Home KRYESORE “Lëmosha” e armikut… ?!

“Lëmosha” e armikut… ?!

Nga libri në proces: “Biri i armikut” i autorit Nebil Çika

Nëna ime e dashur dhe hallemadhe, dritë gjashtë, ishte një nxënëse e shkëlqyer “exelente” si e quajnë sot.

U rrit jetime se të atin e sajë ,gjyshin tim, Hysni Durmshi (Merkaj) e pushkatuan në 1945 ,si një nga krerët e Ballit Kombëtar të Vlorës.
Në jetën e sajë ndoqën fatkeqësi mbas fatkeqësie. Pas pushkatimit të së atit u vra, i shpërtheu bomba, në dorë vëllait të madh Reizit,18 vjeç.

Vëllai tjetër i vogëli Fuati u arrestua në moshë të kur punonte si elektricist në montimin e Fabrikës së Çimentos në Vlorë, e akuzuan se donte të vriste specialistët kinezë pas një debati të natyrës teknik me ta.

I gjetën sebepin për ta arrestuar si biri i armikut .
E torturuan në mënyrë çnjerëzore, për muaj të tërë në hetuesi me elektroshok më kokë dhe humbi mendjen, e kaloi shumicën e jetesës në spital psikiatrik deri sa ndërroi jetë .

Ishte shumë fatkeqe. “Jetimit nuk i qesh buza” -thoshte gjithnjë .Por në jetën e sajë ju bënë krahë djemtë e xhaxhait që i kishte vëllezër e shkuar tyre dajot tanë të dashur

Nëna mbaroi shkollën 7 vjeçare me rezultate të shkëlqyera vetëm nota maksimale 5 , që nga klasa e parë. Ishte një fenomen sidomos në shkenca ekzakt, na ndihmonte në matematikë kur ishim në shkollë më shumë e më saktë edhe se mësuesit, nuk kishte ushtrim e ekuacion të mos e zgjidhte dot dhe kishte një memorie fenomenale .

Nuk e di si ndodhi në një moment të zbutjes së luftës së klasave, ndoshta u angazhuan të afërm të sajë e miq të familjes që ishin me anën e pushtetit komunist dhe i nxorën një të drejtë studimi për në shkollën pedagogjike në Tiranë.
Nëna e sajë, gjyshja ime Havaja, një grua heroike nga një familje fisnike nga Cmokthina e Vlorës ( motra e Selfo Dalanit ) u gëzua shumë .

Pas pushkatimit të burrit kur iu sekuestruan gjithë pasurit , i kishte rritur me sakrifica të mëdha fëmijët duke bërë punë nga me të rëndat në kushtet e një persekutimi të paparë.

Një pjesë e familjes së sajë kishin marrë anën e komunistëve gjatë luftës por duhet thënë që edhe pse ishte gruaja e një të pushkatuari politik, ata nuk ju ndanë kurrë siç ndodhte rëndom me familjet që ndaheshin politikisht si pasojë e luftës së klasave. Veçanërisht nipi i sajë i vetëm, Gjergji Dalani, që jetonte në Tiranë me pozita të mira politike e zyrtare por që nuk donte t’ia dinte për luftën e klasave dhe pasojat e sajë. Besoj se edhe ata ndikuan edhe në nxjerrjen e drejtës e studimit të nënës time .

Ditën që nëna do të nisej për në shkollë, e ëma e bëri gati dhe po e përcillte për në Tiranë.
Sa po behej gati të hynte në autobus ja behu njëri prej djemve të xhaxhait të cilët ime më i donte shumë .

Gjyshja e parandjeu dhe sa e pa që afrohej i tha nënës të mos ta dëgjonte për atë çfarë do ti thoshte. Ndodhi pikërisht ajo që parandjeu gjyshja, djali i vogël i xhaxhait Bardhua, që me sa duket, fliste në emër të të gjithë vëllezërve, se ishin pesë i kërkoi nënës që të mos e pranonte “lëmoshën” e vrasësve të të atit, kështu e konsideronin ata “të drejtën e studimit” dhënë nga pushteti komunist .

Po e pranove, hiqe mbiemrin tonë se nuk e meriton të jesh bijë e atij babai – i tha.

Nëna u vu mes dy zjarresh ?!

Në njërën anë dëshira e madhe për të shkuar në shkollë dhe lutjet me lot në sy të së ëmës nga ana tjetër kërkesa e atyre që ishin realisht vëllezërit e sajë, që po ja trajtonin të drejtën e studimit si “lëmoshë” të vrasësve së të atit dhe pranimin nga nëna, si një shkelje mbi gjakun e tij. Mendoni një vajzë 14-15 vjeç të venë një trysni të tillë .

Zgjodhi pa mëdyshje atë që i kërkuan djemtë e xhaxhait: të mos shkelte gjakun e të atit .
Që në atë moment nuk shkoi më në shtëpinë e nënës së sajë.

