regjisor), Massimiliano Gallo (aktor) dhe Laura Delli Colli (gazetare) që do të shpërblehen me vlerësime dhe nderime më 28 dhe 29 qershor, në mbrëmjen finale të 30 qershorit, ata që do të marrin çmimin “Artis Suavitas 2022”: Piero Angela (gazetar dhe shkrimtar shkencor); Francesco Ivan Ciampa (dirigjent i Verona Arena); Diego De Silva (shkrimtar); Oscar Farinetti (sipërmarrës); Catena Fiorello (shkrimtare); Stjepan Hauser (muzikant); Alfred Mirashi Milot (piktor dhe skulptor); Michelangelo Pistoletto (piktor dhe skulptor) dhe Liu Ruowang (piktor dhe skulptor).
Italia, qytetërimi i një botë të magjepsur nga e bukura e shpirtit krijues dhe pasioneve shpërthyese të shprehjeve të magjishme, është përtej detit, por Napoli do të jetë këtë fundqershor në sytë dhe zërin tonë, në rrahet kuqezi të zemrës dhe krenarisë së identitetit shqiptar, përfaqësuar nga piktori dhe skulptori, Alfred Mirashi Milot, i cili më shumë se një emër i zëshëm në përfaqësimit shqiptar të vlerave, është një kresht e lartë e kaplimit tonë ëndërrtar. Ai i tregoi Italisë, do të dëshmojë në Napoli, botës mbarë i ka shpërfaqur, se cili është ai shpirt sfidues shqiptar, që si një sfinks ngrihet nga hiri vet për të rrokur fluturimin e hyjt të së bukurisë dhe triumfueses.
Artisti shqiptar, Alfred Mirashi Milot, përmes veprës fituese “Key of Unity” (Çelësi i Unitetit) prezantuar në bocet, (treguar në foto), që do të ndërtohet në Firence, i qaset “Artis Suavitas Civitas” me mesazhin e dialogut dhe unitetit, e harmonisë së diversitetit të kulturave, kurajës për sfiduar dhe shpirtit të madh krijues, për t’i blatuar tashmërisë të hyjshmen e njerëzores që na bashkon. Më shumë se një vepër arti, “Key of Unity”, ky përdredhim i çelësit që hap dyert që tentojnë të na ndajnë, është altari të cilit Milot i propozon së tashmes, nevojës së ngutshme për unitet, urëbashkimit ndërmjet gjithëndryshueshmërisë që na përfaqëson si identitete dhe njëbotshmërisë që na bashkon dhe së cilës i përkasim dhe e meritojmë, në njeriun si dimension krijues i shëmbëllimit të Krijuesit në ne, në çdoditshmërinë tonë përmes zërit të shpirtit dhe mëkimit të artit.
Jo vetëm kaq, vlen të mëkohet si një osto e shenjtë e besimit te mrekullia e krijimit, fakti se kompania nga Los Angelos “JeanWolfe” bashkë me kompaninë italiane “Mille Volti”, do të jenë mundësuesit financiar të realizimit të skulptures monumentale “Key of Unity”, që do të ekspozohet në Napoli, Romë, Berlin, Brussel, Paris, dhe pastaj në San Francisco, SHBA. Vullnetet e lartësuara në qëllime do t’i japin botës përmes artit bekimin që sjell uniteti, përbashkimi, triumfi i dashuris sublime.