Reportazh me lotë në grykë…
Nga Ilir Kadia
E ndamë mendjen me gruan me mëngjes!Të shkojmë nga lagjia ime e vjetër,Kinostudio!Të shohim shtëpinë ku kalova 18 vjet!Më të bukurit e kujtesës time! Bibliotekën ku hapa sytë e shpirtit!Fushën e futbollit ku djersitja dhe bëja finte me topin e llastikut që të më shihte me cep të syrit Rita e bukur!
Shkollën ku mezi prisja të mbaronin pushimet e verës që të merrja dhjetat e mija dhe të takoja shokët! Fqinjët e varfër në tryezë por të pasur në dashurinë njerëzore që jepnim e merrnim. Dritaret me lule të vajzave të vogla të kohës me të cilat putheshim me marmalatë fiku në buzë!Rrugët me flluska shumëngjyrëshe si në fund të një kallejdoskopi të shtrirë!
Gurët që i bënim porta futbolli në fushën me bar mes pallateve me tulla të kuqe të ngrohta në dimër e të freskëta në verë!Murin e shtëpisë së Llambit ku varnim çarçafin e bardhë e shihnim filma rusë e çekë.Dyqanet ushqimore ku bukën,vajin,sapunin,miellin, vezët…i merrnim me triskë!
Katunarin e Priskës e Currelit me gomarin ngarkuar fiq e thana!Gegën me karrocën e akulloreve pesë lekëshe! Fqinjët e mi të para 45 viteve të thinjur si unë!…
Trokita në derën e fqinjit me shtëpi poshtë ish shtëpisë time!Nuk ma hapi njeri!Maliqi dhe Sadeko kishin vdekur! Djali i madh Qazua në Australi prej vitesh!Ladi dhe ai jashtë!Salua,më i vogli, tani afër 60 tave kish dalë!
Tek ish shtëpia ime nuk i njihja banorët!As fqinjët përballë!Në gjithë lagjen vetëm Astrit Rabdishta më uroi mirëseardhjen nga dritarja!Nuk u ngacmove shumë me pyetje për brezin tim!Se nuk desha të mësoja nëse i mungonin kësaj jete!
Më mirë të ushqej në mendjen time idenë se janë në Amerikë,Kanada, Itali a Greqi si Ladi, Rita, Lindita, Marjeta… se të mësoj se s’janë më në këtë jetë!
Në lagjen time kishte rënë bomba! Termeti i’a kish thyer kockat plaka pallateve të kuqe! Ndërtimet kuturu shpërfyturuar gjithçka! Vetja m’u duk sikur isha në një zonë arkeologjike ku vazhdonin të jetonin njerëz të varfër!
Mes vapës nxitova hapat të ikja duke gëlltitur lotët e mallit për kohën e bukur!