E morën djemtë e xhaxhait që jetonin të gjithë bashkë dhe ndenji me ta deri sa u martua me tim at.

E kanë trajtuar si princeshë, atëherë dhe gjithë jetën. Me një dashuri e kujdes të veçantë ndoshta, më tepër se motrat e tyre por edhe ajo i donte aq shumë sa vendosi të bënte një sakrificë duke hequr dore nga diçka që ndoshta mund ti kishte ndryshuar jetën .

Kurrë nuk kam rënë dakord me këtë zgjedhje e sakrificë të nënës time, por kurrë nuk i kam gjykuar keq dajot për kërkesën e tyre ndaj sajë.
Në kontekstin e kohës, mos bashkëpunimi i tyre në asnjë moment e për asgjë me komunizmin dhe komunistët, me të cilët ndjeheshin dhe ishin në gjak se iu kishin vrarë xhaxhain, ishte legjitime dhe veçanërisht e moralshme !

Nuk është se ia kërkuan vetëm nënës sime të mos pranonte” lëmoshën “ por edhe për veten e tyre nuk kërkuan e nuk morën kurrë ndonjë gjë nga komunistët dhe pushteti i tyre.

Kjo e bënte të justifikuar qëndrimin e tyre me të drejtën e studimit të nënës sime.

Dy fjalë për dajot

Dajot e mi në Vlorë, familja e njohur fisnike e patriotike Merkaj nga Mavrova e Vlorës .

Stërgjyshi im nga nëna, gjyshi i tyre, Hajro Merkaj, ishte një nga dëshmorët e Luftës së Vlorës 1920, i shpallur Dëshmor i Atdheut në10 vjetorin e Pavarësisë 1922 . Djemtë e tij në LDB morën anën e Ballit Kombëtar veçanërisht gjyshi im dhe djali i madh i të vëllait të tij , Qeremi, që u angazhuan drejtpërdrejtë . Gjyshi u pushkatua dajo Qeremi u dënua me burg .

Në kohën e komunizmit i internuan nga Vlora në Kotë që nga vitet 1960 deri në 1990 .

Hajro, Beqiri, Irfani dhe Bardho jetonin bashkë në një grumbull shtëpish në një kodër të bukur të mënjanuar nga fshati, matanë lumit Shushicë bashkë me ta edhe nëna e tyre Adilja . Një zonjë e rëndë në të gjitha kuptimet e kësaj fjalë .Dy të tjerët, Qeremi dhe Nesheti, në anën tjetër të lumit, balle përballe, në Hastane . Nesheti kishte një bibliotekë të pasur të rrallë për kohën ,kryesisht shkrimtarë të huaj, një pjesë ndaluar nga regjimi. Atje kam lexuar disa prej tyre, Servantesin, Hygoin, Pushkinin, Gogolin, Di Cameronin etje .

Ata matanë lumit në Çair, jetonin vetëm si vëllazëri, askush tjetër rreth e rrotull tyre një izolimi natyral e politik i plotë .

Si ndëshkim nga që ishin armiq të partisë e kulakë nuk u jepnin energji elektrike . Por edhe ata ishin aq të vendosur në qëndrimin kundër komunizmit që kurrë nuk kërkuan drita, triska fronti apo ndonjë gjë tjetër pushtetit komunist.
Diku nga fundi i viteve 1980 pak para rënies së diktaturës ua lidhën drita.

Shkoja çdo vit në verë, kur isha fëmijë, mblidheshim shumë nipa e mbesa un isha si më “kanakari” edhe për shkak të statusit të veçantë të mamasë ,siç thash më lartë.

Nuk kishte as urë dhe e kaloja lumin o mbi supet e dajove, të kushërinjve më të mëdhenj ose me kalë .

Ishin shumë punëtorë e të zotët dhe jetonin me mirë se të tjerët, mbanin bagëti , shpendë ,bletë , fruta e perime etje. Edhe pse pa drita më pëlqente shumë të rrija në atë Oaz, ku nuk kishte asnjë shenjë komunizmi .

Të mëdhenj e të vegjël flisnin hapur kundër komunizmit dhe diktaturës .
Nga që nuk kishin drita, për rrjedhojë as radio e tv nuk punonin duke e kufizuar në maksimum injektimin e propagandës komuniste .
Ishte një copë tokë e hapësirë në kuptimin e plotë, e lirë .

Edhe sot e kujtoj me mall ato kohë të fëmijërisë sime në Çair, Kala, Karaguz etje disa nga emrat e vendeve ku un rrija e luaja në Oazin antikomunist të dajove të mi, kulakë e armiq të betuar të komunizmit . Elektriciteti dhe modernizmi që vjen prej tij, nuk mu deshën kurrë në atë vend ku drita e Zotit dhe liria, mirësia dhe vendosmëria e atyre njerëzve mjaftonte për të harruar e injoruar por edhe refuzuar çdo “të mirë” të komunizmit e socializmit që e trajtonin por edhe i trajtonte si armiq .

Share: