Festivali Sunny Hill do të organizohet në Tiranë, por edhe në Prishtinë. Lajmi është bërë me dije nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Ministria e Kulturës në Kosovë.
Kryebashkiaku Veliaj, në një postim në rrjetet sociale shkruan se “Sunny Hill Festival”, do të mbahet në Prishtinë në datat 4, 5, 6 dhe 7 gusht, ndërsa në Tiranë në datat 26, 27 dhe 28 gusht.
“Sunny Hill Festival – Edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë!
A jeni gati për një super verë elektrizuese në të dyja kryeqytetet shqiptare?
Jam shumë i lumtur që edicioni special i këtij viti i “Sunny Hill Festival”, do të mbahet në Prishtinë në datat 4, 5, 6 dhe 7 gusht, kurse në Tiranë në datat 26, 27 dhe 28 gusht.
Një super lajm për të gjithë! BASHKË!”,-shkruan kryebashkiaku Veliaj.
Në deklaratën e përbashkët e Ministrisë së Kulturës dhe Sunny Hill Festival thuhet se do të mbahet në Prishtinë në datat 4-7 gusht, data këto që u parashikuan më herët që festivali të mbahej në Tiranë.
Prishtina dhe Tirana do të shijojnë festivalin që do të sjellë Duan Lipën, Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë. Po ashtu për këtë edicion pritet të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botëror.
Deklaratë e përbashkët e Ministrisë së Kulturës (në emër të Qeverisë së Kosovës), Komunës së Prishtinës dhe Sunny Hill Festival:
Sunny Hill Festival mbahet në shtëpinë e vet, në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 Gusht 2022.
Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival bashkojnë forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë.
Institucionet qendrore dhe lokale bashkërisht, sipas mandatit që kanë do të ofrojnë mbështetje të plotë për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm.
Të gjithë shprehin gatishmërinë që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Synimi i përbashkët është që nga viti i ardhshëm, festivali Sunny Hill të organizohet në lokacionin e vet afatgjatë.
Në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht.
Në Prishtinë, Sunny Hill Festival për këtë vit ka përgatitur lineup-in më të fuqishëm nga festivalet e rajonit ku përveç artistëve të njohur si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë, për këtë edicion pritet të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botëror.
Një verë e jashtëzakonshme i pret të gjithë shqiptarët në Prishtinë dhe në Tiranë.
Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival.